Ngjarje e vërtetë:U DASHUROVA NË TË, POR AI I TREGOI BURRIT TIM (2)

  • 22 March 2018 - 15:17
Ngjarje e vërtetë:U DASHUROVA NË TË, POR AI I TREGOI BURRIT TIM (2)

Shumë shpejt, krahas dashurisë dhe mundit tim, ajo lulishte u shndërrua në një park të vërtetë. Shpesh njerëzit ndaleshin te shtëpia jonë, në mënyrë që t’i kënaqnin sytë, duke e shikuar kopshtin tim. Në ato momente unë ndihesha krenare dhe edhe më shumë i përkushtohesha përkujdesjes ndaj luleve. Burri im, Avniu, nuk më lavdëronte me zë për këtë. Në fakt, nuk më lavdëronte për asgjë, edhe pse shtëpinë dhe amvisërinë e udhëhiqja si mos më mirë. Çdo gjë për të disi nënkuptohej. E di se në shumicën e martesave kjo është kështu, nënkuptohet që gruaja t’i bëjë me mijëra punë në shtëpi. Nuk them se ai zmadhonte punën dhe meritat e tij, por disi edhe kjo nënkuptohej, se ai ishte “ai” që sillte të ardhura në shtëpi. Dhe, kështu vazhduan gjërat me vite të tëra dhe do të vazhdonte edhe shumë vjet të tjera, sikur ai, të paktën herë pas here, të më vërente mua si grua, si grua me ndjenja, e jo vetëm si bashkëshorte, nënë, shërbëtore. Në fillim të martesës, Avniu ishte i butë dhe i ndjeshëm. Ai ishte bile i prirë që, kur shikonte filma të dhembshëm, të qante, gjë që nuk është e rëndomtë për një burrë. Por, me të filluar të punonte në ara, sikur ishte bërë më i fortë, më i ashpër. Filluam të largoheshim, jetonim njëri afër tjetrit, por jo njëri me tjetrin. Disi secili për hesap të vet. Ne bënim herë pas here seks, por disi sikur ta kryenim ndonjë obligim. Të paktën, kështu e përjetoja unë, e mendoj se edhe ai, po ashtu. Në fillim mundohesha ta zgjoja atë mashkullin e butë te ai, por gjithnjë disi më refuzonte. Shpesh më thoshte: - Meri, nuk kam kohë të bëj hajgare. Ti e di se sa puna më pret jashtë! Herëve të tjera më thoshte: - Ti, Meri, nuk mund ta marrësh me mend se sa punën e kam bërë sot. Dhe, kështu dalëngadalë hoqa dorë nga ai, në fakt hoqa dorë nga ne. Unë në njërën anë ia kisha lakmi, meqë me të vërtetë punonte shumë, pa u ankuar. Dhe, në fillim na ecte puna mbarë, për shkak të mundit, punës dhe gjindshmërisë së tij. Por, në anën tjetër, nuk mund të kuptoja sesi ai kurrë dhe assesi nuk mund të gjente kohë për mua. Edhe rritjen dhe edukimin e vajzës ma la tërësisht mua. Në fakt, ai e do vajzën tonë tej mase, këtë e di pa fije dyshimi. Por, sikur donte të qëndronte anash, prandaj nuk donte të përzihej në atë që mendonte se ishte puna ime, ku bënte pjesë edhe mësimi dhe suksesi në punë. Pra, bënim një jetë të rëndomtë. Edhe ajo që pason, e rëndomtë është. Ndodh shumë më shpesh sesa që mendojmë ne. E di se ky është një tregim që e keni dëgjuar sa e sa herë, por pse gjithnjë ndodh përsëri, nga fillimi? Dhe, pasi që e di tërë këtë, pse lejova që të më ndodhte bash mua? Puna ishte zgjeruar aq shumë, saqë Avniu nuk ia dilte mbanë as edhe me ndihmën e babait të tij. Erdhi momenti që t’i merrte edhe disa punëtorë, për t’i ndihmuar. Sidomos kur ishte sezoni i vjeljes së ndonjë perimeje, atëherë puna duhet të kryhet brenda disa ditëve, përndryshe ose tregu ngopet me atë produkt, ose perimet prishen në bahçe, të pavjelura. Ai punësoi në mënyrë sezonale tre të rinj nga fshatrat përreth. Që të tre ishin të papunë edhe pse kishin kryer shkollën. Më ishin disi simpatikë dhe dukej se do të ishin punëtorë të mirë. pasi që i kisha parë njëherë, më pas i shihja rrallë, kryesisht vetëm në mbrëmje, kur shkonin në shtëpitë e tyre, apo kur shkonin deri te dyqani i afërt, për të blerë ushqime, me ç’rast kalonin afër luleve të mia. Por, njëri nga të rinjtë gjithmonë ndalej te lulet e mia. Më përshëndeste dhe më bënte disa komplimente në lidhje me lulet. Unë gjithmonë kisha qenë e dobët në këtë aspekt. Nga dita në ditë bisedonim gjithnjë më gjatë dhe më gjerë. Më befasonte fakti që, një i ri si ai, dinte kaq shumë gjëra. (vijon)

(Kosova Sot)