Roman dashurie: Sharmant apo romantik (36)

  • 13 August 2017 - 13:26
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (36)

Kishte vendosur të priste vetëm edhe dhjetë minuta, e nëse Petriti nuk do të lajmërohej, të shkonte. Por, pasi që kaluan gjysmë ore, shtoi në vetvete edhe aq. Edhe aq të tjera... Kur Petriti përfundimisht erdhi, Sheqerja kishte tri orë e gjysmë që priste në veturë. Ishte e lodhur dhe e përgjumur, shpina i dhembte me të madhe. Ai nuk kishte ndryshuar, vetëm flokët kishte paksa më të gjata. Tutat sportive, bluza, atletet dhe zinxhiri... Ky ishte Petriti i saj. Ishte vetëm. Automatikisht u lëshua më poshtë, që ai të mos e shihte. Ai hyri në veturë, e ndezi motorin dhe ngadalë doli nga parkingu, por më pas shkoi tepër për mbrapa dhe u gjet para veturës së Sheqeres. Ai shikoi në drejtim të saj dhe e pa atë, të shushatur dhe të strukur. Për disa sekonda u shikuan, e më pas Petriti energjikisht doli nga vetura dhe u nis nga vetura e saj. Nuk dukej i qetë, prandaj ajo kishte frikë se ai do t'ia hapte xhamin. Nuk mund të ikte, meqë ai e kishte bllokuar me veturë.

 - A ke filluar të merresh me spiunim apo ke probleme me veturë? Pasi që ajo pa buzëqeshjen e tij, sikur mori guxim. U ndreq dhe e hapi dritaren.

- Supozoj se dukem e marrë, apo jo?

- Mund të të them se ke të drejtë. Çka bën këtu në parking, kaq vonë?

 - Nuk e di. Të pres ty.

- Mua? - Po. Nuk ia vlen të shpjegohemi. Ta pashë veturën dhe... ashtu.

- Qe sa kohë ke që më pret? - Një jetë të tërë. Ai e hapi derën e saj dhe e kapi për dore. Dolën jashtë.

- Si je?

- Mirë.

- Po shoh! Pak dukesh e lodhur. A je për një pije? Ajo pohoi me kokë.

 - Shkojmë me veturën time. Pasi që u ul afër tij, mendoi se si ndihej e plotë, komplete.

 KAPITULLI I NJËZETENËNTË

Natën e kaluan në shtrat. Ajo nuk donte që të vinte deri te kjo, por gjithçka çonte në atë drejtim. Ai qëndronte i shtrirë në shpinë dhe e shikonte tavanin.

 - Ta dish, më ke ofenduar rëndë.

 - E di, i dashur.

- Mendoja se do të të vrisja, por mirë e kontrollova veten. Tani në mendime i rrinte Mirlindi. "Mos luaj me mua, të lutem", fjalët e tij i tingëllonin në vesh. Pyetej a kishte hyrë djalli në të. Pse nuk mund t'i bënte ballë të paktën njërit nga këta dy meshkuj? A nuk kishte asnjë arsye që do të shkonte në favor të njërit, apo tjetrit. Nuk do të mund të bredhë gjatë tërë jetës kështu. (vijon)

(Kosova Sot)