Ngjarje e vërtetë:Për të isha vetëm një trofe (5)

  • 19 May 2017 - 17:14
Ngjarje e vërtetë:Për të isha vetëm një trofe (5)

E shtuna nisi me mot me diell. Ia vlente që të shfrytëzohet para përkeqësimit të motit. Prita që të kalojë ora nëntë për ta thirrur Armendin dhe për t'i treguar se çfarë më kishte ndodhur dje. Por, kur e mora telefonin, e pashë porosinë nga Deliu: Faleminderit për pasditen e mrekullueshme. Kur mund të merrem me riparimin e biçikletës? Ky është fat. Ai më pyet mua kur mund të ma riparojë biçikletën, e as që e përmend dëmin në veturën e tij. Kavalier, por nuk mund të lejoj që kjo të kalojë kështu. Armendi nuk ishte i disponuar aq shumë për bisedë kur e thirra. Duket se ishte i pakënaqur me mbrëmjen e shkuar.

E hetova në bazë të zërit se nuk ishte momenti i duhur që t'i tregoj se çfarë më kishte ndodhur, por nuk munda as të mos i tregoj. - Dje kam pasur një aksident me biçikleta. E godita një veturë. Ka edhe dëme - fillova e pasigurt. - Si po mendon e godite? Mos të ka goditur vetura ty, e jo ti atë? - Jo, unë u përplasa në të. Ishte e parkuar. - Me siguri ndonjë budalla e ka parkuar keq. Ku ndodhi aksidenti? - Nuk ka rëndësi, unë jam fajtore. E humba ekuilibrin dhe ia godita retrovizorin, pasqyra u thye, e nuk jam e sigurt as që biçikleta nuk është e dëmtuar. - Ti me të vërtetë je e pabesueshme! Si ia ke dalë që ta bësh këtë në përpjekjen e parë. Shpresoj që çiklizmi të mos jetë më një interesim i yti. Por, me dëmin në veturë, mos u dorëzo lehtë. A është bërë procesverbali? Shpresoj që ai tani nuk do ta kërkojë riparimin e tërë veturës për shkak të një retrovizori. Çfarë veture ishte? Shpresoj të mos jetë e shtrenjtë. - Nuk e di, vetëm e di që është e kaltër dhe jo e madhe - isha e hutuar - e ai njeriu është në rregull, më ndihmoi më pas rreth biçikletës dhe më përcolli në shtëpi. - Çfarë ka mundur t'i ndodhë biçikletës? Ndoshta nuk e ke shkatërruar të tërën? - Jo, jo, vetëm timoni është shtrembëruar paksa, Deliu tha se do ta rregullojë sot atë. - E kush është Deliu? Mjeshtri? Ke kujdes, biçikleta është e shtrenjtë. Mos e lejo gjithkënd që të mjeshtërojë në të. Nuk e kam shikuar faturën, por mund të ketë ndonjë garanci. - Jo, Deliu është njeriu në veturën e të cilit u përplasa. Është shumë i këndshëm. - Lëre ti atë i këndshëm, do ta shohësh se sa i këndshëm është kur do të ta sjellë faturën për dëmin në veturë. Ke kujdes dhe mos u lësho në biseda miqësore. Nëse duhet të riparohet vetura do ta dërgojmë te mjeshtrit tanë. - Nuk ke të drejtë, ai nuk është një tip i tillë. E kam fqinj, është djalë i këndshëm, nuk ka gjasa që të sillet ashtu. Biseda me Armendin më pikëlloi. E di që në gjëra të tilla ka më shumë përvojë se unë, por pse të gjithë njerëzit i konsideron si mashtrues? Ekzistojnë në këtë botë edhe njerëz të ndershëm. Kisha nevojë që ta mbroj Deliun me të gjitha argumentet e mundshme, por nuk ma dha një mundësi për një gjë të tillë. Iu desh që ta përfundojë bisedën, sepse ngutej.

Dita e tij ishte e planifikuar deri në minutën e fundit. nuk ka kohë për biseda të panevojshme. Mirë, nëse biseda ka qenë e panevojshme, por shëndeti im nuk duhet t'i takonte asaj kategorie. Më pyeti nëse jam lënduar dhe asgjë tjetër. Është e vërtetë që nuk jam ndonjë viktimë e madhe, por ai këtë nuk e di, e si duket as që është i interesuar që ta dijë. Më shumë i intereson që dikush të mos marrë para nga unë sesa fakti se si ndjehem. Kjo më bëri që të ndjehem keq, e pikëlluar dhe e zhgënjyer. Disponimin ma përmirësoi Deliu. Pasi që më lajmëroi më parë me telefon, erdhi me rroba të punës, duke e bartur një çantë me vegla. - Tani do ta shohim se çfarë duhet riparuar. Nuk është kjo asgjë për një mjeshtër si unë - tha duke qeshur. Kur e përfundoi përgatita kafe. Derisa po pinim, u morëm vesh që të shkojmë së bashku për ta provuar biçikletën. Edhe ai e kishte një biçikletë dhe u morëm vesh që të dalim së bashku. Natyrisht në një vend që nuk është i rrezikshëm për njerëzit dhe veturat e parkuara. Kësaj radhe isha më e suksesshme. Ishte një përvojë shumë e mirë. Kujtimi në fëmijërinë time më la të kënaqur. U kthyem të lumtur dhe të mbushur me frymë. /Vijon/

(Kosova Sot)