Ngjarje e vërtetë: Më mashtronte me këdo, por unë vazhdoja t'i besoja (3)

  • 27 May 2017 - 12:23
Ngjarje e vërtetë: Më mashtronte me këdo, por unë vazhdoja t'i besoja (3)

Sapo isha duke shkuar në banjë, kur dëgjova hapjen e derës kryesore. Më pas dëgjova Samiren, duke më përshëndetur. - Tung, vogëlushe. Jam tepër e lodhur. A mund të ma bësh një kafe? - më tha ajo me zë të lartë nga korridori. Vetëm edhe kjo më duhej. Tani do të më duhet t'i arsyetohem kësaj - mendova derisa disponimi tërë- sisht m'u prish. - Hej, motërz, shpresoj të jesh mirë. A bisedove me Orhanin? - më pyeti pak më vonë. Edhe pse më me dëshirë do t'ia thosha troç se ajo nuk ishte gjësend tjetër, pos një intrigante, e cila fut hundët aty ku nuk duhet, disi ia dola të përmbahesha. - Natyrisht se jam mirë - i thashë me zemërim. - Edhe? Si reagoi ai ndaj asaj që i the? Me siguri sikur qyqari më i madh, gjë që edhe është, është munduar që të nxirret në të gjitha mënyrat e mundshme - shtoi me një buzëqeshje sarkastike.- Eh, sikur të mund t'ia shihja fytyrën, kur kuptoi se i erdhi fundi poshtërsisë së tij … - A mund ta mbyllësh gojën, njëherë e mirë? - i thashë me ashpërsi, duke u kthyer kah ajo, derisa shikimet na u takuan. - Arbnore, mos më thuaj se... - Çka? Hajde, thuaje! Aq shumë e urren, saqë do të bëje gjithçka vetëm që të ma bësh bajat, apo jo? E, nëse është kështu, atëherë duhet ta dish se nuk pate sukses. Mund të flasësh çka të duash, por mashkulli të cilin e incizove në restorant, nuk ishte Orhani. Sa për të të informuar, i fejuari im mbrëmë me të vërtetë ishte në stërvitje, sikur që, fundja edhe më tha - i thashë me zemërim. Në sytë e Samires pashë huti, e më pas edhe tronditje. Derisa si gjel i krekosur qëndroja para saj, e gatshme për luftë, motra ime luhaste kokën, duke mos u besuar veshëve të saj. - O Zot, Arbnore! Ty me të vërtetë është vështirë që të të kthjellë dikush. Askush dhe asgjë nuk mund të të bindë se Orhani të tradhton, apo jo? Mirë, si të duash - më pëshpëriti. - Por, sikur të isha në vendin tënd, seriozisht do të merresha me ngritjen e vetëbesimit, meqë unë kurrë nuk do të mund të martohesha me dikë që, para sysh më thotë diçka, e prapa shpine bën diçka tjetër. Kuptoje këtë si të duash, por Zotin e kam dëshmitar se vetëm desha të të ndihmoja. Sikur të ishin gjallë nëna dhe babai, jam e sigurt se do të ta thoshin të njëjtën gjë - me t'i përmendur prindërit tanë të ndjerë, në sytë e saj u paraqitën lotët. Edhe pse atë moment më erdhi që ta përqafoja fort dhe ta mbështesja kokën në krahët e saj, sikur dikur moti, ende isha tepër e ofenduar dhe nuk mundja ta falja vetëm ashtu. - Jam e lodhur, mendoj se nuk do ta pi kafen dhe do të bie menjëherë - më tha, por një lot tradhtar sërish i doli nga syri. - Hej, Samire, ti e di se nuk mendova ashtu, më fal, por… Ti e di sa e dua Okin dhe më dhemb tepër kur ti flet keq për të - i thashë me sinqeritet, duke e kapur për dore. - Por, unë nuk ta them këtë për të të lënduar, por për të mirën tënde. Kurrë nuk do të të gënjeja, Arbnore. Mendova sesi fakti që ai të mashtron në çdo moment, do të mjaftonte që ti të kuptoje se ai njeri nuk të meriton. Të paktën, mendo për këtë, mirë? - më tha, duke më shikuar në sy. Në shikimin e saj kishte diçka që më bëri të mendoja se si kisha mundur të dyshoja në sinqeritetin e saj. Fundja, a nuk përfundova edhe vetë sesi në fotot që i kishte bërë ajo ishte Oki dhe askush tjetër, sado që doja të mendoja të kundërtën? Nuk mund ta mohoja se Orhanin deri tani e kisha zënë disa herë në rrenë. Atëherë, pse sillem kështu me Samiren, kur çdo gjë tregon se ajo ka të drejtë - e pyesja veten disa minuta më vonë, derisa isha duke pirë kafe në kuzhinë. Edhe pse mendimet i kisha të përziera, e dija se duhej të bëja diçka në lidhje me raportin tim me Orhanin. Diçka që do të më tregonte përgjithmonë, në këtë apo atë mënyrë se a mund t'i besoja të fejuarit tim. Sa për fillim, vendosa që t'i hapja veshët dhe sytë mirë e mirë. Një orë më vonë, derisa isha ulur në kauçin e Okit, duke pirë koktejin mirëseardhës të tij, edhe pse isha e tendosur si mos më keq, mundohesha që të dukesha sa më e relaksuar. (vijon)

(Kosova Sot)