Ngjarje e vërtetë: Përfundimisht edhe mua më buzëqeshi fati (1)

  • 19 April 2017 - 13:42
Ngjarje e vërtetë: Përfundimisht edhe mua më buzëqeshi fati (1)

Prej se di për veten time, pamja në pasqyrë më shkakton ankth, prandaj thuajse gjithmonë rri me syza të errëta. Sidomos kur para vetes kam një mashkull i cili do të mund të merrej pa problem me modelim në pistat më të njohura të modës. E, i tillë ishte Dini. Në të u dashurova në shikim të parë, meqë ishte mishërim i ëndrrave të mia: i gjatë, me trup vital, me ndërtim të mirë trupor, me muskuj të fortë. Por, përvoja më thoshte që femra si unë duhet të ikin nga meshkujt e bukur, meqë bashkë me ta, në pako, vijnë edhe vuajtjet. Për këtë shkak heshtja dhe, prapa xhamave të errët të syzeve të mia, e shikoja tërthorazi. Për befasinë time, ai e filloi bisedën me mua, madje pa atë buzëqeshjen e përzier me keqardhje, me të cilën isha mësuar. A kishte mundësi që dashuria të trokiste edhe në derën time? Ishim njohur gjatë vizitës te doktori i syve, të dy rrinim në sallën e pritjes, duke pritur të na thërrisnin. Kur m'u drejtua, në fillim e shikova me habi, e më pas murmurita diçka, e habitur. Në zërin tim hetohej frika dhe nervoza. Meshkujve të bukur ua kisha frikën, por në të njëjtën kohë edhe çmendesha pas tyre. Frika ime kishte një arsye. Nuk ishte kjo hera e parë që dikush luante me mua. Një grua paksa më e moshuar më shikonte dhe buzëqeshi, sikur donte të më thoshte se as doktori i syve, e as mashkulli i bukur, nuk janë të tmerrshëm. Vetëm përpara! Duke iu falënderuar asaj, me të vërtetë mora fuqi dhe u lëshova në bisedë me Dinin. - Sa herë që më duhet ta mat shtypjen e syve, rrëqethem nga koka deri te këmbët. Nuk më pëlqen kur me atë instrumentin më frynë drejt në sy - thashë. - Edhe unë frikësohem, por mundohem ta fsheh frikën - buzëqeshi ai. Spontaniteti në zërin e tij më trimëroi edhe më shumë. Nuk vërejta se ai, për shkak të pamjes së tij, të sillej me superioritet, apo me mendjemadhësi. Ishte i relaksuar dhe bisedonte me mua sikur të njiheshim tërë jetën. - Shikoje këtë zonjën! Sikur të mundja edhe unë të isha kaq i qetë - më pëshpëriti. - ME të vërtetë është qesharake që ne të dy, më të rinj, të kemi frikë nga hyrja në ordinancë. Do të duhej të ishte e kundërta! - u përgjigja. Mendova sesi kjo zonjë me gjasë ka dikë afër të cilit ndihet e sigurt, prandaj edhe nuk ka frikë nga asgjë. ME gjasë gjatë tërë jetës ka qenë e dashur nga të tjerët dhe kurrë nuk ka pasur kurrfarë kompleksesh. Për dallim prej meje, që për shkak të vëngërisë që kisha, gjithmonë kisha qenë objekt i talljeve. Edhe mua më adhuronin prindërit e mi, duke e ngushëlluar njëri tjetrin se, herët a vonë, do të gjendej ilaç edhe për vëngërinë time. Vit pas viti ndërroja shiritat ngjitës në xhamat e trashë të syzeve, shkoja nëpër spitale në vend dhe jashtë vendit, por ilaç dhe shërim nuk kishte. Më saktë- sisht, kishte, por operacionet asokohe ishin shumë të rrezikshme, prandaj prindërit e mi nuk pranonin t'i nënshkruanin ato. Por, rreth 13 vjet më vonë, lindi një shpresë e madhe. Problemi im përfundimisht mund të zgjidhej. Edhe atë me laser, pa brisk. Dini dhe unë vazhduam të bisedonim, kur në ordinancë e thirrën atë zonjën. Ajo u ngrit dhe, qetë- qetë hyri brenda. - Nga çka vuani? - e pyeta. - Çdo gjashtë muaj bëj një vizitë sistematike, e kjo nënkupton edhe vizitën te doktori i syve. Në moshën time kjo është e domosdoshme, kështu që jam mësuar - më tha. Nuk vonoi, e zonja doli nga ordinanca duke buzëqeshur, e Dini hyri brenda. Mbeta vetëm. Mora njëfarë reviste për femra dhe fillove ta shfletoja, por mendoja për Dinin. Ai më pëlqeu menjëherë. Ishte i hapur, i këndshëm dhe i gëzuar. Zakonisht bukuroshët e tillë as që më shikonin, e lëre më të bisedonin me mua. Edhe në rastet kur flisnin me mua, këtë e bënin nga mërzia, sa për të kaluar koha. Me disa fjalë të ngrohta të cilat mi drejtoi Dini, arriti që të ndihesha femërore, e dëshiruar edhe pse e dija se kjo ishte larg të së vërtetës. Megjithatë, i isha falënderuese për vetëbesimin, të cilin edhe pse pak, e përjetova edhe unë. A do të ma kërkojë numrin e telefonit pasi të dilte? E, çka do të bënte një bukurosh i tillë me një femër si unë?, mendoja dhe përsëri pikëllohesha. Doja të mbizotëroja frikët e mia, ta ftoja që, pas vizitës mjekësore, të bisedonim në ndonjë kafene. Por, e vërteta e ashpër ishte më e fortë se ëndrrat e mia. Dini nuk ishte për mua. Edhe sikur të pranonte ta pinim një kafe së bashku, në mua përsëri do të lindte pasiguria, mërzia, gjë që aspak nuk më duhej, mendoja. (vijon)

(Kosova Sot)