Ngjarje e vërtetë: Si na u shkatërrua jeta nga borxhet (1)

  • 22 January 2017 - 13:14
 Ngjarje e vërtetë: Si na u shkatërrua jeta nga borxhet (1)

Më kishin rrahur dhe më kishin lënë në hotel

Gjëja e parë që pashë pasi i hapa sytë, ishte një tavolinë e vogël me rrota, që gjendej afër shtratit. Mbi shtrojën e bardhë ishte servuar një kafjall joshës, shampanja e ftohtë dhe dredhëzat. Tërë përshtypjen e plotësonte një trëndafil i kuq në një vazo të ngushtë e të lartë. Me një luks të tillë, në hotele të shtrenjta dhe të bukura, sikur ky, Urtaku dhe unë me vite të tëra festonim Vitin e Ri. U shtriva me kënaqësi e më pas e ktheva kokën në anën tjetër të shtratit. - Dashuri? - thirra pasi që pashë se shtrati ishte i zbrazët.

- Këtu jam, në banjë - dëgjova zërin e tij nga pjesa tjetër e apartamentit. Me qetësi përsëri rashë në jastëk. Ndihesha e lumtur dhe e realizuar. E, si të mos ndihesha ashtu, kur i kisha të gjitha të mirat në jetë. Natyrisht, në atë moment as që më shkonte ndërmend se si do të më shndërrohej ajo ditë në një ferr të vërtetë. Pas disa minutash erdhi Urtaku. - Mirëmëngjesi, shpirt! - më përshëndeti me butësi. - Po shkoj poshtë, në pishinë dhe palestër. A do të vish me mua? - më thirri. - Jo, more - thashë duke mu hapur goja. - Ora sa u bë tetë. Ende është tepër herët që të zgjohem

. - Si të duash, macja ime. Fli edhe pak. Do të hamë kur të kthehem, mirë? - Në rregull, dashuri - thash dhe hyra nën mbulesë, sikur të isha me të vërtetë ndonjë mace. Sa mirë ishte të shtriheshe kështu pa telashe. - Atëherë, shihemi - më tha dhe më puthi në ballë. - Nuk do të vonohem, e ti fli, kënaqu! Pasi që ai u largua, buzëqesha me kënaqësi. Eh, sa shumë kanë gabuar ata që donin të ma mbushnin mendjen që të mos martohesha me Urtakun. Më thoshin se ishte tepër i vjetër, se nuk ishte për mua. Por, çka kishte lidhje që ishte 17 vjet më i vjetër, derisa ishte mashkulli më i vëmendshëm në botë, që përkujdesej për mua sikur të isha e shenjtë! Të gjithë ankoheshin për krizë dhe fukarallëk, derisa mua burri më trajtonte sikur të isha princeshë. Gjumin ma prishi një trokitje e fortë në derë. Athua Urtaku të ishte kthyer? U bëra e tëra veshë. Nuk kishte mundësi të ishte kthyer ai kaq shpejt, meqë vetëm sa kishte dalë.

- Urtak? - e thirra me një zë të pasigurt. Për një moment mbretëroi qetësia. E më pas, sapo fillova të mendoja se e tëra ajo mesele vetëm më ishte dëftuar, para meje doli një mashkull. Meqë Urtaku e kishte fikur dritën, nuk mund t'ia shihja fytyrën. Ai mashkull kishte trup boksieri - shtat të shkurtër me supe të gjera dhe kokë të madhe. Fërkova sytë, duke mos iu besuar atyre, por ai vazhdonte të ishte aty. - Keni hyrë gabimisht! - bërtita e tmerruar. Pasi që iu afrova shtratit, fillova të frikësohesha edhe më shumë, prandaj bërtita e tmerruar: - Menjëherë dilni jashtë! Por, në vend se të më dëgjonte, ai vazhdonte të më afrohej, me një hap të ngadalshëm, por të sigurt. Shikova telefonin. Ai gjendej në anën tjetër të shtratit, por tanimë ishte vonë për gjithçka.

- Kush jeni ju? Çka doni nga unë? - thash me një zë të frikësuar. Gjithçka që ndodhi më pas, u zhvillua për disa minuta. Ai kishte në dorë një shkop të trashë, me të cilin filloi të më godiste. Goditjet ishin aq të forta, sa që më linin pa frymë. Ende pa e marrë veten, pasoi goditja tjetër. Kësaj here më goditi me dorë, duke më përplasur për shtrati. Para syve më dolën yjet. Desha të bërtisja, por nga frika më kishte humbur zëri. Por, pasi që më goditi përsëri, munda të bërtisja.

- Prisni! Ndaluni! - e lusja me lot në sy. - Atje… - ia bëra me dorë kah tavolina e vogël, në anën tjetër të dhomës së madhe. - Atje gjendet çanta ime. Merrini tërë paratë që gjenden aty. Por, atij nuk i interesonin paratë e mia. Kësaj here ai më goditi në buzë, ku nuk vonoi e ndjeva shijen e njelmët të gjakut në gojë. Pas kësaj ai ma ngjiti për fyti dhe filloi të ma shtrëngonte atë. Mundohesha të çlirohesha, por më kot. Do të më mbysë, mendova. Me këtë vendim më ra të fikët. Pasi që u zgjova, më dhimbte tërë trupi. U mundova që t'i hapja sytë.

Dikush gjendej mbi mua. Athua, ku gjendesha dhe çka ishte duke ndodhur me mua? (vijon)

(Kosova Sot)