Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (82)

  • 18 March 2018 - 15:09
Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (82)

- A ke folë me Moshen këto ditët e fundit? "Megjithatë, e paska gjetë skeletin", mendoi Kujtimi dhe mezi u përmbajt pa qeshë.

- Po...

- Edhe? A është mirë? A ka ndonjë gjë të re? Kujtimi vendosi që të mos hapej menjëherë. Fundja, Moshe ishte shoku i tij. Pse nuk e kishte pyetur vet atë?

- Të re?! Nuk e di çka po mendoni... - Në lidhje me atë hulumtimin e tij... në lidhje me atë pacientin...

- Luftimin? - Po, de! A e përfunduat atë mesele? Megjithatë vendosi që t'i tregonte. Pasi që i tregoi në pika të trasha sesi kishte rrjedhur "hulumtimi" i Moshes, duke mos ia përmendur fare Të Martat, dr Flamuri kaloi te muhabeti që e mundonte.

- Shihe, ti! D.m.th. Moshe në shtëpinë time paska lënë eshtrat e një... përbindëshi, a? - Neandertali... - Po më çudit, me të vërtetë! Të paktën të më tregonte diçka...

- A hiç asgjë nuk të tha, a?

- Më tha vetëm se janë disa gjësende të tij, të cilat për momentin nuk mund t'i merrte me vete. Por, meqë më dukej se ndihej një erë jo e rëndomtë, vendosa që të shikoj çka kishte brenda. Edhe pse dr Flamuri ia drejtoi shikimin Kujtimit, duke pritur ndonjë reagim të tij, ky i fundit nuk tha asgjë. Nuk dinte çka të thoshte.

- Kur i pash eshtrat, me të vërtetë u befasova... Njëherë desha ta lajmëroja policinë. Por, thash hajt njëherë të bisedoj me ty.

- Drejtor, unë krejt çka di rreth kësaj meseleje të tregova. Thënë të vërtetën, as unë nuk u ndjeva aspak mirë me atë sesi veproi Moshe...

- Si mendon?

- Po, ja... që injoroi autoritetet tona, këtë shtet, të tillë si e kemi. Zhvarrosi eshtra pa marrë kurrfarë leje.

- Po çfarë leje, more Kujtim! Po ti ende nuk e di se në çfarë xhungle jemi duke jetuar. Lëre më eshtrat, por edhe njeriun e gjallë e mbysin dhe kalojnë pa therë në këmbë. Nuk i kujtohej kur ishte pajtuar me dr Flamurin 100%. Edhe vet mendonte se problemi kryesor i Kosovës ishte mungesa e ligjit, apo "e sundimit të ligjit", sikur që thuhej në media.

- Dr Flamur, ia bëjmë si të thuash... N'dash e njoftojmë policinë... Dr Flamuri nuk tha gjë për disa çaste. Më pas, pasi piu një gllënjkë të madhe të kafes, foli disi sikur as vet nuk ishte i sigurt në atë që thoshte. - Nuk e ke keq... Por, më mirë është që të flas njëherë vet me Moshen, e më pas shohim. Është e vërtetë se i kam njëmijë e një punë, por më duhet të gjej kohë për ta sqaruar sa më parë këtë mesele. Kujtimi kurrë nuk e dinte me saktësi se cilat ishin këto "njëmijë e një punë" të dr. Flamurit. E dinte se ai, pas orarit të punës në klinikë, punonte në një ambulancë të veten, private. Po ashtu, atë e thërrisnin shpesh edhe në gjykatë, në cilësinë e ekspertit. Kishte dëgjuar, por nuk ishte i sigurt, se ai kishte filluar të ligjëronte psikologjinë në një universitet privat. "Me gjasë ky është njëri ndër ata zyrtarët me 5 e më shumë vende të punës, për të cilët flitej në Raportin e progresit", tha me vete Kujtimi, duke menduar se nuk do të ishte keq sikur dr. Flamuri t'i ndihmonte të gjente farë pune, përkohësisht, derisa të punësohej në klinikë. E dr Flamuri sikur t'ia kishte lexuar mendimet. - Kujtim! Të mos harroj të të pyes edhe diçka... - Urdhëro! - Me siguri nuk je duke punuar për momentin, apo jo?! "Hajde, ishalla", mendoi Kujtimi, duke shpresuar që drejtori do t'ia ofronte ndonjë punë..

- Jo... Autor: H. B. I. (vijon) 

(Kosova Sot)