Roman dashurie: Vejusha (2)

  • 23 January 2017 - 15:26
Roman dashurie: Vejusha (2)

Lumnija nuk po kalonte mirë në vendin e punës. Sjelljet e të tjerëve, sidomos mjekeve, e bënin të frikësuar, të pasigurt, të humbur. I shmangte konfliktet, por ato në fund vetë arrinin tek ajo. Kur u zhduk një sasi e madhe e ilaçeve në spital, të gjithë mjekët u nxorën disi, e ajo mbeti më e dyshimta mu për shkak se askush nuk besonte që në jetën e saj nuk ka sekrete të errëta, dhe se ajo me të vërtetë e jeton një jetë aq të qetë, siç po paraqitej para të tjerëve. Ajo aferë e solli deri te zhgënjimi, por ndoshta edhe deri te martesa, sepse në atë kohë në ordinancën e saj hyri bankieri Arif Lumi, dhjetë vjet më i vjetër se ajo, i cili ishte paksa i përzier në politikë e paksa i dyshuar për kontrabandë të cigareve. Por, sharmi i tij ishte i parezistueshëm, kështu që vetëm pas tre muajsh Lumnija u shpërngul tek ai, i ngjyrosi flokët me ngjyrë bakri dhe e zëvendësoi veshjen e saj të thjeshtë me gardërobë elegante. Arifi ishte me të vërtetë një njeri i mrekullueshëm, i bënte surpriza, i blinte shumë dhurata, udhëtonin shpesh dhe dilnin së bashku në publik. Por, Arifi e kishte edhe një anë tjetër të errët, nuk ishte besnik dhe as që përpiqej që t'i fshinte gjurmët e aventurave të tij. E tërhiqnin vajzat e reja, të cilat mund t'i blinte me një parfum apo me ndonjë leckë, gjë që e zhgënjente Lumnijen dhe që në shtëpi shkaktonte grindje të mëdha. Dëshiroi që të ndahej vetëm pas dy viteve të martesës, por mendimi për faktin që do t'i duhej që të kthehej në atë spital dhe në dhomën e saj të vjetër, që sërish të veshë rroba të vjetra, e parandaloi vendimin e saj të rëndësishëm. Kështu vendosi që të duronte, grindej, qante, por mbeti me Arifin, i cili prej vitit në vit po bëhej gjithnjë e më i çmendur pas vajzave të reja. Lumnijes nuk i mungonte asgjë përveç dashurisë. Kur e lajmëruan se Arifi kishte vdekur në zyrë nga infarkti, ishte hera e fundit që Lumnija qau për shkak të tij. E dinte që kjo ishte mënyra më e mirë që të ndahej nga ai, e që të mos e humbë sigurinë materiale, sepse i kishte mbetur gjithçka që kishte pasur ai. Lumnija, megjithatë, nuk ishte e pashpirt. U pikëllua nga vdekja e Arifit, edhe pse qysh moti nuk e kishte dashur më si mashkull, por vetëm si njeri. Në varrim ishin të pranishëm shumë njerëz, por vetëm pas gjashtë muajsh u dëshmua që burri i saj nuk kishte merituar respekt pas vdekjes. Ishte e qartë që paratë e tij kishin blerë besnikërinë dhe dashurinë e të tjerëve. Edhe Lumnija e dinte një gjë të tillë, sepse edhe vetë iu desh që ta pranojë se për një pjesë të madhe në at martesë kishte hyrë për shkak të parave të Arifit.

KAPITULLI I TRETË

Ajo pjesë e jetës tashmë ishte pas saj. Nuk i foli askujt kur u largua nga varrezat. Vetëm u kthye, i vuri syzet e errë- ta dhe u nis drejt veturës. Pas saj u nisën edhe njerëz të tjerë, edhe pse askush nuk iu drejtua deri në momentin kur u ndal pranë 'Mercedes'-it të saj në parking. Disa prej miqve të Arifit u lejoi që t'i shprehin ngushëllime si dhe disa kushërinjve të largët. Dy motrat e Arifit mbetën në varreza. Lumnija nuk fliste me ta, sepse ato kishin menduar që Arifi ua kishte lënë një pjesë të trashëgimisë edhe atyre, kështu që e fajësonin vejushën për mosparaqitjen e një testamenti të tillë. Në fakt, Arifi ia kishte lënë avokatit të tij një testament, por në të gjithçka i ishte lënë Lumnijes, pa sqarim të mëtutjeshëm. /Vijon/ 

(Kosova Sot)