Roman dashurie: Punë fati (19)

  • 21 March 2017 - 15:19
Roman dashurie: Punë fati (19)

- Unë nuk dua të shkoj. As tash, e as më vonë. Kjo nuk ka lidhje me keqardhjen. Nuk kam qenë unë në lidhje me këmbët tua, por me ty, si njeri. E, nëse do të mbetesh në karrocë të invalidëve, unë nuk kam pse të ik. Ajo e dinte se këto fjalë tingëllonin si inkurajim i madh dhe ishin paksa prekëse, por Çuni buzëqeshi, sikur ajo t'ia kishte treguar ndonjë barsoletë. - Po ti me të vërtetë je një engjëllushe e vërtetë. Por, ka diçka që më huton në atë që je duke thënë. Ti the se nuk ke qenë në lidhje me këmbët e mia, por me mua, si person. Por, ti e di se ne kurrë nuk kemi pasur ndonjë lidhje të fortë. Ishim bashkë për shkak të pasionit, lidhja jonë ishte fizike, trupore. Është e vërtetë se kohët e fundit jemi parë më shpesh, por ti e di se ne të dy ishim thjesht dashnorë, e jo diçka më shumë. Bile, shpesh thoshim se sa mirë ishte që nuk ishim të preokupuar me emocione të thella dhe sa mirë ishte që ndiqnim vetë, nevojat trupore. Prandaj, meqë del se kemi pasur një lidhje thjesht fizike, si mund të thuash se fakti që tani jam i palëvizshëm nuk ka rëndësi për ty? Ajo e dinte se ku donte të arrinte ai. Dhe, ndiente se ai kishte të drejtë, se fjalët e saj ishin rrenë, ishin një tentim që të fshihej keqardhja nga një invalid. Por, nuk mund të thoshte diçka, që do ta bindte Çunin se ajo do të largohej lehtë. Ai ishte i guximshëm, prandaj as ajo nuk donte të ishte qyqare, qoftë edhe nëse më vonë do të pendohej për këtë. - Të vërtetën e do, d.m.th? - Po, Anita. Vetëm të vërtetën. Tani rrenat do të më lëndonin më shumë sesa këto këmbët e mia të palëvizshme. - Nëse me të vërtetë lidhja jonë ishte vetëm trupore, atëherë këmbët tua nuk kanë rëndësi. Më shumë rëndësi ka një pjesë tjetër e trupit tënd, e edhe duart, buzët, gjuha... Fjalët që thoshte ishin perverse, por kjo ishte mbrojtja e vetme që kishte. Çuni e shikoi i habitur për disa sekonda, e më pas ia bëri me gisht, që t'i afrohej. Ajo u ul në një skaj të shtratit të tij dhe ia dha puthjen që ai ka kërkoi. E më pas i pëshpëriti: - A e di se të adhuroj? Do të mund të dashurohesha në ty, por tani kjo do të ishte absurde. Edhe pse këto fjalë e frikësuan pa masë, Anita nuk e shfaqi këtë. - Pse do të ishte absurde? - Sepse atëherë do të doja që gjithmonë të ishe afër meje. Ajo i mbylli sytë, e më pas i tha: - Do të doja që ta dëshiroje këtë. Puthjet renditeshin, por fjalë nuk kishte. Anita kuptonte se si binte në rrjetin e disa ndjenjave, të cilat nuk ishin ndjenja të dashurisë, por të njerëzisë. Por, nuk guxonte të mendonte rreth pasojave. E dinte vetëm se në buzët e saj ishin buzët e njeriut i cili kishte nevojë për të, edhe pse ai do të ishte i sigurt edhe pa të. (vijon) 

(Kosova Sot)