Ngjarje e vërtetë: Gjithmonë do të të dua (2)

  • 23 October 2017 - 15:20
Ngjarje e vërtetë: Gjithmonë do të të dua (2)

Nga ai moment u bëmë të pandashëm, e kur nuk ishim së bashku, dëgjoheshim me anë të telefonit apo “Skype”-it, gjë që më bënte tepër të lumtur. Ishim tepër të lirë. Bënim gjëra të çuditshme, atë që na binte ndërmend. Shkonim deri aty sa që rrinim në kulme të ndërtesave dhe bënim gjëra të çmendura, bërtisnim emrat tanë dhe qeshnim derisa na dilnin lotët. Për shkak të tij kisha ikur edhe nga shtëpia, nëpër dritare. Me të vërtetë isha e çmendur. Por, ja, vera përfundoi, ai shkoi në fakultet, e unë mbeta në shkollën e mesme. Ai shkoi në një qytet tjetër, nuk e di sesi e përballova këtë, por u morëm vesh që të mos ndaheshim. Ia dolëm! Ai vinte të më vizitonte, jo edhe aq shpesh, e edhe unë shkoja te ai, kur ia dilja t’i bindja të mitë të më lejonin. Ishte vështirë, por ndihesha e kënaqur çdo minutë. Kisha ndjenjën se ai ishte me mua çdo moment. Erdhi edhe viti tjetër dhe ne ende ishim bashkë, funksiononim normalisht. Në korrik ai më njoftoi me të ëmën, patëm një darkë të mrekullueshme, biseduam, thjesht çdo gjë ishte për mrekulli, nuk mund të ankohesha për asgjë. Nënës së tij i pëlqeva shumë. Më tha se ia kujtoja vetveten, kur ishte e re. Uka dhe unë kaluam një verë të mrekullueshme. Por, përsëri erdhi ajo ndarja, ku kësaj here e pata më të vështirë sesa herën e kaluar, meqë tepër isha lidhur për të. Isha lidhur aq shumë, sa që kisha filluar t’i lija anash njerëzit që më duan dhe i dua. Një ditë shkova tek ai. Sapo e pashë, vërejta se diçka nuk ishte në rregull, meqë nuk më puthi. Menjëherë më tha se kishte gjetur një vajzë tjetër, e cila i ofronte çdo gjë që unë nuk ia ofroja, etj. Më vinte të qeshja, meqë nuk mund të besoja në ato marrëzi që isha duke dëgjuar. Por, sytë i kisha plot lot, por nuk doja që ai ta shihte këtë. Atë ditë e kalova me të, në fund e putha dhe u largova. Nuk u dëgjuam fare më pas, por më mungonte tepër. Erdhi sërish vera, ai erdhi te ne. Bile edhe u takuam dhe dolëm, por nuk ishim më në lidhje. Përfundoi edhe vera, e unë ia nisa fakultetit. Sërish ishim bashkë dhe asgjë nuk mund të na ndante, por krenaria ishte gjë e çuditshme. Shpesh dilnim bashkë. Ja, edhe sot e kësaj dite shihemi shpesh, sikur që thotë motra ime e vogël: “Ju gjithmonë do t’i ktheheni njëritjetrit”. Gjithçka është e mundshme, por pas ndarjes nga Uka, unë nuk pata asnjë lidhje me meshkuj. Shoqet më thoshin se nuk jam normale, por nuk mundem, nuk jam unë e tillë. Në fund e gjeta një të dashur, të cilin e dua, por në të njëjtën kohë shihem edhe me Ukën. Ndoshta kjo më bën njeri të keq, por këto janë disa ndjenja të cilat nuk mund t’i luftoj. FUND

 

(Kosova Sot)