Ngjarje e vërtetë: Si na u shkatërrua jeta nga borxhet (3)

  • 24 January 2017 - 14:02
Ngjarje e vërtetë: Si na u shkatërrua jeta nga borxhet (3)

Pasi pushoi pak, shtoi: - A je e sigurt se Urtaku nuk ka pasur kurrfarë afere me dikë tjetër? - As edhe rastësisht! – ajo ende nuk e kishte mbaruar mendimin, e unë e ndërpreva me vendosmëri. - Më fal, nuk do të doja të të pengoja, por gjatë tërë kohës kam përshtypjen se ajo ngjarje e pakëndshme ka lidhje me Urtakun – Vjollca nuk dorëzohej. – A ka ai ndonjë armik? - Jo, bre! – mohova edhe me kokë. – Ai është më i miri, më zemërgjeri …

- A ka ndoshta ndonjë problem financiar – më pengoi pa durim. – Në fund të fundit, mënyra se si jetoni është tepër e shtrenjtë. Çfarë domethënieje kishte kjo tani? Mos Vjollca ishte bërë xheloze? Edhe ajo, dorën në zemër, jetonte në vilë, sikurse ne, por vila e saj megjithatë kishte disa dhoma më pak sesa vila jonë. - Por, Vjollca, sikur të kishim probleme financiare, me gjasë do të dija për to. - Është mirë që ke kaq besim të madh te Urtaku, por mendoj se do të duhej të merreshe më shumë me llogaritë e tij. Pasi që u largua Vjollca, vazhdova të mendoja rreth asaj që më tha ajo. A kishte mundësi që kishte të drejtë? Më kishte ndodhur shpesh të dëgjoja që, pas vdekjes së burrit, gratë të kishin mbetur të zhytura në borxhe. Për ta larguar çdo shqetësim, vendosa që të bisedoja me Urtakun që atë mbrëmje. - I dashur, sikur, mos e bëftë Zoti, ty të të ndodhte ndonjë gjë, unë nuk do të dija asgjë rreth llogarive tona.

- Dokumentet më të rëndësishme gjenden në kasafortën e bankës, kurse të gjitha dokumentet e shtëpisë janë në tavolinën time të punës. Në rast të vdekjes sime, çdo gjë është e rregulluar. Por, çka të interesoi përnjëherë një gjë e tillë? Të lutem mos e lodh më kokën tënde të bukur me gjëra të panevojshme. U mundova të veproja ashtu si më këshilloi ai, por erdhi edhe dita kur isha e detyruar t’i kujtoja fjalët e Vjollcës. Pasi që plagët m’u shëruan tërë- sisht, përsëri mora guximin të dilja midis njerëzve. Kështu, një të premte shkova në qendrën tregtare, me qëllim që ta blija një dhuratë ditëlindjeje për mbesën time të vogël. Kur desha që ta paguaja kukullën me kartelë, përjetova një befasi. - Më vjen keq, por kartela juaj është refuzuar – më tha punëtorja në arkë. – Llogaria ju është bllokuar. Ndoshta e keni tejkaluar limitin. A keni kartelë tjetër?

- Jo, nuk kam. Por, është e pamundur që kjo kartelë të mos jetë në rregull! Derisa prisja me padurim dhe skuqesha për shkak të situatës së palakmueshme, punëtorja në arkë provoi edhe disa herë, por më kot. - A do të paguani me të holla të gatshme, ndoshta? – më pyeti duke ma kthyer kartelën e pavlefshme. Kurrë nuk bëja shoping me para të gatshme, kështu që as kësaj here nuk kisha me vete. - Kërkoj falje, nesër do të kthehem për ta kryer blerjen – thash duke e kthyer kukullën dhe duke dalë me të shpejtë nga Qendra tregtare. Derisa isha duke u kthyer në shtëpi, nuk mund të mendoja asgjë tjetër, pos rreth incidentit me kartelë. Si kishte mundësi që ajo të ishte bllokuar, kur e dija se kisha ende shumë para në të? Ku kisha pasur t’i harxhoja ato para kur nuk kisha dalë nga shtëpia tash e gjashtë javë? Përsëri m’u kujtua sulmi në hotel. A kishte mundësi që ai njeri të ma kishte marrë numrin e kartelës së kredisë, duke e keqpërdorur më pas atë? Ky ishte shpjegimi i vetëm që më binte ndërmend. Sapo mbërrita në shtëpi, shkova në dhomën e punës. Aty në dokumentacionin e Urtakut kisha ndërmend ta gjeja numrin e bankës ku e kisha marrë kartelën. Nuk isha mësuar të fusja hundët në tavolinën e tij të punës, por ai atë ditë ishte në udhëtim zyrtar dhe nuk arrita ta merrja në telefon. Kur në dollapin e fundit gjeta rastësisht gjendjet bankare, mbeta pa fjalë. Sipas asaj që shihej aty, muajin e kaluar ishin tërhequr sasi tepër të mëdha të parave. Për më tepër, në të gjitha llogaritë kishim një minus të thellë. Përnjëherë më mbuluan djersë të ftohta. Kjo është e pamundur, mendova. Urtaku është biznesmen. Askush nuk do të mund të zbrazte llogaritë tona, e ai të mos e vërente një gjë të tillë. Nuk e di sa qëndrova ulur pranë tavolinës së punës, duke menduar se çka ishte duke ndodhur. Më pas mblodha tërë fuqinë dhe i telefonova Vjollcës. Ajo ishte e person i besueshëm dhe dinte të ruante sekretet. Nuk kaloi as gjysmë ore e ajo arriti te unë.

- Shikoji këto. Çka mendon? – e pyeta, duke ia treguar gjendjet bankare. - Më vjen keq, e dashur. Por, këtë pyetje duhet t’ia bësh Urtakut, e jo mua. E kafshova buzën. - Më duket se ai i mban sekrete disa gjëra. Vjollca vazhdoi analizimin e dokumenteve. - Gjatë vitit të fundit nuk ka pasur asnjë hyrje të të hollave. A je e sigurt që Urtaku nuk ka vështirësi financiare? - Nuk e di. Nuk më ka thënë gjë! Vjollca la mënjanë dokumentet dhe m’u drejtua me vendosmëri. - Sido që të jetë, duhet të bisedosh me të urgjentisht. Si grua që të ka, ti ke të drejtë që ta dish gjendjen tuaj financiare. (vijon)

(Kosova Sot)