Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (6)

  • 23 April 2017 - 09:34
Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (6)

E ai nuk erdhi, me gjasë për shkak se kishte harruar tanimë që ekzistonte ajo. ajo zemërohej me vetveten pse kishte bërë gjithçka kot së koti. Sapo deshi që të bënte dush, për ta larë turpin që ndjente, kur cingëroi telefoni. Ishte Shpresa. - E dashur, sapo më dështoi një përpjekje flirti në lagjen tënde, prandaj dua të vij të të shoh. - Natyrisht! Të pres! - Do të jem aty për pesë minuta. Qite kafen! Lulja nuk pati kohë që ta prishte pamjen e saj të re, meqë Shpresa me të vërtetë shkoi te ajo pas pesë minutash. Kjo nuk mund ta habiste askënd, sepse ajo voziste si e marrë dhe kurrë nuk vonohej. Kur ajo e pa shoqen me atë pamje artificiale, filloi të kërcente nëpër dhomë, duke pasur kujdes që të mos rrëzohej. - Diçka po ndodhë! Diçka po ndodhë! Lulja ka të dashur! - Çka po thua marrëzira të tilla, mori? Ulu aty dhe mos kërce si top, më merren mendtë nga ti. Lulja u skuq, por ia doli ta fshehte këtë. edhe pse Shpresa filloi të insistonte se për kë ishte rregulluar ashtu, Lulja e evitonte përgjigjen. - Vetëm desha të shihja si më rrinë këto rroba. - Po më rren... por, nejse. Mua, shoqes tënde më të mirë, nuk ia thua të vërtetën? - Të vërtetën ta them. Nuk ka kjo të bëj me asnjë mashkull. A po më sheh? Jam fillikat vetëm në shtëpi. - Mund të ketë qenë ndokush para meje? Fatkeqësisht ti je aq e pastër dhe e vyeshme, sa që nuk ka asnjë gjurmë që do të të tradhtonte. Nuk ka gota të palara, çarçafë të papastër e të bërë duq. Por, nuk ka rëndësi. Vetëm ta dish se dukesh për mrekulli. - Jo, more, çfarë?! Edhe mua vetë vetja ime më duket qesharake. - Të duket sepse nuk je mësuar. Unë shoh se je tepër e bukur. mjaft më me veshjen tënde "normale". Thjesht, ajo më nuk është interesante. Oh, prit, prit sa t'iu tregoj shoqeve se çfarë transformimi paske përjetuar. - Mos, të lutem! Ti e di se ato do të tallen me mua pastaj, e disa të tjera do të më mbysin duke më bërë pyetje. Sikur të kisha diçka të re t'ua thosha, por nuk kam. Edhe ashtu vetëm më lindi dëshira që të ndreqesha. Nesër nuk do të jem kështu. Por, më trego ti për flirtin tënd të dështuar, mos e ndërro temën! - Uh, mos më pyet! E njeh atë kolegun që u largua nga firma, pasi që hapi një dyqan të vetin? E, bash me të u takova... Kështu Luljeta e bëri shoqen që të fliste për veten, që të mundej përfundimisht të merrte frymë lirshëm dhe ta ruante sekretin e pamjes së saj dhe të turpit, vetëm për vete. (vijon)

(Kosova Sot)