Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (46)

  • 27 June 2017 - 14:18
Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (46)

Jeta e saj përsëri ishte ajo e vjetra, por aty mungonin ngjyrat e gëzueshme, mungonte ajo që ai djalë kishte sjellë me paraqitjen e vet. Tani kishte filluar të humbte peshë, që të binte në depresion dhe të fliste tepër pak. Shpresa e përcillte e shqetësuar gjatë tërë kohës. Nuk e këshillonte asgjë, nuk e përmendte Ilirin, por e analizonte në atë mënyrë sa që edhe i verbri do ta vërente. Një ditë, pasi që pinë kafet dhe shikuan serinë turke, Shpresa vërejti se Lulja, në mënyrë të pavetëdijshme, luhatej herë para e herë prapa. - Hej, mos bëj ashtu! Dukesh si e marrë. Lulja sikur u kthjell dhe, në moment u ndal. - Çka jam duke bërë? - Je duke u luhatur përpara-prapa. - Nuk jam duke u luhatur. Të është dukur. - Po, Lule, po. Jam duke të shikuar tash e dhjetë minuta, duke pritur që të ndalesh. - Mund të ishte rastësi. - Më dëgjo. Kjo nuk shkon kështu. Pse ti nuk e thërret atë farë idioti, për t’i sqaruar gjërat? - Shpresa, të lutem mos ma përmend Ilirin. - Më duhet! Nuk dua që të çmendesh, nuk dua të të vizitoj në çmendinë, tanimë e kam një në shtëpi. Edhe pse Shpresa vazhdonte të insistonte se burri i saj kishte luajtur mendsh, ajo vazhdonte të jetonte me të dhe kurrë nuk thoshte se mendonte të ndahej. Lulja mundohej që, me anë të heshtjes dhe injorimit të fjalëve të Shpresës, ta ndërpriste diskutimin e mëtejmë rreth Ilirit. Por, nuk ia doli. - Mere telefonin dhe thirre. - Nuk më shkon as ndërmend, bile! - Pse? Ti e do, je e marrë për të, mund të bëj be se, në mbrëmje, bie në atë shtrat e vetme dhe e lagë jastëkun me lot. Thirre dhe hiqe barrën nga vetvetja. - Nuk dua, Shpresë! - Uh, sa budallaqe që je ndonjëherë! Më kot i di tri gjuhë të huaja, kur gjithmonë gjendesh buzë vendimit se a të jetosh me nder, apo t’i dorëzohesh kënaqësisë, sado shkurt që mund të zgjasë ajo. Je tepër e marrë për ta bërë një jetë të mirë. Vetëm pasi u largua Shpresa, fjalët e saj i arritën në mendje. I duhej të mendonte rreth atyre fjalëve, të cilat i dukeshin të njohura, sikur t’ia kishte thënë tanimë dikush tjetër, vetëm në një mënyrë tjetër. Iliri – ai i fliste rreth dashurisë dhe jetës, rreth asaj që mund t’ia ofronte dhe i fliste rreth perspektivës, obligimeve, planifikimit të gjërave të cilat, ja, kurrë nuk shkonin si duhet. Përsëri për shkak të Shpresës, diçka te ajo ndryshoi. Mori telefonin në dorë dhe i ra numrit të tij. E dinte përmendsh numrin e tij edhe pse kishte kohë që nuk e kishte thirrur. Kur dëgjoi se cingëronte, i humbi fuqia. E ndërpreu lidhjen duke shpresuar se ai nuk do ta shihte atë thirrje të humbur dhe se nuk do ta dinte se ajo ishte munduar ta thërriste. Pas një minute ishte ai që e thërriste. Nuk u lajmërua meqë kishte një frikë të madhe. Priste vetëm që të ndalej zilja, duke i premtuar vetes se një marrëzi të tillë nuk do ta bënte kurrë më.(vijon)

(Kosova Sot)