Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (39)

  • 15 December 2017 - 11:36
Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (39)

KAPITULLI DYZET E NJË Tri ditë po qëndronte ulur mbi letër. Tri net përmendësh kishte përsëritur fjalët e tij. Dhe nuk po e dinte se çfarë të bënte. Nuk e kishte idenë se çfarë do t'i sillte ndonjë zbulim i ndjenjave të saja. Vetëm e dinte se duhej t'i thoshte ato fjalë më shpesh. Ditën e katërt e kishte thirrur një numër telefoni. U lajmërua një operatore simpatike. - Ju lutem, më duhet një makinë në një vend të caktuar. Ajo mbeti e hutuar. - Mendoni në ndonjë restorant të caktuar, apo në një hapësirë tjetër? - Le të vjen taksia në adresën time e më pas i tregoj unë ku do të shkojmë. Por, ju lutem sa më shpejt. - Sot, tani? - Po, sa më shpejt që është e mundur. - Një moment, të shikoj se cili prej tyre është i lirë dhe do vjen. Prisni në linjë. - Faleminderit. Po pres. Pothuajse kaluan tri apo katër minuta derisa Ganja e dëgjoi sërish zërin e saj. - Zonjushë, vetura 217 mund të vjen te ju. Nuk do të vonohet shumë dhe do të jetë aty ku thoni ju, në adresën e caktuar. A jeni vonë, apo të vijmë pa u ngutur? Ganja buzëqeshi paksa - Jo, kurrsesi se nuk jam për ngut. Faleminderit shumë. Ia tregoi adresën e saj dhe ia kishte konfirmuar se do të jetë gati pas tridhjetë minutave. - Ju faleminderit. - Nuk ju intereson çmimi i vozitjes? - Jo, kjo më së paku tani është e rëndë- sishme. KAPITULLI DYZET E DY Vozitësi që kishte shkuar ishte i ri dhe paksa i ashpër, kështu që shumë shpejt përsëri ishte në banjë. Mbrëmja ishte paksa e freskët. Po ecte nga hoteli në hotel dhe ishte pyetur rreth ekipit të Drenit. Në fund e kishte zbuluar se ku ishin vendosur. - A është zotëria Dren, trajneri juaj në dhomë? Recepsionisti ishte shumë i sjellshëm. - Po kontrolloj menjëherë, do ta thërras me telefon. Dreni nuk po lajmërohej. - Më vjen keq, me sa duket nuk është në dhomë, por as çelësi i dhomës së tij nuk qenka këtu, kështu që mund të hamendësoj se është këtu diku në hotel. Ndoshta është në restorant. - E ku është ai restorant? - Në katin e parë. - Ju faleminderit shumë. E kishte vërejtur se si po qëndronte me dy meshkuj në një tavolinë. Po qeshnin me disa gazeta aty pranë. Kur e kishte vërejtur, ishte zverdhur i tëri. Ju kishte thënë diçka atyre dy meshkujve të tjerë dhe sa hap e mbyll sytë ata u zhdukën. - Ti nuk paske shkuar? - A mund të ulem? Ia kishte bërë me dorë në drejtim të karriges së lirë. - Kam shkuar dhe jam kthyer. - Përse? - Nuk e di as vetë. Me siguri shkaku i letrës. E uli kokën. - Më fal Gane për atë letër. Kur jemi ndarë shkova te një kafeteri, e piva një, pastaj të dytën e të tretën, e më pas kam kërkuar nga një kamerier një cope letër dhe një laps, e më pas e kam shkruar atë letër. Me të vërtetë nuk isha vetja ime. Më fal. Ndize atë letër. - Nuk do ta ndizja kurrë. Ka domethënie të madhe për mua. - Gane, është budallallëk... - Mos e thuaj asnjë fjalë të vetme. Vetëm hesht. Dua vetëm të qëndrojmë ulur kështu dhe të heshtim. Dua ta ndjej atë që e ndjen edhe ti. Dua ta di nëse është tepër vonë. Të lutem. Dhe heshtën. Po shikonin njëri-tjetrin në sy, duke mos e thënë asnjë fjalë të vetme. Për një moment dora e saj e gjeti dorën e tij, e shtrëngoi fort dhe nuk e lëshoi më. (vijon)  

Së shpejti në këtë rubrikë do ta lexoni romanin "Triumfi i dashurisë", roman i cili botohet për herë të parë dhe gërsheton një legjendë shqiptare, jetën tonë të përditshme, vështirësitë, sfidat, gëzimet e hidhërimet, por ku në fund -triumfon dashuria. Vetëm në "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)