Roman dashurie:Punë fati (9)

  • 16 April 2018 - 14:52
Roman dashurie:Punë fati (9)

 Pse e fundit? A nuk të pëlqen, a?

- A sheh se si përfundoi kjo mbrëmje? Mund të kërceja nën një veturë tjetër, që të shpëtoja nga ti, edhe pse nuk kishe aspak qëllim që të më shkelje.

- Sjellja jote ishte simpatike. Më befasove.

- Të gjithë qeshnin.

- Besoj se edhe ti do të qeshje sikur ta kishe parë një gjë të tillë. E edhe taka t'u thye.

- Po. Një taksirat më shumë.

- Nga je?

- Nuk ka rëndësi. Nuk dua të flas për këtë. Petriti rrudhi supet.

- Në rregull, nuk dua të të mërzis. Shoh se më konsideron vetëm si shofer, prandaj ashtu edhe do të sillem. Edhe pse ajo nuk donte që ta konsideronin si vajzë të prapambetur, nuk reagoi ndaj këtij komenti. Shikonte pa bërë zë para vetes. Në një moment e përqendroi vëmendjen te dora e tij, e cila gjendej në timon. Ai kishte një unazë m'u aty ku ajo nuk do të donte ta kishte. Kjo e bindi edhe më shumë se veprimi i Ilirianës kishte qenë i gabueshëm. Çka mund të bënte një nënë e një fëmije të mitur, e ardhur nga periferia, e pazonja dhe e pasigurt? Çka mund të kërkonte në veturën e një bukuroshi nga kryeqyteti, i cili përpos kësaj, ishte edhe i martuar? Përgjigjja e vetme ishte e tmerrshme. Pasi që arritën te banesa e saj, ai e parkoi veturën. - Këtu jeton? Në këtë hyrje?

- Po.

- Mirë. Që ta di herën tjetër kur të vij të të marr. Ai buzëqeshi, por buzëqeshja iu ngri në buzë pasi që e shikoi Miranda. - Pse më shikon ashtu, sikur të ta kisha vrarë babanë?

- Sepse po flet pallavra, gjëra të paqena.

- Çfarë gjërash? Për shkak se të ftoj të dalim edhe një herë?

- Çka dëshiron nga unë? Sytë iu kishin mbushur me lot. E dinte se kjo ishte marrëzi, se kështu nuk sillen ato bukuroshet që i kishte parë në lokal, por nuk mund të përmbahej. I dukej sikur të gjithë ishin duke bërë hajgare me të - edhe Iliriana, edhe Petriti dhe të gjithë ata të tjerët, në lokal. Bile edhe vetë ajo sikur ishte duke luajtur me ndjenjat e saj. Djaloshi u tmerrua nga ky negativizëm i papritur. U tërhoq prapa dhe i ngriti duart, sikur të donte të mbrohej.

- Hej, hej, ngadalë! Harroje që fola! Që të thash ndonjë gjë. Tani të uroj natën e mirë dhe, kaq. Nuk dua asgjë nga ti, vetëm desha që të shiheshim edhe një herë, por tani e kam të qartë se sa e pavend ishte ajo ide. Miranda mezi arriti të thoshte "tung" para se të dilte nga vetura. E kaloi hyrjen e ndërtesës së saj dhe aty priti derisa u largua vetura, e më pas u nis në drejtim të kundërt, duke vrapuar. Aty gjendej Iliriana në veturën e vet, duke dëgjuar muzikë.

- Ti je e marrë! Si munde të më lije me një mashkull të tillë? Por shoqja nuk kuptonte, bile qeshte nga zemra. - Uh, çfarë loçke është ai! Shpresoj të kesh bërë diçka, sepse nëse nuk ke bërë, atëherë do ta vras veten që nuk e mora për vete.

- Çka të bëj? A je normal?

- Mos më thuaj se nuk i këmbyet numrat e telefonit?

- Natyrisht se jo. Iliriana i mëshoi ballit me dorë.

- Çfarë dëmi! A hiç nuk t'u vardis, a?

- Deshi që të shiheshim edhe një herë, por mua as që më shkonte ndërmend një gjë e tillë. Edhe ashtu, ai është i martuar.

- Kush të tha se është i martuar? - Ia pashë unazën në dorë. (vijon) 

(Kosova Sot)