Ngjarje e vërtetë: Nga hakmarrja u martua me atë që nuk e donte (1)

  • 17 March 2017 - 16:32
Ngjarje e vërtetë: Nga hakmarrja u martua me atë që nuk e donte (1)

 Fatmirja me këmbëngulje e përsërit urdhrin e njëjtë, por biri ynë trevjeçar nuk reagon. Luan me lodrat e tij, i hedh rreth vetes e ajo sapo e kishte rregulluar shtëpinë dhe dëshironte që të mbetet e tillë. - Leon nëse nuk e ndërpret hedhjen e lodrave, nuk mendoj që Babadimri do të ketë dhuratë për ty këtë vit. Atij nuk i pëlqejnë fëmijët që nuk sillen mirë, as që do të kalojë afër shtëpisë sonë. - Nuk mërzitem. Unë e di që ai nuk ekziston, janë prindërit ata që i blejnë dhuratat – iu përgjigj me zërin e tij të ëmbël. Unë qëndroja i ulur në kolltuk, me gazetë në duar duke i fshehur pas saj në mënyrë të Fatmirja të mos e vërejë se sa më bënë të qeshë fjalët e tij. - Çfarë the? – reagoi ajo e befasuar nga përgjigjja.

- Babadimri nuk ekziston – iu përgjigj Leoni dhe vazhdoi me lojën e tij. I shikoja të dy i interesuar për zhvillimin e mëtutjeshëm të ngjarjes, duke u përmbajtur që të mos qeshë. - Kush të ka thënë? – e pyeti Fatmirja e zemëruar. - Xhaxhai – përgjigjet ai. Unë u fsheha edhe më shumë pas gazetës, sepse e parandjeva se çfarë do të ndodhë. - Xhaxhai shpesh nuk e di se çfarë flet. Ai vetëm është mahitur, ka dashur që të të mashtrojë. Nëse nuk beson në Babadimër atëherë me siguri nuk do të pranosh dhuratë. A ke harruar se sa je gëzuar vitin e shkuar me dhuratat që t’i solli? - Jo nuk kam harruar. - Nëse prindërit i blejnë dhuratat për fëmijët, atëherë pse pikërisht për Vitin e Ri? A nuk mendon se kemi mundur që të ta japim edhe ndonjë ditë më herët ose më vonë? Të ta blejmë edhe ndonjë dhuratë për ditëlindje e jo për Vitin e Ri? – vazhdon gruaja ime. Fatmirja e adhuron Vitin e Ri. E zbukuron shtëpinë përgatit ushqime të shijshme. Disa ditë para Vitit të Ri i blen dhurata Leonit. Zhgënjim më të madh se kjo çfarë i tha Leoni nuk ka mundur as ta imagjinojë. Jam i sigurt, nuk do të jetë e qetë deri në momentin kur ta ketë bindur sërish birin tonë për atë që dëshiron edhe vetë ta besojë. Por, Leoni hesht, nuk përgjigjet.

- Bir, a je i shurdhër? A po më dëgjon se çfarë po të pyes? – i tha Fatmirja. - Nuk jam i shurdhër, po të dëgjoj mami. - Përgjigju pra. - Çfarë të përgjigjem? – e pyet ai, pasi që është i vogël dhe nuk mundet ta zhvillojë një bisedë, të cilën e dëshiron Fatmirja. - Xhaxhai vetëm është mahitur me ty. Babadirmi ekziston dhe për çdo vit i gëzon fëmijët e mirë. Xhaxhai me siguri nuk ka qenë i mirë dhe për atë arsye është xheloz se ti pranon shumë dhurata, e ai asnjë – vazhdoi ajo me këmbëngulje. - Nuk e di – përgjigjet shkurt Leoni, krejtësisht i painteresuar për bisedë. Derisa lodrat janë para tij asgjë tjetër nuk ia tërheq vëmendjen. - Mblidhi lodrat dhe shko në dhomën tënde, luaj atje – i thotë e zhgënjyer Fatmirja. Leoni shkon në dhomën e tij së bashku me lodrat, të cilat i bien në dysheme derisa është duke shkuar. As që e shikoj gruan, e di çfarë vjen më pas. Më kujtohet ai Vit i Ri i para gjashtë viteve sikur të kishte ndodhur dje. Sapo isha kthyer nga një udhëtim. I kisha 35 vjet dhe jetoja prej ditës në ditë. Isha dele e zezë në familje, i biri problematik, i cili ishte i interesuat vetëm për argëtim. Prindërit e pasur mua dhe vëllanë na kishin mësuar me jetë të lehtë. Por, për dallim prej meje, vëllai Petriti menjëherë filloi që të punojë me nënën në sallonin e modës, pronare e së cilës ishte ajo. Nuk ka gjë më qesharake sesa mashkulli, që punon në sallon që shet fustane për martesë. Gjithmonë e ngacmoja për këtë, e ndoshta edhe ngjarja më e rëndësishme për mua u desh që të zhvillohet mu në atë sallon.

Atë ditë nëna hyri herët në dhomën time dhe më zgjoi nga gjumi. - Behar, zgjohu, zgjohu shpejt! – më tha me zë të lartë. - Pse? – e pyeta pa i hapur sytë. - Sepse unë dhe vëllai yt jemi të sëmurë dhe nuk mund të shkojmë në sallon. Dikush duhet ta hapë dhe të punojë sot – tha ajo. - Flet për sallonin tënd të fustaneve të martesës? – e pyeta i habitur. - Po. - Edhe? Çfarë dëshiron nga unë? – e pyeta, edhe pse e dija përgjigjen. - Sot do ta hapësh ti. Edhe ashtu është festë, punohet me orar të shkurtër – vazhdoi ajo. - As që më shkon mendja, nuk jam unë Petriti. Po të duhej të punoja në sallonin e veturave të babait, nuk do të kishte problem. Ky propozim i çmendur as që vjen parasysh. - Tre muaj ke qenë pa punë dhe ke shëtitur nëpër botë me para të mia. E di edhe ti që babai nuk do të t’i jepte paratë. Ta kam plotësuar dëshirën, për këtë arsye besoj që nuk do të më zhgënjesh – më tha nëna. /vijon/

(Kosova Sot)