Roman dashurie: Punë fati (17)

  • 18 March 2017 - 12:44
Roman dashurie: Punë fati (17)

-Jo nuk di, të betohem. Por, ajo çfarë më kanë thënë hetuesit, që dyshojnë se Valoni më ka shfrytëzuar që të mësojë diçka më shumë për lëvizjet e tua dhe të Çunit, mund të ketë kuptim. Me këtë mund ta sqaroj edhe faktin pse ishte aq misterioz, dhe pse bënte aq shpesh pyetje për ty dhe Çunin. Unë u tregova krejt çfarë kam ditur. -Por, ndoshta edhe nuk është ashtu. Ndoshta Valoni ka pasur ndonjë arsye tjetër për të qenë misterioz. - Ndoshta... por çfarë arsye? Anita nuk u përgjigj, sepse nuk mund t'i kujtohej ndonjë zgjidhje adekuate e misterit, me të cilën do të sqarohej sjellja e mashkullit të pazakontë ndaj koleges së saj. - Shpresoj se jemi sërish në raporte të mira? Kjo pyetje e Gonës u përcoll nga një shprehje e zhgënjyer e fytyrës. Sado që Anita e kishte vështirë që të qeshej, megjithatë e bëri një gjë të tillë dhe ia zgjati dorën. -Kurrë nuk kemi qenë në raporte të këqija, vetëm kemi bërë një pauzë në shoqërimin tonë. Qeshi edhe Gona dhe e pranoi dorën e Anitës. Pas përfundimit të punës, Anita u nis për në shtëpi e lodhur nga gjithçka që kishte përjetuar dhe nën presionin që atë mbrëmje do të shkonte në vizitë te Çuni. E pyeste veten se si do të sillet kur ta shohë, a do të jetë ai i interesuar për të? Më së shumti e mundonte fakti se si do të reagonte nëse me të vërtetë nuk do të jetë në gjendje që të ecë më. Ndiente keqardhje, ndërsa ishte e sigurt që Çuni do t'ia zinte për të madhe, nëse do ta vërente atë ndjenjë në sjelljen e saj. Mu para hyrjes së ndërtesës iu duk se diku bëri një blic i fotoaparatit. U kthye në drejtimin prej nga erdhi drita, por nuk e pa askënd me fotoaparat. Kalimtarët ishin të rrallë dhe të gjithë dukeshin të zakonshëm. E tundi kokën duke e pyetur veten nëse ka filluar që të imagjinojë gjëra për shkak të asaj që ia kishin thënë hetuesit. Për një moment i shkoi mendja që t'i thërrasë ata dhe t'u tregojë se çfarë iu duk se ndodhi, por qysh në momentin tjetër hoqi dorë nga ajo ide, duke mos dëshiruar që të jetë paranojake. KAPITULLI I DYMBËDHJETË U nis rreth orës tetë për në spital, e mbushur me frikë dhe një nervozë të çuditshme. I ndërroi rrobat disa herë. Në fillim e veshi një kostum të kaltër, por kur u shikua në pasqyrë e kuptoi se paraqitja e saj me ngjyrë të hareshme nga ana e Çunit mund të interpretohet si mënyrë e pahijshme, që t'i tregojë se jeta e saj po vazhdon, ndërsa e tija po ndryshon për të keq. Më pas i veshi një palë pantallona të zeza dhe një bluzë të zezë, por edhe ato i anuloi, sepse dukej sikur i vinte keq për dikë. Mezi në fund vendosi për fustanin me ngjyrë të kafenjtë që dukej goxha klasik në një trup të ri. Flokët i lidhi në bisht dhe me këtë gjë i shtoi pak seriozitet vetes. /Vijon/

(Kosova Sot)