Ngjarje e vërtetë:Barra e ankthit (1)

  • 13 September 2017 - 15:49
Ngjarje e vërtetë:Barra e ankthit (1)

Ka kaluar aq shumë kohë dhe sa herë e kujtoj atë nuk mund të mos qaj. Koha e ka treguar fuqinë e saj, sa më shumë që kalonte për mua ,sa vinte e lehtë- sohej gjendja. Sikur kam filluar përsëri nga fillimi të marr frymë. Sa e çuditshme është ndjenja kur mendon se pa të nuk funksionon bota, se të dridhen këmbët kur e mendon se ai nuk është aty. Për të parën herë kur ma kishte kthyer shpinën, kam menduar të shtrihem midis rrugës. Për një moment u ndala dhe e vërejta se ende po qëndroja në këmbët e mia. Bëra një hap dhe ja çudia, mund të ecja. E gjithë frika ime se pa të nuk mundem ndoshta ishte një mashtrim. Nuk ma ndiente nëse ai ishte apo nuk ishte në afërsi. Sa shumë forcë më është nevojitur që gjithë këtë ta kapërcej. Buzëqeshja nuk po më hiqet nga fytyra, jam krejtësisht e lirë. Nuk ka më lutje që gjithçka të kthehet në të vjetrën, nuk ekziston më frika se si do të futem në shtëpi. E gjithë kjo ka mbetur larg meje. Dashuria me të vërtetë është shumë e çuditshme, derisa është brenda neve nuk ka pengesa, nuk ka kurrfarë frike. Kur të fillojë të zhduket, fillojmë ta ndjejmë parehatinë, por nuk jemi në gjendje ta parashikojmë fundin. Diçka e vështirë po më rrëshqet nëpër zemër dhe bie diku në trotuar, thyhet që në kontaktin e parë me tokën. Unë vazhdoj tutje, mbetet vetëm tingulli i cili bëhet gjithnjë e më i dobët, e më i dobët. Gjithnjë e më shumë, me hapat e mi të mëdhenj po i afrohem një fillimi të ri. Momenti më i vështirë është ta mposht veten time dhe të nisem nga fillimi. Shumë lot janë derdhur, shumë net pa gjumë kanë kaluar dhe të gjitha janë shpenzuar për kot, pa asgjë. Tash është tepër vonë të kthej gjithçka prapa. Po lë gjithç- ka prapa dhe po futem në ditë të re të jetës së re. Agoi mëngjesi më i mirë të cilin kisha menduar se do ta shihja ndonjëherë. Një rreze dielli disi depërtoi midis perdes dhe më ledhatoi me butësi. Një zgjim më të mirë as që mund ta imagjinoja. Krejt ajo që kishte ndodhur një natë më parë thuajse ka ndodhur diku larg prej meje. Fjalët e thëna disi kishin humbur fuqinë, nuk mund t'i kujtoja të gjitha. Mbrëmja kishte filluar sikurse secila mbrëmje, takimi i dy vetave që ishin para martesës. Ende ekziston ajo dëshira e vjetër që të jemi bashkë gjithë natën dhe ditën. Diçka nuk po më linte të qetë, sikurse po ndjellja zi. Asnjë nga fustanet e mia nuk ishte aq sfidues, asnjëri komplet i rrobave të mia nuk po theksonte format e trupit. Nervozizmi më ishte paraqitur që në gjumë. Ëndrrat pothuajse më kishin paralajmëruar për atë që më priste. Por, kush beson më në ëndrra? Të mitë ishin habitur si Milaimi ishte futur në dhomën time. Në fytyrë i shihej se dëshiron të më thoshte diçka që nuk ishte aspak e mirë. Provova ta përqendroja temën në bisedë për gjëra krejt të thjeshta. Po flisja për kolegen time Lolën, e cila para disa ditëve kishte doktoruar. Po më dëgjonte, por pothuajse me mendje është diku tjetër. Vazhdonte të konfirmonte me kokë dhe kur ndalova së foluri, kisha frikë ta pyesja se çfarë po ndodhte. U ngrita në këmbë për të bërë kafe, ashtu të përgatitem dhe ta dëgjoj të vërteten. Minutat pothuajse nuk lëviznin fare nga vendi, thuajse koha ishte ndalur. Një qetësi e akullt po mbretëronte midis meje dhe Milit. Mendja nga nuk po më shkonte. Nuk e dija a ta pyesja apo të ma thoshte ai vetë? Ndoshta ai ndryshon mendje nëse e pyes unë dhe e zgjat agoninë. Ishte një monolog më vete. Mijëra pyetje pa asnjë përgjigje. Ai po hesht dhe po shikon para vetes, madje as ata sytë e tij të bukur nuk dëshironin të takoheshin me sytë e mi. Kjo do të thotë se gjërat janë më keq se sa që mendoja unë. Heshta dhe unë, kështu atij i duhet të flasë. Më dukej se e dëgjova edhe zemrën e tij si po rrihte. Apo rrah për mua apo aty tashmë është dikush tjetër? Një buzëqeshje e lehtë depërtoi nëpër fytyrën time, duke menduar se Mili im mund ta dashurojë dikë tjetër. "Hajde më, ma thuaj, çfarë je strukur"? Nuk munda më të duroj gjithë atë pasiguri. Ngriti kokën lart ngadalë sikurse po i nevojitej të merrte guxim. "E di". Aty përsëri ndaloi. Nervat e mia më kishin tradhtuar. "A mos vallë është dikush tjetër"? - pyeta më me shumë zë. Vetëm kur i thashë këto fjalë, ai pothuajse u zgjua nga gjumi. "Si e di ti këtë"? Kafeja që po e pija më mbeti në fyt, nuk e di se si nuk u ngufata. "Duhet të më kuptosh, ndodhi ashtu, pa parashikim. Vetëm po bëja xhiro me jetën time, nuk isha e vetëdijshme se jam dashuruar"./vijon/

(Kosova Sot)