Roman dashurie: Punë fati (21)

  • 23 March 2017 - 12:53
Roman dashurie: Punë fati (21)

- Desha të të lusja diçka, engjëllushë. - Më thuaj! - Do të doja të shkoje në shtëpinë time. Aty është vëllai im, Miloti, të kam folur për të. Ajo pohoi me kokë, duke kujtuar atë që i kishte thënë ai rreth vëllait tri vjet më të vjetër të Çunit, i cili ishte piktor, paksa i çuditshëm dhe ekscentrik, i cili kur kishte pasur njëzet vjet kishte shkuar në bregdet, kishte hapur një kafene dhe rrallë e vizitonte Çunin. - Paska ardhur dje, gjë që më befasoi pa masë, meqë jam i sigurt se asgjë, me përjashtim të varrimit tim, nuk do të mund ta nxirrte nga bota e tij e çuditshme. Por, si duket edhe ai u prek nga plagosja ime dhe vendosi të vinte. Më tha se ka ardhur me të vetmin qëllim, që të rrijë me mua, meqë ndokush mund të tentojë të më vrasë përsëri. Ishte e kotë që i thash se kjo gjë tanimë ka mbaruar dhe se jam i sigurt se armiqtë e mi tanimë kishin bërë atë që kishin dashur. Nuk besoj se do të tentojnë diçka të ngjashme, të paktën jo kundër meje. - Unë e kuptoj. Vëlla e ke. Ai dëshiron të të mbrojë. Çuni buzëqeshi dhe bëri me kokë. - Nuk e njeh Milotin ti. Ai është i çuditshëm. Nesër mund t'i teket që të largohet, meqë nuk pajtohet me ndonjë qëndrim tim politik dhe mund të mos mërzitet fare për sigurinë time. Nuk e di, nuk e njoh, edhe pse e kam vëlla të vetëm. Sikur të jemi nga dy bota të ndryshme. Por, të lutem, shko atje. I tregova për ty, i thashë se të kam të dashur. Anita për disa çaste u ndie keq. Nuk ndihej si e dashura e Çunit, e në anën tjetër, kjo ishte hera e parë që ai e paraqiti ashtu, duke ia ndarë këtë rol në jetën e tij. - Mirë, do të shkoj. Vetëm më trego çka duhet të bëj? - Ndihmoji që të gjendet. Dilni në darkë. Përkujdesu pak për të. Nuk dua që ai të jetë vetëm. Ai urren qytetet e mëdha, e unë do të doja që ai, të paktën disa ditë, të qëndronte këtu. Vëlla e kam dhe më mungon shoqëria e tij. Vetëm tani, kur kam përjetuar diçka që ishte aq afër vdekjes, fillova të mendoj se sa të rëndësishëm janë njerëzit. Dhe, do të më vinte keq sikur të vdisja, pa e njohur vëllain tim sa duhet. Ajo e kuptoi. Ia kapi dorën me lehtësi. - Mos u shqetëso. Do të mundohem që edhe ai ta kuptojë këtë. - Anita, nuk do të jetë lehtë. Më duhet të tregoj se ai... nuk është aq i këndshëm. Nuk është i sjellshëm, e as xhentëlmen. Është goxha i pasjellshëm. - Mos u mërzit fare! - Duro gjatë këtyre dhjetë ditëve. Kjo ka rëndësi të madhe për mua. Ajo buzëqeshi. Tani e kishte edhe një obligim më shumë, por ngadalë kishte filluar të pajtohej me faktin se, për momentin, Çuni ishte prioriteti i saj numër një. (vijon)

(Kosova Sot)