Roman dashurie: Sharmant apo romantik (40)

  • 18 August 2017 - 15:09
Roman dashurie: Sharmant apo romantik (40)

“Kjo është dita të cilën e kam ëndërruar. Në vend të luleve, ëndërroja të ta dhuroja unazën, në vend të vetmisë të ta dhuroja tërë botën time, e në vend të dashurisë deri në fund të jetës, të ta ofroja përjetësinë. Por, kjo nuk mu realizua. Secili nga këta trëndafila do të thotë diçka rreth çdo ore që kam kaluar pa ty. Te ta do të gjesh lot të tharë, mallkime të emrit tënd dhe shumë pije të përziera me akull, të cilat i kam pirë për të të fshirë nga zemra. As kjo nuk më shkoi për dore. Urime ditëlindja, je unike”. Sheqerja filloi të qante. Mund ta paramendonte të përkulur mbi këtë copë të letrës sesi e shkruan ngadalë çdo fjalë, i qetë edhe derisa vuan.

KAPITULLI I TRIDHJETETRETË

Petriti e thirri pas mesnate.

- E takova shoqen tënde dhe ajo më tha se sot e ke ditëlindjen. - Kaloi tanimë. Tash është ditë tjetër. Ditë e re.

- Pak jam vonuar... Çka je duke bërë?

- Asgjë. Pata shoqërinë këtu, e tani po e rregulloj kaosin që ma lanë pas.

- Ke bërë ndejë e mua nuk më ke ftuar? Kjo pyetje sikur e theri. Këto fjalë dallonin aq shumë nga ato të letrës së Mirlindit, të cilën e kishte lexuar disa herë dhe e dinte përmendësh.

- Nuk kam organizuar ndejë, vetëm e kam festuar ditëlindjen.

 - Pse po zemërohesh? Dëshiron të takohemi? Për herë të parë nuk donte të shihej me të. Sikur të ishte lënduar që ai sillej ashtu, sikur të ishte ndokush me të cilin flet çdo ditë dhe mund edhe ta shajë bile, nëse i vjen.

- Jo, nuk dua. Jam e lodhur.

 - Po nesër?

- Jo, as nesër jo.

- Edhe nesër do të jesh e lodhur?

 - Me gjasë.

 - Do të jesh e lodhur për mua, apo jo? Ajo heshti.

- Nuk kuptoj pse sillesh kaq ftohtë ndaj meje, kështu papritmas. Me çka e meritova këtë... por, nejse. Nuk dëshiron të më shohësh. Këtë e kam shumë të qartë. Urime ditëlindjen, engjëllushe. Ai e mbylli telefonin. Pas vetëm disa sekondave, ajo e thirri atë.

- Dua të të shoh. Tani, menjëherë. Puthjet e tij tregonin se i kishte munguar. Shkuan në një kafene të denjë, i cili punonte tërë natën dhe në një qoshe filluan të putheshin.

- Sapo mendova se më kishe braktisur. Këtë herë përgjithmonë. - Isha nervoze, kjo është e tëra. - E hetova. A je ende me kundërshtarin tim të ashpër? Ajo ofshau.

 - Jo, nuk jemi duke u takuar më.

- A të mungon? Ajo e piu pijen e saj, me qëllim që ta evitonte përgjigjen.

- A d.m.th tani se mund të bëhesh e dashura ime? Ajo buzëqeshi me zemër.  

/vijon/

(Kosova Sot)