Ngjarje e vërtetë: Nga hakmarrja u martua me atë që nuk e donte (4)

  • 21 March 2017 - 18:59
Ngjarje e vërtetë: Nga hakmarrja u martua me atë që nuk e donte (4)

- Paguajeni - tha dhe u kthye në kabinë. Pasi doli, nuk pata si të mos vëreja se ajo nuk e kishte zhveshur fare fustanin e nusërisë, por vetëm e kishte veshur pallton e saj të zezë përmbi. Rrobat që kishte pasur veshur, i mbante në dorë. nKompjuterin nuk e kisha ndezur fare. Nuk dija si t'ia printoja llogarinë, kështu që më lehtë më erdhi t'ia shkruaja një faturë me dorë. Nëna më pas mund ta regjistronte në kompjuter. - Më falni, a mund ta shikoj çmimin? - e pyeta. Ajo e hoqi pallton, unë e mora çmimin, e ajo nxori të hollat nga xhepi i palltos. Derisa e shikoja duke i numëruar paratë, mendova se është e pabesueshme sa shumë janë në gjendje femrat të paguajnë për një fustan koti. Thënë sinqerisht, çmimi i fustanit mu duk tepër i lartë, prandaj derisa ajo fuste rrobat e saja në një qese, shikova shpejt e shpejt çmimet e fustaneve të tjera, të cilat, pak a shumë ishin të njëjta. U ndjeva i lumtur që nuk isha femër e edhe po të isha, kurrë nuk do të jepja aq shumë para për një fustan të cilin do ta veshja vetëm një herë. - Ju faleminderit dhe, me fat - i thash, derisa ajo ishte nisur të dilte. - Nuk do të jetë me fat - më tha ajo, më përshëndeti dhe u largua. Çfarë femre! Me një të tillë edhe unë menjëherë do të martohesha, mendova. Shumë shpejt, për fatin tim të mirë, erdhi koha e mbylljes. Paratë të cilat mi dha femra tepër e bukur, por e panjohur, i mora me vete në shtëpi. Sapo u zgjova të nesërmen, gruaja ma dha telefonin. - Thirre vëllain! - më urdhëroi. m- Pse? - tërësisht e kisha harruar premtimin. - Thuaji që menjëherë të ndalojë me marrëzitë që është duke ia thënë djalit tonë. E dija se çdo diskutim rreth kësaj do të ishte i tepërt, prandaj mora telefonin dhe e thirra vëllain. - Kush po më pengon? - e dëgjova zërin e përgjumur të vëllait. - Shpresoj të të mos kem zgjuar nga gjumi? - Më zgjove, tani - mezi mu përgjigj ai. - Më fal! Nuk desha të të pengoja - kërkova falje unë. - Edhe vet e di se mbrëmë ishim në koncert, më pas në darkë, kështu që rashë vonë. Çka të duhet? - Dua të bisedoj me ty rreth Leonit. - Leonit? Leonit tënd? - u habit ai. - Po, rreth djalit tim. - Mos i ka ndodhur diçka? - Asgjë nuk i ka ndodhur. Mirë është, ende në gjumë - iu përgjigja. - Më thërret kaq herët që të bisedosh rreth djalit tënd, i cili është shëndosh e mirë në gjumë? Behar, ti nuk je normal - më tha ai me zemërim. - Pse i ke thënë që Babadimri nuk ekziston? - ia bëra pyetjen të cilën Fatmirja donte t'ia bëja. - Hej, more! A je i dehur, a çka?! - Nuk jam i dehur. Seriozisht të pyes. Pse ia ke thënë një gjë të tillë? - vazhdova unë. - Sepse kjo është e vërtetë. Ai është ende i vogël, por duhet ta dijë ta dallojë të vërtetën nga përrallat - çdo fjalë që e thoshte, e thoshte me zemërim. - Të lutem, mos i thuaj më gjëra të tilla. Fatmirja dhe unë duam që ai të besojë në mrekulli - thash. - Edhe ti, e edhe gruaja jote, jeni çmendur plotësisht. - Leoni duhet të besojë në bukurinë e jetës, në gëzim, e dhuratat e Vitit të ri këtë edhe e sjellin. - Ma prishe gjumin për shkak të kësaj budallallëku? - Vëllaçko, kjo është serioze - unë vazhdova me fjalët që donte t'i dëgjonte Fatmirja edhe pse më vinte të qeshesha me zë. - A të duhet edhe diçka tjetër? - Jo. - Atëherë më lër të qetë, lëri marrëzitë - më tha dhe e ndërpreu lidhjen. - I dëgjove të gjitha, e çka tha ai, mund ta marrësh me mend, sidomos pasi që ia prisha gjumin - i thash gruas. - Të tillë të dua - mu përgjigj, duke mu afruar dhe duke më puthur. Më erdhi mirë që ajo u gëzua dhe nuk mërzitesha fare që ia prisha gjumin vëllait. Mezi prisja që të shkoja nga dyqani në shtëpi, për t'ia dhënë nënës paratë e fustanit të shitur të nusërisë. - Hej, a ka kush i gjallë në këtë shtëpi, more heeeej? - thirra derisa isha duke u zbathur. - Behar, a je ti? - dëgjova zërin e ngjirur të nënës. - E, kush tjetër do të ishte. Nënë, të kujtohet çka më kishe premtuar sot në mëngjes? - i thash. - Natyrisht, ta premtova një udhëtim, nëse sot, kështu i trullosur sikur që je, do të arrish të fitosh diçka. - Më vjen mirë që nuk harron ende, meqë tani sërish mund t'i bëj gati valixhet - i thash derisa isha duke hyrë në dhomën e ditës. I nxora të hollat dhe i vendosa në tavolinë. - Nënë, këtë nuk do të mund ta bënte as Petriti - u talla unë, duke i fërkuar duart nga kënaqësia dhe krenaria me veten time. - Të lumtë, bir! Nuk mund të besoj. Nuk do të më vijë keq të ta paguaj atë udhëtim. Gjithmonëë e kam ditur se ti vyen diçka. Më trego, m'i thuaj të gjitha - fytyra e nënës shkëlqente nga gëzimi. - Erdhi në sallon një femër e çuditshme. Dukej për mrekulli edhe pse me pamje të çrregullt. Nuk mërzitej fare se cilin fustan të nusërisë do ta blinte. Mund të paramendosh, kërkoi nga unë që, si ekspert, t'ia rekomandoja ndonjë. Dhe, ç'të bëja? Ia rekomandova një dhe atë edhe e bleu. - ia shpjegova në vija të shkurtra.(vijon) 

(Kosova Sot)