Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (11)

  • 19 May 2017 - 15:08
Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (11)

Derisa u ul në autobus, i pati dy thirrje pa përgjigje, që të dyja nga numri për të cilin tanimë e dinte se ishte i Ilirit. I bëri ballë tundimit dhe nuk e hapi telefonin. Atë mbrëmje e kaloi në rreth familjar. U kënaq sërish në shtëpinë e familjes së saj, me qenin e shtëpisë, thuajse e harroi krejtësisht Ilirin. Ndihej krenare me veten e saj që kishte bërë hapin e parë dhe kishte udhëtuar. Të nesërmen i thirri shoqet e shkollës, të cilat menjëherë vendosën që ta merrnin e të shkonin bashkë në diskotekë, e të vallëzonin deri në alivanosje. Vajzat e periferisë kishin një përparësi ndaj atyre të kryeqytetit. Meqë jetonin në një vend të vogël, ku menjëherë merrej vesh gjithçka që mundohej të fshihej, ato ishin të detyruara që t'iu bënin ballë shumë sfidave, por për këtë shkak ishin "të shfrenuara" për të gjitha gjërat e tjera për të cilat të tjerët nuk kishin ç't'u thoshin. Ashtu ishin të shfrenuara edhe në vallëzim. Ashtu sikur që shoqet e Luljetës në kryeqytet mund të bënin be se ajo nuk di të vallëzojë dhe nuk e pëlqen vallëzimin, po ashtu shoqet e saj në vendlindje ishin të bindura se asaj i pëlqente ta dridhte belin dhe se ishte zor ta mbaje të qetë në diskotekë.

Edhe pse disa prej tyre ishin të martuara dhe kishin fëmijë, ato nuk iu qanë Luljetës për problemet e veta, meqë më shumë iu interesonte çka ndodhte në kryeqytet dhe çfarë "bandillësh" ishin aktualë atje. E Luljetës nuk i mbetej tjetër, pos të imagjinonte, në mënyrë që të mos i zhgënjente. Vallëzonte pa pushim, bile edhe atëherë kur shoqet e saj vendosën të pushonin paksa dhe të vendoseshin në separenë përkundër podiumit. Në mesin e njëzetvjeçarëve Luljeta nuk ndihej as e marrë, e as plakë, bile disa të rinj i vardiseshin dhe ia kërkonin numrin e telefonit. Por, më pas, rreth orës 2 pas mesnate, në mesin e të rinjve që hynë në diskotekë, iu duk se pa një fytyrë të njohur. Edhe pse mundohej që ta bindte veten se, me gjasë, i kishin bërë sytë, megjithatë nuk mund të durohej pa e lypë atë person në tërë diskotekën.

Djemtë u ulën në separenë e cila ishte më e errëta, kështu që iu desh të hiqte dorë nga kërkimi. Vazhdoi që të luante, duke harruar gjithçka, përpos muzikës. Mezi e morën shoqet nga podiumi kur erdhi koha për të shkuar në shtëpi. I buzëqeshej derisa ecnin rrugëve dhe i kujtoheshin disa gjëra qesharake të cilat i kishin përjetuar së bashku. Një nga një ndaheshin dhe niseshin në drejtim të shtëpive të veta, e meqë shtëpia e Lules ishte e fundit, i mbeti që rreth gjysmë kilometri ta bënte vetëm. Nuk frikësohej, meqë njihte çdo qoshk të asaj qyteze të vogël. Merrte frymë me tërë mushkëritë, falë freskisë që kishte sjellë pranvera dhe filluan t'i ktheheshin disa kujtime të cilat dikur moti i kishte përjetuar si vajzë e re, kur as që ia kishte marrë mendja që, në moshën 32 vjeçare, do të jetonte tërësisht vetëm, në njëfarë mënyre e izoluar nga bota, si një lloj eremiti. (vijon) 

(Kosova Sot)