Meshkujt janë të “programuar” që t’i duan femrat e reja

  • 18 December 2017 - 20:03
Meshkujt janë të “programuar” që t’i duan femrat e reja

Sipas rezultateve të studimit të ri, kur bëhet fjalë për zgjedhjen e partnerit seksual, meshkujt e të gjitha moshave fantazojnë kryesisht për një tip – femrat në të njëzetat e hershme dhe të mesme.

Hulumtuesit në Finlandë i kanë anketuar 12.656 meshkuj dhe femra të moshave 18-49-vjeçare me qëllim të zbulimit të dëshirave të tyre seksuale për sa u përket partnerëve dhe moshës së tyre.

Pjesëmarrësit u pyetën se cila grupmoshë i kishte tërhequr më shumë gjatë 12 muajve të fundit dhe me cilën në fakt kishin pasur më së shumti kontakte seksuale.

Ashtu siç supozuan hulumtuesit, rezultatet vareshin nga gjinia. Femrat zakonisht ishin të interesuara për meshkujt e moshës së tyre apo pak më të vjetër. Femrat në të njëzetat e hershme të tyre preferonin meshkuj rreth katër vjet më të vjetër, ndërsa ky dallim me kohë binte.

Meshkujt, nga ana tjetër, në përgjithësi ishin të interesuar për një grupmoshë të veçantë të femrave – ato në mesin e të njëzetave të tyre. Madje shumë prej të moshuarve i parapëlqenin femrat shumë më të reja – ato në adoleshencë dhe në të njëzetat e hershme.

Hulumtuesit supozojnë se këto rezultate vetëm sa i konfirmojnë ligjet biologjike – hipotezën se si femrat i zgjedhin meshkujt e moshuar në përputhje me atë që ata janë në gjendje t’u sigurojnë në kuptimin e sigurisë materiale, ndërsa për meshkujt janë më tërheqëse femrat në të njëzetat e tyre për faktin se kjo është periudha në të cilën femra është më pjellore për lindje të fëmijëve.

“Këto janë gjëra të shkruara në të kaluarën tonë evolucionare. Meshkujt piqen më vonë se femrat, dhe i preferojnë femrat më të reja, sepse ato i lidhin me pjellorinë. Pjelloria maksimale tek femrat është e pranishme në mesin e të njëzetave të tyre, ndërsa pas moshës 35 vjeçare ajo bie”, shpjeguan studiuesit finlandezë.

(Kosova Sot)