Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (21)

  • 25 September 2017 - 12:46
Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet  (21)

Sidomos i pengonte që edhe atë e kishte shfrytëzuar për theksimin e vlerave të veta. Në mënyrë imponuese e kishte prezantuar para të njohurve të saj, duke mos lënë pa e theksuar funksionin e tij, e edhe bukurinë që e kishte. "Jam krenare me ty", me këto fjalë ajo e shpjegonte sjelljen e saj. Meqë Laura me këmbëngulësi injoronte këshillat e tij për ta ndryshuar sjelljen, Redoni kishte pushuar nga bërja e sugjerimeve. Ishte mësuar ta pranonte të tillë si ishte, edhe pse vazhdimisht tek ai ishte e pranishme pakënaqësia. U mërrol pasi që vërejti se ishte duke iu afruar pronari i klubit, Gjoni. Ai në të gjitha ishte një njeri teatral, që kishte nevojë që çdo herë dhe kudo të ishte në qendër të vëmendjes. Kishte sjellje të tepruara, kurse imazhi i tij ishte tepër i vënë në pah. Edhe pse e dinte se atë mbrëmje nuk kishte gjasa që ta evitonte takimin me të, Redoni e kishte pasur këtë shpresë deri tani.

-Hej! - Gjoni i hapi duart, duke i përqafuar.

 - Më vjen mirë që erdhët. A e dini se jeni mysafirët e mi më të dashur?!

- Po, e dimë! - Laura pranoi menjëherë, e bindur shumë në këtë pohim.

 - Jo, nuk e dimë! - Redoni nuk hezitoi ta kundërshtonte, edhe atë para Gjonit.

- Mos u bëj naive, Laura! Gjoni sonte çdo të dytin mysafir e shpalli si mysafirin e tij më të dashur. Ai është një lajkatar fjalëmbël, a ke harruar këtë, a?!

- E, tani ndihem i ofenduar! - Gjoni bëri në fytyrë një grimasë të zemërimit të rremë.

- E ti, i dashur? A ke harruar kush jemi ne, a? - tha Laura me zë të lartë.

- Mjafton që të na shikojnë të tjerët! Me ardhjen tonë ne e kemi zbukuruar tërë ambientin dhe ia kemi rritur "rejtingun" kësaj mbrëmjeje! Derisa Redoni i rrotullonte sytë, Gjoni me ngritjen e dorës thirri një fotoreporter që t'iu afrohej. - Kur jemi te "rejtingu"... - tha ia, duke ua bërë me dije që të qëndronin të gjithë afër, që t'i zinte fotografia. - Ha-ha! Çfarë tresheje jemi ne! Një manekine kulmore, drejtori i një stacioni TV dhe pronari i një klubi elitar! Na fotografo, Meti! - O, Zot... - Redonit nuk i binte ndërmend që të zgërdhinte dhëmbët, sikur që bënë Laura dhe Gjoni, duke u shtirë kinse ishin duke u argëtuar sa s'bën më. - Sikur të ishim treshja e ndonjë samiti politik, a... - Ngjarjet në kuadër të shoubizit për shumicën e njerëzve janë më interesante sesa ngjarjet politike - tha Gjoni, duke mos treguar asnjë përshtypje ndaj komentit ironik të Redonit. (vijon)

(Kosova Sot)