Këto janë pengesat më të zakonshme me të cilat ndeshen çiftet në vitin e parë të martesës

  • 24 January 2017 - 14:50
Këto janë pengesat më të zakonshme me të cilat ndeshen çiftet në vitin e parë të martesës

Tashmë jeni një familje! E pëlqeni ose jo, në momentin që keni thënë “po” për t’u martuar, familja e bashkëshortit apo bashkëshortes tuaj konsiderohet edhe juaja. Shkurt, ju tani jeni një familje e madhe. Të mësosh se si të sillesh të krijosh balancën në këto raporte nuk është gjithnjë e lehtë, sidomos vitin e parë kur trysnia është edhe më e madhe. Por me pak udhëzime dhe kompromise do të arrini të jeni një familje e madhe e lumtur.

PUSHIME TË NDARA

Me siguri teksa ofrohet një festë, vjehrra juaj dëshiron shumë që t’ju ketë për drekë ndërkohë që ju po “vdisni” për ta kaloni te  prindërit tuaj. Si i bëhet? Mirë është që ju të vendosni disa ndarje në mendjen tuaj. Disa festa t’i kaloni te njëra palë dhe disa të tjera te pala tjetër ose nëse shikoni se ka shumë xhelozi dhe rivalitet, thjesht festojini në shtëpinë tuaj me partnerin apo partneren dhe nëse dëshironi mund t’i mblidhni të dyja familjet aty.

VENDOSJA E KUFIJVE

Kjo është një ndër më të vështirat, sidomos nëse banoni në të njëjtin qytet me të dyja familjet. Ato mund të vijnë kurdo dhe madje papritur duke ju prishur rehatinë apo planet që ju keni në kokë. Sigurisht ju keni turp që t’i përzini nga shtëpia dhe nuk do ta bëni, por stres do të keni shumë pasi ata të jenë larguar. Mirë është që në një mënyrë të qytetëruar ju të tregoni për rregullat tuaja. Mësojini të telefonojnë përpara se të vijnë dhe të pyesin nëse prishin ndonjë plan tuajin, por tregojuani këtë duke u shpjeguar se ju i doni shumë dhe do të donit të kalonit kohë me ta, por pa prishur asnjë ekuilibër tjetër në jetën tuaj.

FINANCAT

Paratë janë një problem i madh, sigurisht! Nëse prindërit ju ndihmojnë me para për të blerë një shtëpi, sigurisht që ju mendoni se ndoshta është e udhës që të lejoni që ata të mbajnë një çelës të shtëpisë tuaj, të vini emrat që ata dëshirojnë për fëmijët tuaj dhe gjëra të tilla të zakonshme që ju konceptoni se duhet t’ua shpërbleni vlerën monetare që ata kanë dhuruar. Për të zgjidhur këtë duhet komunikim, sidomos me partnerin apo partneren tuaj për të zgjidhur siç duhet situatën. Mirë është që vlerën monetare ta shijoni si dhuratë dhe jo si detyrim që duhet shpërblyer, sepse nëse do të ishte kështu, kredia në bankë do të jetë një zgjidhje më e mirë.

(Kosova Sot)