Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (4)

  • 20 April 2017 - 11:48
Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (4)

- Nga e di se nuk jam shoferi i asaj “Fieste” të mjerë? Ai u kthye, e në fytyrë kishte buzëqeshjen për të cilën me të nuk do të mund të hidhërohej askush edhe sikur t’ia shante nënën. - Ti? Nuk e besoj. Ajo përparëse më shumë më thotë se ti më së miri vozit fultere nëpër kuzhinë. Kjo e ofendoi Luljetën, prandaj e shikoi vëngër. - Ndoshta përshtypjet tua nuk janë të drejta. Fakti që kam përparëse, nuk d.m.th. se nuk jam në gjendje ta vozis automobilin. - Mund të bëj be se ti nuk ke as patentë shoferi. - Shihe, ti! - Po, po, jam i sigurt se as që ke hyrë ndonjëherë në provim dhe se je një qyqare e tillë, që nuk ulesh në automobil me persona të panjohur. Ai e lexonte sikur të ishte libër i hapur. Edhe pse e dinte se gjithçka që ai thoshte me hamendje rreth saj ishte e vërtetë, diçka fëmijërore në të nuk e lejonte që atë edhe ta pranonte. - E pa, nuk është e vërtetë! Do të duhej t’i analizoje aftësitë tua telepatike, që t’i lexosh njerëzit që i sheh për herë të parë. Gjithçka që the rreth meje, e the gabim. - Nuk është e vërtetë. Hajt, ama patentë shoferin të ta shoh! - Pse, more!? Mos je ti polic i trafikut, apo mos jemi në rrugë këtu, që të më legjitimosh. I riu buzëqeshi, duke zgjeruar gojën vesh më vesh. - Ja pra, nuk ke patentë shofer. - E kam! - Hajde, të lidhemi me kusht? Nëse e ke, atij njeriu që ia kam shfryrë gomat, do t’ia blej të reja, e nëse nuk e ke, atëherë do të të duhet që të më bësh ëmbëlsira me kumbulla, të cilat do të t’i sjell, e nesër, pasnesër, do të vijë me krenari për t’i marrë ëmbëlsirat. Ajo u skuq. Ky bast dukej krejt i marrë. - Nuk dua të vë bast me ty. - Pse? Mos më thuaj, nuk di të bësh ëmbëlsira me kumbulla? - Di. Por, të thash, nuk dua të lidhem me kusht me ty. - Po shoh unë sa shumë po mërzitesh. Mezi pret që ndonjë fqinje të të trokasë në derë, në mënyrë që të të kalojë koha më shpejt. Por, unë nuk jam nga lagjja, unë këtu gjendem rastësisht, e shkarazi, në parking pash se një gomar ma ka zënë rrugën me një “Ford” tash e dy orë, duke mos kuptuar se ia ka bllokuar rrugën dikujt. Ani, inxhe, ditën e mirë! Inxhe??? Lulja u zbeh. Ishte e vërtetë se ai ishte më i ri se ajo, por me 32 vitet e saj, ajo nuk meritonte aspak që ndokush ta thërriste inxhe. Sidomos jo një djalosh i panjohur, me sharm të çuditshëm. - Në rregull. Do të t’i bëj ëmbëlsirat tua me kumbulla! Kjo e ktheu atë mbrapshtë nga maja e shkallëve. - Njëmend? - Po, po. Nesër do të t’i bëj. Ti hajde e merri. Por, merre enën tënde. Enën time nuk mund të ta jap. - Nëse nuk do të mund të vij nesër, a bën të vi pasnesër? - Kur të duash. Dhe, ta dish, atë “Fiesta” e vozit një njeri nga kati i dhjetë. - Në këtë ndërtesë? - Po./vijon/

(Kosova Sot)