Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (85)

  • 22 March 2018 - 15:21
Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (85)

"Eh, Milojko i çmendur, i ziu Mile! Kishe të drejtë! Ja, 'shiptarët' u kthyen në Nish. Të paktën, një prej tyre"! Edhe një herë shikoi me kujdes foton e të atit, ku ai dukej i zhytur në mendime, aspak i gëzuar, disi i trishtë. I dukej se shikonte ndonjë foto të vetes së tij, të bërë në një botë paralele. Për një çast sikur harroi faktin se i ati ishte "shiptar", harroi që nuk e kishte pranuar si të vetin, harroi që ia kishte thyer zemrën Martës, nënës së tij. Duke shikuar në sy dr Hasanin në foto, iu bë sikur edhe ai e shikonte dhe se, me kaq vite vonesë, përfundimisht gjeti të atin, i cili gjithmonë i kishte munguar. U befasua kur hetoi se iu mbushën sytë me lot. Si duket kjo e zemëroi, meqë i erdhi ta bënte duq atë foto, të gjitha fotot e të atit, t'i shqyente, t'i zhdukte. Iu kujtua se përsëri e kishin thirrur në shkollën e Violetës. Ajo nuk përdorte droga, sikur që ishte frikësuar, por ishte bërë tepër e padisiplinuar, pengonte procesin mësimor dhe i kishte rënë suksesi dukshëm. Psikologja e shkollës i kishte thënë se, duke vepruar kështu, ajo dëshiron ta tërheqë vëmendjen, të jetë në qendër të vëmendjes, respektivisht se ndien sikur e kanë lënë pas dore. Denisi nuk kuptonte shumë nga këto "broçkullat psikologjike", sikur që i quante, prandaj nuk mund të pajtohej assesi se e kishte lënë pas dore të bijën. "Me gjasë e tëra kjo ka të bëjë me moshën e saj adoleshente", mendonte ai. Por, kur e kishin thirrur dje pasdite nga shkolla, duke i thënë se gjithsesi duhej të shkonte për të biseduar me kujdestaren e klasës dhe me drejtorin e shkollës, disi kishte filluar të shqetësohej më shumë. Arsyen nuk ia kishin treguar as zyrtarët e shkollës, e as e bija. Kjo e fundit në fillim, me stilin e saj "cool" kishte refuzuar që të bisedonte, e pas insistimit paksa të vrazhdët të Denisit, ajo ia kishte filluar të qante. Kjo kishte bërë që ai të tërhiqej menjëherë, meqë kishte kohë që nuk e kishte parë të bijën duke qarë. Kishte kërkuar nga Svetlana që të bisedonte me Violetën, por nuk ishte befasuar shumë kur Svetlana ishte kthyer e refuzuar, meqë kishte kohë që ajo dhe e bija nuk kishin raporte të mira. Ndihej shumë keq që nuk mund të përqendrohej dhe të merrej më me intensitet me vështirësitë e vajzës. Çdo gjë që bënte i dukej se nuk mund të përqendrohej i tëri, as në punë, e as në jetën private. Bile, drejtori i bankës ia kishte bërë një vërejtje, duke e kritikuar pse ishte vonuar t'i dorëzonte disa raporte. Edhe pse nuk i pëlqente, gjithnjë e më shumë bëhej i vetëdijshëm se pa gjetur një zgjidhje për problemin që e mundonte, nuk do të mund të ishte më ai i vjetri. Por, ajo që e mundonte më së shumti ishte fakti se nuk e kishte idenë se cila do të mund të ishte "zgjidhja" e problemit të tij. Bile, nuk e dinte as cili ishte problemi. Mirë, kishte marrë vesh të vërtetën rreth të atit, rreth prejardhjes, por as vet nuk e dinte pse një gjë e tillë e bënte të ndihej aq keq dhe çka duhej të bënte për ta larguar këtë siklet. Dinte vetëm se duhej të bënte diçka. "Më duhet të shkoj në Kosovë! Ndryshe s'bën!" Derisa mendonte kështu, qeshi në vete me ironi. Iu duk sikur ky mendim nuk doli nga koka e tij, por nga ajo e ndonjë nacionalisti të përbetuar. "Më prit Kosovë! Prite birin tënd, të humbur shumë kohë më parë"! Autor: H. B. I. (vijon) 

(Kosova Sot)