Roman dashurie:Shumë larg shtëpisë (28)

  • 16 May 2018 - 16:41
Roman dashurie:Shumë larg shtëpisë (28)

Adelina, sa mirë që të shoh përsëri", tha Pejton duke e përshëndetur atë me një përqafim të ngrohtë. Adelina ndjeu se ishte tepër nervoze. "Edhe mua për ty, Pejton. Dukesh thjesht e mrekullueshme". "Lërmë mua. Dukesh për mrekulli. E gjelbra përfundimisht është ngjyra jote". "Më pëlqen shtëpia jote", tha Adelina, duke e shikuar edhe një herë dhomën. "Gjykuar nga pamja e jashtme, nuk do ta prisja një enterier kaq modern". "E di. Më pëlqen ky element i befasisë. Shtëpia ishte tepër e dëmtuar kur e blemë, prandaj mezi prisja që ta ndryshoja". "Paske bërë një punë të mrekullueshme". Adelina ndjeu se diçka iu fërkua për këmbësh, e kur shikoi pa një vajzë leshverdhë, e cila u fsheh pas fustanit të Pejtonit. "Ariana, do të duhej që të ishe në shtrat tani", i tha Pejton me vendosmëri. Adelina pa vajzën e vogël duke u ngjitur për këmbët e së ëmës. "Është tepër errët", u ankua Ariana. Ajo doli nga prapa Pejtonit dhe shikoi Adelinën me sytë e saj të mëdhenj, të çeltë. Flokët e saj kishin ngjyrë më të çeltë sesa të Pejtonit, por me dredhat e njëjta, si të saj. "Përshëndetje, unë jam Adelina", tha ajo. "Dhe ti sipas të gjitha gjasave je e bija e nënës tënde". Ajo u përkul që të fliste me vajzën e vogël në nivelin e saj. "Më duket sikur nuk ke më shumë se pesë vjet". Ariana pohoi me kokë. "Ia qëllove", tha Tefiku me zë të ulët. Ajo e kishte harruar Tefikun fare, aq shumë ishte e fiksuar te vajza e vogël. "Fustani yt i natës është i mrekullueshëm". Vajza e vogël kishte veshur një fustan me mëngë të gjata, ngjyrë të bardhë, të stolisur me flutura rozë dhe të hirta. "Ma kanë dhuruar për ditëlindje", tha Ariana. "E, kur e ke pasur ditëlindjen?", pyeti Adelina. "Më pesë tetor". Një palë duarsh të forta e ngritën Arianën nga toka. Ajo u gëzua derisa e kthenin me kokë teposhtë. "Kreg, mos e ngacmo tani", tha Pejton. "Është koha e gjumit". Adelina u drejtua dhe ia hodhi shikimin Kregut. Jo, as ai nuk i dukej i njohshëm. Kjo e bëri atë që të ndihet pak më mirë që nuk e kishte njohur Tefikun. "Tung, Adelinë", ka kaluar një kohë e gjatë prej se nuk jemi parë", tha Kreg. "Faleminderit që më keni ftuar sonte", tha ajo. "A po bën shaka, a? Tefiku do të çmendej sikur të mos e bëja këtë". Tefiku e pastroi fytin e tij. "Kjo është e vërtetë". Kregu e lëshoi me të shpejtë vajzën e tij në tokë, por ajo iu lut që ta merrte edhe një herë. "Tani shko në shtrat", i tha Pejton me vendosmëri. "Natën e mirë, Ariana", tha Adelina. "Ishte me të vërtetë kënaqësi të të takoja". "Natën e mirë, zonjë e bukur", iu përgjigj Ariana. "Xha Tefiku tani vazhdimisht flet për ty. Ndonjëherë bëhet tepër i mërzitshëm", tha ajo, duke rrotulluar sytë e saj të mëdhenj. Derisa Adelina mezi përmbahej që të mos qeshte, Tefikut dukej se nuk i erdhi aq mirë. Ai ia kishte ngulur sytë Adelinës, e cila me veshjen e saj dukej me të vërtetë tepër e bukur. "Më fal për këtë, Tefik", tha Pejton duke kërkuar falje për vajzën e saj. "Mos u shqetëso. Edhe ashtu, ajo pati të drejtë", tha Tefiku, duke marrë një pije. "Kur më tregoi se të kishte takuar, isha kureshtare të shihja a do ta merrte ai guximin që të të ftonte në takim", tha Pejton duke iu drejtuar kësaj here Adelinës. (vijon)

 

(Kosova Sot)