Roman dashurie: Punë fati (18)

  • 19 March 2017 - 12:32
Roman dashurie: Punë fati (18)

Në hyrje të spitalit qëndronte një polic. Në katin ku gjendej Çuni, gjendeshin edhe dy pacientë të tjerë. Ajo u prezantua, por asaj ia kërkuan letërnjoftimin për ta lënë që të hynte në dhomën e të sëmurit. Dora i dridhej derisa e hapte derën. Çuni ishte i shtrirë, i mbuluar deri në bel dhe shikonte TV. Dy shtretërit afër tij ishin të zbrazët. Kur e pa, ai i buzëqeshi me një shprehje të lodhur të fytyrës. Megjithatë, ai nuk dukej si një njeri i cili është i vetëdijshëm se, ndoshta, më nuk do të mund të ecte me këmbët e veta.

-Anita! Më vjen shumë mirë që erdhe. Ti je sot personi i parë që shkeli në këtë dhomë, e që më gëzoi. Ajo iu afrua dhe ia dha në puthje të lehtë në buzë, sikur të kishte frikë se do të mund ta lëndonte edhe me atë puthje. Për këtë shkak, ajo u befasua kur ai ia ktheu me një puthje epshore, sikur çdo moment do ta merrte në shtrat dhe do të çonte dashuri me të. Por, natyrisht, një gjë e tillë nuk ndodhi. Ajo u ul në shtratin e lirë dhe ia filloi bisedës me kujdes. - Si ndihesh? - Ashtu. Jam i lodhur, por nuk mund të fle. Mendoj se ende nuk jam i vetëdijshëm çka ka ndodhur. Kur më erdhi vetëdija, e tëra që doja të bëja, ishte ta dija si ishe ti. Më beso, fillova të ndihesha tmerrësisht keq kur kuptova se edhe ty ka mundur të të ndodhte diçka. - Nuk më ka ndodhur asgjë, vetëm se jam frikësuar tepër shumë. - Më fal, zemra ime... E di se unë nuk jam fajtor, të paktën nuk e kisha idenë se një gjë e tillë do të mund të më ndodhte mua. Por, nuk mund ta marrësh me mend se sa keq ndihem që edhe ti u desh ta përjetoje këtë afër meje. Në njëfarë mënyre ndihem fajtor që t'u rrezikua jeta.

- Mos, Çun, mos fol kështu. Fajtorë janë ata që kanë shtënë. Jo ti. -E këtillë është politika... Mendon se je i sigurt dhe se ka peshq edhe më të mëdhenj se ti, e më pas bindesh për të kundërtën. Politika është e këtillë. Pa marrë parasysh çfarë njeriu je, dikujt pa dyshim se ia zen udhën. Anita e dëgjonte vetëm pjesërisht, meqë mendja e saj shtronte pyetje tjera. Edhe pse nuk do të kishte çka të shihte, përsëri ishte kureshtare ta dinte se çka kishte ndodhur me këmbët e tij, t'i prekte, si dhe ta dinte se cila ishte prognoza, çka i kishin thënë mjekët. Çuni sikur ia lexoi mendimet. -A e di se, tash e tutje, do të jam invalid? Ajo u rrëqeth nga kjo pyetje. Nuk mund të besonte se fytyra e tij nuk kishte ndryshuar as pasi që i kishte thënë këto fjalë, se nuk ishte mërrolur, nuk kishte kukatë. Ai kishte bërë këtë pyetje sikur të thoshte a do të binte nesër shi. Ajo mbeti pa fjalë. Thjesht, nuk mund t'i gjente fjalët me të cilat do t'i ikte kësaj pyetjeje. Vetëm e shikonte, pa fjalë dhe e habitur.(vijon)

(Kosova Sot)