Roman dashurie:Gruaja me sekrete (25)

  • 20 July 2018 - 15:59
Roman dashurie:Gruaja me sekrete (25)

Sokoli megjithatë ishte personi i vetëm me të cilin kalonte kohë jashtë punës. Në fakt, as për të nuk mund të ndante kushedi sa kohë, por së paku fundjavave dilnin për të pirë kade ose nganjëherë dilnin edhe në mbrëmje. E bindi që ta marrë edhe një punëtore në dyqan, pandërprerë e shprehte brengën se ajo dukej e rraskapitur dhe se është duke humbur peshë, ndërsa kjo sjellje mbrojtëse edhe më shumë bëhej domethënëse në sytë e saj, sepse Dini ishte indiferent. Lejonte që Sokoli t'i bëhej sa më i afërt, dukej sikur vetë ia hapte rrugën drejt zemrës së saj. Në muajin që erdhi dhjetëra produkte u bënë me ambalazhe, emra dhe specifika të përshkruara mirë, ndërsa objekti për shitje me pakicë filloi të mbushej me rafte, reklama, ngjyra dhe aksesorë të ndryshëm. Dëshira e saj ishte që të dukej sikur qilari i gjyshes dhe Dini u pajtua me këtë. Krenare për shkak se kishte kontribuuar në tërë këtë gjë, një ditë para ditëlindjes së saj i tha Dinit se dëshiron që ta vizitojë familjen dhe që do t'i duhej që të punojë pa të për disa ditë. Ai u pajtua, por tepër lehtë, gjë që sërish i pengoi asaj. Dukej sikur ai e kishte fshirë krejtësisht nga mendimet e tij ose po aktronte tepër mirë. Kur pak më vone gjatë asaj dite Sokoli hyri në dyqanin me antikitete dhe ia vërejti qeskat nën sy të cilat nuk kishte mundur që t'i mbulojë as grimi, i tha që t'i marrë disa ditë pushim dhe të shkojë te familja. Ai në mënyrë noshalante propozoi që të shkojnë së bashku. Kishte një vëlla atje, dhe do të mund të shkonin dhe të ktheheshin bashkë. Flutura me kënaqësi e pranoi propozimin e tij. E kishte më lehtë që atje ta dërgojë një pjesë të vogël të jetës së saj të këtushme. Natyrisht, kur arritën para shtëpisë së prindërve të saj, ajo këmbënguli që ai të hyjë së bashku me të. Dëshironte thjeshtë që ai ta konfirmojë suksesin e saj para njerëzve të cilët gjithmonë e kanë konsideruar si pamjaftueshëm të pjekur për të marrë vendime të mira. Kur pa sesi i ati i saj priti përzemërsisht Sokolin dhe si e nderonin ata dy njëri-tjetrin, diçka ndodhi. Ai mund të ishte dhëndër perfekt. Të dashurit e saj gjithmonë kishin qenë të mirëseardhur në atë shtëpi, por ishte vërejtur se me asnjërin nga ta prindërit e saj nuk kishin qenë të kënaqur. Thjesht, i toleronin, si figura kalimtare në jetën e vajzës së tyre. Ata asnjë lidhje të saj nuk e kishin marrë seriozisht. Për këtë shkak, Flutura më pas ndahej nga ata djem, duke u dorëzuar para mendimit të njerëzve që kishin një ndikim të madh edhe te populli. Thjesht nuk donte që të dëshmonte sesi ajo dinte më mirë se ata se çfarë ishte mirë, e çfarë keq, sepse në këtë fushë humbte gjithmonë. E, kësaj here, më së shumti i gëzohej Ukës. Ishte ai një mashkull që kurrë nuk do të piqej, një njeri i gëzueshëm, dorëlirë, bekri, joserioz dhe i parregulluar, por prapëseprapë i gëzuar. Ai e përqafoi motrën aq shumë, saqë ia bëri me dije se sa shumë i mungonte. - Kë e ke sjellë? Një të dashur të ri? - Mos u tall. Ky është një mik i babait, i cili më ka ndihmuar shumë. (vijon) 

 

 

(Kosova Sot)