Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm një trofe (6)

  • 21 May 2017 - 13:57
Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm një trofe (6)

- E, ku do të shkojmë sonte? - ishte pyetja e Deliut. Ai e bëri këtë pyetje si për shaka, por edhe atij i erdhi rëndë më pas. Atij, që e bëri atë pyetje, e mua që fillova të arsyetohesha. Marrëzi! Pse duhej t'i arsyetohesha dikujt që e kisha njohur dje? Por, derisa rrija me njerëzit me të cilët nuk kisha asgjë të përbashkët dhe tregimet e të cilëve nuk më interesonin aspak, pyesja veten se çka isha duke bërë aty. E plotësoja imazhin e Armendit si biznesmen të suksesshëm? Këtë do të mund ta bënte edhe sekretarja e tij! Bile, shumë më mirë se unë. Vazhdimisht e pyesja veten a kishte për të rëndësi që unë të isha me të atë mbrëmje, apo do të mund të më zëvendësonte secila femër me pamje të përshtatshme me kriteret e tij. Duke u kthyer në shtëpi, doja t'i largoja mendimet e këqija, duke biseduar vetëm për ne të dy. I propozova që të shëtisnim pak, të marrim ajër të pastër. Por, ai refuzoi menjëherë: - Shpresoj që nuk e ke seriozisht? A nuk e sheh se moti është duke u prishur. Dhe, a duhet që pas një darke aq të suksesshme, të bisedojmë për ne?! Të lutem, mos ma prish disponimin. - Jo, jo. Disponimin e prishe vetë. Fundja, unë nuk doja të flisja asgjë për punë, por për ne. - Rreth nesh? E çka ka aty të thuhet? - As unë nuk e di me saktësi, thjesht do të doja që pak më shumë të jemi bashkë, të jemi më të afërt. - Me të vërtetë nuk e di çka të ka gjetur. A nuk ishim bashkë tërë mbrëmjen? Sillesh si vajzë e llastuar.

Doje biçikletë, e bleve, por menjëherë e prishe. Tani do të doje të shëtisim nëpër shi. Mendoj se je duke e tepruar. Po të çoj në shtëpi. Fli mirë dhe qartësoji disa gjëra në kokën tënde. Me qindra femra do të ishin tepër të lumtura po të ishin në vendin tënd, e ti vazhdimisht ankohesh. Mos dëshiron ta përshpejtosh martesën tonë? Mirë e di se tani kam punë më urgjente. - Me qindra femra? Çka dëshiron të më thuash me këtë? Unë nuk e di sa meshkuj do të donin të ishin në vendin tënd dhe as që më intereson. Mua më intereson vetëm një, i cili do të kishte kohë edhe për shëtitje me biçikletë edhe për shëtitje në shi edhe për bisedë në çdo pjesë të ditës. Më nuk munda ta thosha as edhe një fjalë të vetme. Në heshtje dola nga vetura duke përplasur derën. Nuk më mori gjumi një kohë të gjatë. Sillesha e pështillesha, duke analizuar çdo fjalë të tij. Unë, d.m.th., do të duhej të isha e lumtur që ai më merr me vete, si një trofe gjuetie, duke mos më pyetur kurrë se si ndihesha. E diela agoi më keq se e shtuna. Shiu u shndërrua në borë. Ishte një kohë kur zakonisht nuk dilet në shëtitje. Por, mua më pëlqente. Duhej që të prishej moti jashtë, për të më qetësuar mua, përbrenda. Sikur të mos kishte aq borë, do të mund të dilja edhe me biçikletë.

Por, kush thotë se nuk mund të dilet me biçikletë në këtë kohë? Marrëzia ime me të vërtetë nuk kishte fund. Sapo dola me biçikletë jashtë dhe bëra metrat e para, në xhep më cingëroi celulari. Doja që të ishte Armendi, jo për të më kërkuar falje për mbrëmë, por që të mund ta çoja në dreq të mallkuar. Ja, nuk më duhej as ai, e as shoqëria e tij. Për fat të keq, nuk ishte ai. Ishte një numër i panjohur, por zërin e njoha menjëherë. - Alo, a më mashtrojnë sytë, a po e shoh dikë me biçikletë nëpër borë? - Jo, nuk të mashtrojnë. Dhe, sikur që mund të shohësh, nuk e kam goditur ende asnjë auto, dru a semafor. - Por, kush të garanton se nuk do ta godasësh më vonë? Më prit, do të vijë menjëherë. Çka mund të prisja tjetër?

Askush me mend nuk do të dilte me biçikletë në atë mot. Por, këtë e kisha bërë për të ikur nga mendimet dhe bota në të cilën gjendesha muajt e fundit. Ishte kjo një vozitje për t'u kthyer në një botë më të afërt. Shkonim udhëve të zbrazura të biçikletave dhe qeshnim me marrëzinë tonë. Po, ajo vozitje nuk ishte aq komode, por për këtë shkak, ndjenja ishte tepër e veçantë. Më pas pimë çaj dhe biseduam. Për çka? Për gjithçka. Më pas shikuam një komedi në TV dhe qeshëm me lot. Armendi më thirri vetëm kah pasditja. Më pyeti a dëshiroja të dilnim, apo të darkonim në shtëpi, te unë, apo te ai. I thash jo, asnjërën variant. Nuk doja. Ftohtësia sikur mi kishte ngrirë ndjenjat ndaj tij.

E, ngrohtësia që më kishte kthyer në jetë ishte aq e këndshme, saqë nuk doja as për një milimetër ta zvogëloja. U habit nga sjellja ime, por pata ndjenjën sikur nuk u mërzit shumë që nuk do të shiheshim deri të mërkurën. Të hënën dhe të martën kishte shumë obligime. Kur erdhi e mërkura, as që kishte nevojë të vinte. Unë kisha plane të tjera. Dhe, ja. Kështu mori fund çdo gjë. Mendoja se ishte me vend t'ia ktheja biçikletën e shtrenjtë. Ai e refuzoi. U bë xhentëlmen. Për të, ajo ishte një imtësi me të cilën nuk do të dinte çka të bënte. Kushedi a do të kishte shoqëruesja e tij e ardhshme dëshirë për një aktivitet të tillë. FUND

(Kosova Sot)