Ngjarje e vërtetë: "Fati e bëri të veten"(1)

  • 25 November 2017 - 12:30
Ngjarje e vërtetë:

Lindi dielli. Ishte ditë feste. Para se të zgjohem nga shtrati, mora celularin në dorë. Ishte një mesazh i palexuar dhe një thirrje pa përgjigje. Mesazhi ishte i tillë që të bën të buzëqeshësh me sinqeritet. Aty shkruante: Mirëmëngjesi zemër. Zgjohu, shiko sa është bërë ora. Të dua”. Natyrisht, përgjigjja pasoi menjëherë. Pas kësaj fillova me kryerjen e obligimeve të mia, e ai të vetat. Kishim një marrëveshje, që kur t’i kishim mbaruar obligimet, të takoheshim dhe të shkonim tek ai, për të përfunduar përgatitjet për pritjen e Vitit të Ri. tanimë ishte bërë ora 19. Dëgjova zhurmën e automobilit të tij dhe vrapova. Dhe, kështu filloi përfundimi i lidhjes sonë. Shkuam te familjarët e tij, për ta marrë motrën e tij dhe u nisëm për në restorant. Natyrisht, kalonim për bukuri, erdhi mesnata, por fillimi i vitit të ri mua ma ndryshoi jetën rrënjësisht. Diku rreth orës dy pas mesnate, atij i erdhi një mesazh. Ai ma dha celularin dhe më tha: “Shiko kush është dhe përgjigju”. E mora unë celularin, personi, numrin e të cilit e kishte të regjistruar, i shkruante: “Dashuria ime, urime Viti i Ri”, si dhe vazhdonte më tej në të njëjtën frymë. Numërova deri në dhjetë, por kjo nuk më qetësoi. Sa herë që e shikoja, apo kur ai më shikonte, si dhe kur prekeshim, ndjeja një nevojë të madhe që të kërkoja shpjegim nga ai në lidhje me atë mesazh. Mezi i thash që të dilte jashtë, për të biseduar, e ai vetëm bëri me dorë: “Më vonë, zemër, kur të nisemi për në shtëpi, atëherë mund të më pyesësh”. Mblodha fuqinë dhe e hoqa unazën, atë unazë të cilën ai ma kishte vënë në dorë. Vetëm atëherë ai kuptoi se nuk duhej të ma jepte celularin, por tanimë ishte bërë vonë dhe nuk kishte kthim prapa. Fillova të vishesha dhe desha ta merrja çantën, kur ai me një ton të çuditshëm mu drejtua: “Menjëherë ulu, menjëherë”! Ai filloi me arsyetime, sesi atë e kishte vetëm shoqe, sesi ata njihen që nga fëmijëria, sesi familjet e tyre shkojnë e vijnë midis tyre... Por, unë ende vazhdoja të kisha dyshime. Por, pa marrë parasysh të gjitha, kur dikë e duam, edhe e falim, apo jo? Për shkak të ndjenjave të forta, unë ia fala. U nisëm për në shtëpinë e tij. Përfundimisht arritëm. Hymë në dhomën e gjumit. Atë natë do ta mbaj mend derisa të jam gjallë. Atë natë kisha ovulim dhe atë natë në mua u krijua një jetë e re. Natyrisht, sikur edhe çdo femër tjetër, unë nuk mund ta dija këtë në atë moment. U bë mëngjes. Nëna e tij trokiti në derë që të zbrisnim poshtë. U veshëm dhe zbritëm poshtë, e më pas filluam me bisedat që bëhen në festa të tilla. Nuk e di sesi ra fjala, por kur nëna e tij foli diçka rreth lindjes së fëmijëve, shikimi im sesi u ndesh me shikimin e tij. Paksa çuditshëm, apo jo? Kaluan disa ditë dhe sërish ata më ftuan për drekë. E shtruam sofrën, por nga të gjitha ato gjellë të mundshme, unë instinktivisht zgjata dorën te kastravecët turshi. Nëna e tij më shikoi me habi, por nuk tha asgjë. Pas dreke, e thirri i vëllai dhe i tha se do të vinte me të shoqen dhe me vajzën. Nuk vonoi shumë dhe ata erdhën, qëndruam bashkë një kohë të gjatë, duke biseduar, luajtur, duke bërë shaka. Por, disa herë më erdhi të villja. Edhe pse as që më shkonte ndërmend se mund të isha shtatzënë, disi ndjeja se diçka nuk ishte në rregull. U ktheva në shtëpi dhe rashë për të fjetur, por vazhdoja të mos ndihesha mirë. Më mori disi gjumi, por të nesërmen kur u zgjova, gjëja e parë që hetova, ishte mundimi për të vjellë. Po ashtu, më merreshin edhe mendtë. Ishte zgjuar edhe ai dhe nuk vonoi shumë e më thirri. Dhe, natyrisht, unë i tregova për mundimet që i kisha. Atij, si mashkull që ishte, as që i shkoi ndërmend mundësia që unë të isha shtatzënë. Mundimet vazhdonin të më përndiqnin dhe, në fund të javës e bëra testin e shtatzënësisë pa dijen e tij. Testi vërtetoi dyshimet e mia, u paraqit vija e parë e pas disa sekondave, edhe ajo e dyta. Në mua lindën disa ndjenja të përziera, por mbi të gjitha mbizotëronte ndjenja e gëzimit. E thirra dhe as vetë nuk e di sesi, por i tregova. Pasoi një heshtje varri, ai nuk bënte vër me gojë. Nuk mund ta dëgjoja as duke marrë frymë. Mu duk sikur kaloi një shekull i tërë, para se ai të fillonte të fliste. (vijon)

(Kosova Sot)