Roman dashurie:Gruaja me sekrete (23)

  • 18 July 2018 - 16:22
Roman dashurie:Gruaja me sekrete (23)

Vlora dridhej. Ai ishte tepër afër, e kërkonte që ta rrente, duke i thënë në sy se nuk e shikonte sikur që një grua e shikon mashkullin e pashëm. - Ti je i zënë, apo jo? Ke të dashur. E unë jam e re në këtë qytet dhe nuk di çka të bëj së pari, gjë që do ta vërejnë të gjitha lëneshat dhe nënat e tyre në qytet, nëse do të takohem me ty në atë mënyrë. Ndoshta nuk kupton, por... nuk kam nevojë për këtë. - Më refuzon, sepse kam të dashur? Dhe, për shkak se lëneshat, duke u bazuar në pamjen dhe paratë e mia, mendojnë se do të isha një burrë i përkryer? Ajo e dinte se, nga perspektiva e tij, kjo dukej krejt e çmendur. - Ti ke një të dashur, edhe vetë e konfirmove. Pse pret nga unë që të jem e dashura jote e dytë? - Kurrë nuk kam thënë se do të ishe e dyta. Unë nuk ha me dy lugë. Mund të jesh e para dhe e vetmja. Çdo gjë varet nga dëshira jote. Ajo u zbeh. Fjalët e tij i dukeshin sikur... fjalë filmi. - Do ta lije të dashurën tënde? Për shkak të meje, që mezi më njeh? - Jo për shkakun tënd, por për shkak të emocioneve që i zgjon në mua. Kjo kishte kuptim. Çdo gjë që ai kishte thënë deri më tani, tani kishte kuptim. - Jam e hutuar. Nuk e di... tani jemi ortakë, nuk do të ishte mirë që... - Përsëri kërkon arsyetime. Nuk të kuptoj. Ajo bëri me kokë. - Ndonjëherë nuk e kuptoj veten time. Por... nuk mundem tani që të flas për këtë. Më ke befasuar plotësisht. Me të vërtetë kam menduar se do të bisedojmë diçka që ka lidhje me punën tonë. Përnjëherë, sikur ai vendosi që ta ndërpriste atë muhabet. - Kuptoj. Ky është tani një reagim me mirësjellje, me të cilin ma bën me dije që të të lë të qetë. Në rregull. Hajde të kthehemi. Do të takohemi nesër në orën dhjetë, që ta shohësh një hapësirë për zyra dhe për shitje me pakicë. Nëse të pëlqen, mund ta marrim me qira. A dëshiron që të vij të të marr, te dyqani yt? - Po, në rregull. Sikur të donte t'i thoshte diçka, por nuk kishte fuqi. Ajo ishte shtangur e tëra, sikur femra kur sheh se mashkulli i saj i ëndrrave ia kërkon numrin e telefonit e ajo, duke mos iu besuar veshëve, vendosë që të mos e shikojë dhe të mos e vërejë kur ta takojë, për shkak të frikës nga e vërteta. Ndoshta vetëm bën shaka? Ndoshta ishte i gatshëm për gjithçka, vetëm për një fitim të vogël? Kurrë nuk i dihet. Disa meshkuj kishin qenë në lidhje me të vetëm pse kishte një mbiemër të njohur dhe pse kishte para me bollëk. Pa thënë gjë shkuan deri te vetura e saj. Aty edhe u ndanë. Vlora e kishte rëndë për shkak të një përfundimi të tillë. Njësoj vështirë e pati edhe kur ai e thirri pak më vonë. - Pse nuk më tregove se është një mashkull, i cili të vardiset? - Pash Zotin çka ke? Mos bëj zhurmë për asgjë. - Jo, jo. Është një mashkull, i cili ka qëllime ndaj teje. - Ai, nëse e ke fjalën për atë që po mendoj edhe unë, ka qëllime të njëjta edhe ndaj teje. - Unë këtë nuk po e fsheh. Këtë do ta vërente edhe qorri. Ajo u hutua. Edhe pse këtë e dinte edhe vetë, ky sinqeritet sikur e befasoi. - Shiko! Më mirë ta lëmë këtë bisedë. - Ai është mashkull i bukur dhe me të vërtetë është në gjendje që të fitojë para. E di se kjo i tërheq shumicën e femrave në qytetin tim, por ti nuk je e tillë dhe unë nuk dua që ai të të shantazhojë në këtë mënyrë. - Mos u shqetëso. Për këtë as që bëhet fjalë. Dëgjohemi nesër. - A ka gjasa që unë dhe ti... të jemi diçka më shumë sesa që jemi tani? (vijon)

 

 

(Kosova Sot)