Ngjarje e vërtetë: Përfundimisht edhe mua më buzëqeshi fati (2)

  • 24 April 2017 - 15:00
Ngjarje e vërtetë: Përfundimisht edhe mua më buzëqeshi fati (2)

Qysh si vajzë luftova ne ofendime, me turpin për shkak të syve të mi. E ngushëlloja veten, duke thënë se me kalimin e viteve mjekësia do të përparojë, e unë më në fund do të shëtis nëpër qytet pa syze. Koha po kalonte, e unë ende isha me sy të shtrembër. Prindërit më inkurajonin, duke më thënë se një ditë do të paraqitet zgjidhja, dhe se unë do të shkëlqej sikur vajzat e tjera. - Disa vajza janë të bukura, kur janë të reja, tjerat shkëlqejnë më vonë. Nuk ke pse të brengosesh - më ngushëllonte nëna. Për fat të keq, fjalët e saj kurrë nuk u realizuan. Mbeta me sy të shtrembër dhe për shkak të kësaj isha shumë e pikëlluar. Natyrisht djemtë as që më shkonin. Shpesh argëtoheshim me tallje në llogari të dukjes sime. Edhe shoqet më pranoni në shoqëri vetëm kur kishin nevojë për ngushëllim. Çdokush në atë moshë ëndërron për një të dashur të bukur me të cilin do të mburret para të tjerëve, ndërsa e tillë, nuk jam vajzë e ëndrrave të askujt. Madje as shoqe, me të cilën dikush do të shëtiste pa turp nëpër qytet. Kështu është edhe sot. Edhe pse jam një prej kompjuteristeve më të mira në kompani, fitoj mirë dhe para pak kohësh kam dalë në banesë timen, ende jam e vetmuar. E bleva banesën, e pajisa në mënyrë moderne, kam edhe veturë të mirë, por çfarë më duhen kur nuk kam me kë t'i ndaj. E siç qëndrojnë gjërat, nuk pritet ndonjë ndryshim. Ende isha ulur në dhomën e pritjes dhe mendoja për dashuritë e dështuara. M'u desh një kohë e gjatë që të vij në vete nga zhgënjimi im i parë. Atë ditë kur Toni më ftoi që të dalim, e dija që e kishte ndërprerë lidhjen me Dianën dhe në mënyrë naive mendova se kam ndonjë shans. As që më binte në mend se do të më shfrytëzojë mua vetëm për ta bërë atë xheloze, dhe se më vonë do të argëtohej me shokët e tij, duke u tallur në llogarinë time. Shkuam në kinema, e më pas për pije, ndërsa Toni tërë kohën ankohej për mendjemadhësinë e saj. - Gjithmonë, çdo gjë duhet të jetë ashtu si dëshiron ajo. Kurrë nuk më ka pyetur se ku do të dëshiroja që të dalim, çfarë të bëjmë. Kur i thashë se mendon vetëm për vete ajo u nda nga unë - tha ai. Më vinte keq për të, sepse më dukej i pikëlluar. Por përshtypja ndonjëherë edhe mashtron, e kuptova këtë menjëherë pasi që e pyeta pse më ka ftuar që të dalim. Përgjigjja e tij ma ngriu gjakun në damarë dhe për vitet të tëra pas kësaj as që kam menduar, e lëre më të nis ndonjë lidhje. - Në fakt më intereson se disi do të reagojë Diana, kur të dëgjojë me kë e kam zëvendësuar - më tha duke qeshur, ndërsa unë, po të mundja, do të hyja nën tokë nga turpi. Të nesërmen e tërë shkolla fliste për takimin tim dhe dëshirën që të jem me Tonin. Por, ai e arriti qëllimin e tij. Diana me të vërtetë u tregua xheloze dhe qysh të nesërmen ata u pajtuan. Kalonin pranë meje të përqafuar, e unë mendoja se nuk do ta mbijetoj atë turp. Një javë e tërë shkolla foli vetëm për mua. Deri në fund të shkollës së mesme as që e kam shikuar ndonjë djalë. U mbylla në vete dhe iu përkushtova mësimit. Isha shumë e pikëlluar sepse nuk i përjetova problemet e para të dashurisë që i kishin shoqet e mia në atë moshë. Nuk kisha ndier as emocionim, e as kënaqësinë e puthjes së parë. Për një kohë të gjatë askush nuk u interesua për mua. Pas përfundimit të shkollës fillova ta studioj informatikën. Në mesin e kolegëve të rinj bëra edhe shokë, por e zhgënjyer në meshkuj as që prisja raporte më ndryshe sesa ato të shkollës së mesme. Ato syzet e mia të trasha ishin problem i madh, edhe pse kurrë nuk e kisha thënë një gjë të tillë. Në studim u njoftova me Vetonin, një djalë që ishte paksa i plotë. Gjithmonë rrinte vetëm, e kur më buzëqeshi, shpresova se do të bëhemi një çift. Pas përvojës me Jetonin, që më mbeti thellë në kujtesë, Vetoni ishte i pari, me të cilin kam dalë. Shpresoja për emocione, dëshiroja që më në fund të më kthehen, por lidhja jonë mbeti miqësore. Vetoni dëshironte që të shoqërohej me mua, të bisedojë për fakultetin, por kjo ishte e tëra. Pas tre muajsh, në një aheng dhe pas një sasie të madhe të alkoolit, i tregova se çfarë më mundon: - Je shumë më i rëndësishëm për mua sesa kolegët e tjerë nga fakulteti. A ka gjasa që shoqëria jonë të kalojë në një lidhje dashurie? - Nuk dëshiroj të të lëndoj dhe më mirë është që të ta them këtë. Kam dëshirë që të jem me ty, por vetëm si shoqe - u përgjigj. /Vijon/

(Kosova Sot)