Ngjarje e vërtetë:AI MË NGUSHËLLONTE, UNË E SHFRYTËZOJA (1)

  • 10 April 2018 - 17:38
Ngjarje e vërtetë:AI MË NGUSHËLLONTE, UNË E SHFRYTËZOJA (1)

Pesë ditë më parë e festuam ditëlindjen e tetë të Orgesit. Atëherë as që më kishte shkuar mendja se ardhja e papritur e një mashkulli do të ma kthente jetën mbrapshtë, se mu në atë ditë unë dhe djali im përfundimisht do të ndjenim se si ishte të jetonim si familje. Në kuzhinë vura qirinjtë mbi tortën e ditëlindjes, kur Orgesi vrapoi i gëzuar e më pas u ndal.

- Nënë, pse je kaq e mërzitur? – më pyeti.

- Jo, bir! Nuk jam e mërzitur, vetëm e lodhur, meqë kam shumë punë, e mysafirët sa s’kanë ardhur – iu përgjigja e përgatitur, edhe pse e dija se nuk mund ta mashtroja. Me qëllim që ta bindja për atë që i thosha, e shikova drejt në sytë e tij të mëdhenj e të zi dhe e përqafova.

- Ti e di sa të dua, shpirti im – i pëshpërita.

- E di – më tha dhe fytyrën e tij të bukur e mbështeti në flokët e mia. Gjithmonë ledhatoheshim kështu. Qyshkur ishte fëmijë tepër i vogël ai ndiente nevojën time që të më ledhatonte, prandaj me hundën e tij të vogël ma lëmonte qafën. Orgesi është gëzimi im, ka qenë i tillë që nga momenti kur kisha marrë vesh se isha shtatzënë, e kështu do të jetë gjithmonë. Por, gjatë tërë këtyre viteve, ndërgjegjen nuk e kam të pastër. Babait të tij, p.sh. kurrë nuk i kam treguar se kisha mbetur shtatzënë. Mendoja se nuk do të na donte, prandaj pa fjalë isha zhdukur nga jeta e tij. Vetëm disa muaj më vonë kuptova se kisha gabuar. Nuk e di pse atëherë mendova se ishte tepër vonë për të bërë ndonjë ndryshim. Pasi që lindi Orgesi, e unë përfundimisht mora kurajë dhe u përgatita t’ia thosha të gjitha, Iliri më nuk ishte në atdhe. Kësaj here ai me punë shkoi në Libinë e largët dhe nuk kisha asnjë mënyrë sesi të bija në kontakt me të. Nuk iu ishte lajmëruar as prindërve të tij. Orgesi vrapoi me gëzim në dhomën e ditës, për të vërtetuar se a ishin vendosur të gjithë balonat në mure. Kur u vërtetua se çdo gjë ishte gati për festë, u kthye në kuzhinë dhe më gjeti duke qëndruar ulur, e kredhur në mendime. Shikimi i tij pyetës mjaftoi që t’i ndërprisja mendimet e mia, e kur mysafirët filluan të vinin, atëherë më nuk kishte vend për pikëllim. Dy orë më vonë, pesëmbëdhjetë fëmijë të buzëqeshur rrinin ulur pranë tavolinës, shikonin tortën dhe prisnin që im bir t’i fikte qirinjtë.

- A do të më plotësohet dëshira? – më pyeti me seriozitet.

- Natyrisht! – i thashë, duke ia ledhatuar flokët. - Nëse edhe tani nuk më realizohet dëshira, atëherë më kurrë nuk do të dëshiroj asgjë – më tha me vendosmëri. Nuk më pëlqeu toni me të cilin ai e tha këtë fjali, prandaj vendosa ta pyesja më gjerësisht.

- Nënë, mos më pyet. Vetë më ke thënë se dëshirën nuk duhet t’ia tregoj askujt, përndryshe nuk do të realizohet – më tha ai. Nuk mund t’i thosha se ishin prindërit rëndom ata që i plotë- sonin të gjitha dëshirat e fëmijëve, e as se kjo dëshirë me gjasë do t’i mbetej pa u realizuar nëse, të paktën, nuk ma bën me dije deri diku se çka dëshiron. Tërë pasditja më kaloi duke vrapuar nga kuzhina deri në dhomë të ditës dhe anasjelltas. Bartja pijet, keksët, ëmbëlsirat, bëja gjithçka në mënyrë që shokët e tij të ishin të kënaqur me festën. E dija se sa shumë rëndësi kishte kjo për birin tim. Rreth orës nëntë filluan të vinin prindërit e parë për t’i marrë fëmijët e tyre. Disa prej tyre nguteshin, të tjerët hynin brenda dhe hanin një copë tortë. Të tretët fëmijët i thërrisnin me telefon dhe i pyesnin se a mund të rrinin edhe pak. Përkundër tollovisë që mbretëronte në çdo cep të banesës tonë dydhomëshe, shpresoja se çdo gjë do të kalonte si mos më mirë, se në momentin e fundit, nuk do të rrëzohej në momentin e fundit, duke u lënduar. Më dukej sikur zilja në derën time nuk kishte të ndalur. E hapa derën dhe mbeta e shtangur, meqë pash se aty qëndronte Iliri, i ati i Orgesit tim. E tmerruar nga frika, ndjeja se ai disi e kishte kuptuar të vërtetën dhe instinktivisht kishte ardhur. Ka ardhur për të ma marrë Orgesin. Apo, për të më shkaktuar probleme, mendoja. (vijon)  

(Kosova Sot)