Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (34)

  • 10 December 2017 - 11:38
Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (34)

U nis për atje, që të takohej edhe një herë, për herë të tretë, me Drenin, duke shpresuar se teoria e Gentës të ishte e vërtetë, se gjithçka që ndodhë dy herë, përsëritet edhe për herë të tretë. Pesë ditët e para më kot shëtiste nga mëngjesi deri në mbrëmje, duke analizuar meshkujt me rroba sportive. Në grumbullin e njerëzve nuk kishte asnjëri që do të mund t'ia bënte me dije se Dreni mund të ishte diku në afërsi. Por, nuk dorëzohej. Shëtiste derisa i dhembnin këmbët, më pas ulej në ndonjë kafene për të pushuar, e më pas sërish shëtiste, derisa errej.

KAPITULLI 36

Ditën e gjashtë pas dite, sapo u ul që t'i pushonte këmbët në një stol afër liqenit, pa një grup djemsh me rroba sportive dhe një burrë të gjatë me flokë të thinjur, që gjendej midis tyre. Ishin rreth 100 metra larg saj. U ngrit, e shikoi veten, për të parë se çka kishte veshur dhe konstatoi se çdo gjë ishte në rregull. Priste. Ai afrohej me një hap të ngadalshëm, por shikonte diku andej, kah liqeni. Vetëm pasi që ishte afruar disa metra nga ajo, ai e ktheu kokën kah femra që e priste dhe u ndal. Ajo i buzëqeshi. Priste që edhe ai t'ia kthente me buzëqeshje, qoftë edhe thjesht, për hir të mirësjelljes, për shkak se takoheshin sërish. Por, fytyra e tij mbeti serioze. Vërejti rrudhat rreth syve të tij, të cilat nuk i kishte pasur më parë. Por, përkundër të gjithave, ai vazhdonte të ishte një mashkull i bukur. Ai u afrua. - Gane? - Përshëndetje, Dren. Po, unë jam. E di se kam ndryshuar, por mos më shiko sikur ta shihje ndonjë përbindësh. - Jo, nuk të shikoj ashtu. Thjesht jam i befasuar që jeta na takoi sërish. A e ke burrin diku afër? Ajo tundi kokën, duke mos hequr buzëqeshjen nga fytyra. - Jo, nuk është. Jam shkurorëzuar. - Për herë të dytë? - Po, diçka nuk ma do me burra. - A mund të ulemi këtu, bashkë? Nuk do të rri shumë, vetëm të bisedojmë shkurt. - Mundesh, Dren. Ai ua bëri me dorë djemve që të shkonin, se ai do t'i zinte më vonë. - Eh, Gane, Gane... Ti je si një fantazmë që më ndjek. Është e pabesueshme që dy njerëz të takohen më shpesh jashtë qytetit ku jetojnë, sesa në qytet. - Po, e pabesueshme. Por, ne jemi takuar edhe në qytet. - Një herë, kur më braktise për herë të parë. - Të kam parë edhe më pas. - Me të vërtetë? Ku? E, si nuk të kam parë unë ty? - Ishe me gruan dhe me fëmijën. Ai e uli kokën. Heshti vetëm disa sekonda, por dukej sikur kjo zgjati shumë më shumë. Ganja priste e interesuar, për të parë se çka kishte për t'i thënë. - Po, kam një djalë. Quhet Leka. - Emër i mirë. - E vërtetë! Kjo është njëra ndër gjërat e rralla që kam mundur t'ia jepja. (vijon)

(Kosova Sot)