Besonte se do ta ndryshonte me mirësinë e saj (2)

  • 28 June 2017 - 13:46
Besonte se do ta ndryshonte me mirësinë e saj (2)

Mora frymë thellë, ashtu e dëshpëruar, e vetëdijshme se të gjitha planet e mija kishin rënë në ujë. Kursimet e mia ndoshta ishin të mjaftueshme sa për ta mobiluar banesën, por gjithsesi se kisha mungesë. Ende nuk kisha një punë, kështu që për kredi as nuk mund të mendoja. Lajmi për martesën e tij në familje u përhap me shpejtësinë e dritës. Tetoja ime kishte paketuar gjërat, ndërsa që as dhuratë nuk ju kishim blerë. - Pse gjithë kjo nguti? Vallë mos do t'i ikë nusja? - po bëja shaka. - Mos fol budallallëqe! Më intereson nëse ajo vajzë ka diçka në kokën e saj? Si e ka bërë për vete? Cila vajzë normale do të martohej me një njeri të tillë? Mezi pres ta njoftoj! - po thoshte tetoja. Kunata ime e ardhshme,Vera ishte shtatzënë. Ishte e lezetshme, e buzëqeshur dhe menjëherë më pëlqeu. Në njëfarë mënyre më vinte keq për të, sepse nuk kishte hasur në ndonjë njeri sikurse që ishte Dëfrimi. Shtëpia ishte plot me mysafirë, prandaj nuk mund të takoheshim dhe të bisedonim. Kemi ndërruar vetëm disa fjali, por kjo ishte e mjaftueshme t'i shkëmbejmë numrat e telefonit. - Mezi po pres që ne dyja të takohemi vetëm - i thashë. Ndoshta ka menduar se jam e çuditshme, por prapë ma ktheu me një buzëqeshje të këndshme. Më thirri që në javën e ardhshme. Mendova se dashuria e tyre ka përfunduar dhe më thërret në momentin e fundit për tu tërhequr nga gjithçka. Më ka befasuar kur me zërin e saj më ftoi të bartem tek ta. - Shtëpia është mjaft e madhe dhe ka vend për të gjithë. Dëfrimi dhe unë do të donim të vish e të jetosh me neve. - Është koha të kthehesh në shtëpi vajza ime - tha nëna përmes dëgjueses. - Nuk po mund të besoja se Dëfrimi me të vërtetë kishte ndryshuar. Me të në afërsi krejt çfarë mund të takosh janë vetëm problemet. Ke punuar mjaft dhe mjaft ke kursyer. Nëse i kthehesh atij, shumë lehtë do të mbetesh pa asgjë. Më mirë do të ishte të qëndrosh me mua - më tha. Nuk e di çfarë po mbizotëronte në vendimin tim. Te tetoja ime gjatë gjithë këtyre viteve ishte shumë mirë, por unë doja më shumë privatësi dhe një shoqëri më të re në moshë. Ndoshta vendimtare ishte mendimi për Verën dhe shoqërinë me kunatën e bukur. Kur e thirra pas tri ditëve, i thashë se po kthehesha në shtëpi. Që të dy po më prisnin në stacion. Dëfrimi ishte aq i sjellshëm, saqë mori valixhet dhe i dërgoi deri te vetura. Mbeta e habitur me këto sjellje, por nuk mund të besoja se vëllai im po shtirej. Ndoshta vetëm dëshironte ta impresiononte gruan e tij të re. - Falë Zotit që ke ardhur. Nuk po mund ta kuptoj se si gjithë këto vite ke mundur ta durosh teton tonë të çmendur - më tha kur arritëm në shtëpi dhe menjëherë u hodh në kauç. - Nga kujdesi! Që edhe unë të mos filloj me shoqëri të keqe - u përgjigja. - Shkaku im ke jetuar te ajo për tetë vite rresht? - E për kënd? Ti je e vetmja dele e zezë në familjen tonë! Derisa ai po çirrej, Vera po na shikonte me interesim. - Asgjë mos na pyet! Shumë shpejt edhe vetë do t'i kuptosh! - i thashë asaj. - Ngadalë motërz. Nëse vazhdon kështu të flasësh shumë shpejt do të kthehesh te tetoja - më paralajmëroi. - Si po mendon? Kjo është edhe shtëpia ime. Mes të tjerash, edhe ti je në shtëpinë e prindërve tanë. Vetëm ata mund të flasin ashtu. Më dridhi me një shikim, ndërsa që unë kisha frikë nga kërcënimet e tija. Dëfrimi me lehtësi mund t'i bindë prindërit për çfarëdo qoftë. Në fakt, ishte faji i tij pse unë mbeta pa kulm mbi kokë. Do të bënin gjithçka, vetëm të largohej nga shoqëria e keqe, të jetojë si gjithë njerëzit e tjerë, e kjo do të thotë se edhe mua, përsëri do të më thoshin "je e zonja dhe e ndershme, dhe se do t'ia bëj disi". Befasohesha pse Dëfrimi po fliste ashtu me atë ton për teton tonë. Edhe pse nuk më lejonte të dilja, nuk mund të them gjë të keqe për të. Ajo ishte kujdesur për mua. Dhe, për gjithë jetën do t'i jem falënderuese për dashurinë që ma kishte ofruar. Ka menduar se me një edukim të vështirë do më ruajë nga shoqëria e keqe, ndërsa që unë nuk dëshiroja t'i kundërvihem. E dija se kishte frikë mos po nisem rrugëve të këqija, por më vinte inat kur mendonte se mos isha e njëjtë me vëllanë tim. Kështu që të gjitha mbrëmjet i kalonim bashkë, duke shikuar televizor, apo duke luajtur me letra. Vitet më të mira i kisha kaluar pa miq dhe pa shëtitur, kështu që bisedat me vëllanë e mërzitshëm dhe me kunatën e re, jetën time e bënin më interesante sesa të flisja me teton dhe lozja me letra me të. Pas tre muajsh jetë të përbashkët Vera lindi djalë, që e pagëzuam me emrin Gentrit. Dëfrimi në fillim ishte pranë tij, ndërsa që unë përkujdesesha për sjelljet e tij. Këta muaj nuk kisha çfarë t'i thosha, sillej si një baba dhe bashkëshort i përkushtuar. /vijon/

(Kosova Sot)