Roman dashurie:Një jetë më e mirë (2) - Dashuri - Kosova Sot
Roman dashurie:Një jetë më e mirë (2)

Roman dashurie:Një jetë më e mirë (2)

Për fat të mirë, e ndoshta edhe për të keq, mbijetoi, por që nga ajo kohë kurrë më nuk ishte i njëjti. Jehonën nuk e lejonin që ta vizitojë në spital, por kur mbërriti në shtëpi me paterica dhe me dorën e djathtë të shtypur deri në bërryl, vajza mendoi që babai i saj i vërtetë përgjithmonë ka mbetur nën rrotat e atij kamioni të mallkuar. Dhe, siç ndodh zakonisht, Miloti filloi që të pijë. Pasi që më nuk mund ta përdorte dorën e djathtë, e tërë barra ra mbi nënën e mjerë të Jehonës. Buxheti shtëpiak u përgjysmua, e në tryezë nuk kishte ushqim të ri për çdo ditë, shpesh ua ndërprisnin rrymën, e shtëpia po bëhej gjithnjë e më e lënë pas dore. Pafuqia e babait po bëhej e padurueshme. Me dorën e tij të shëndoshë nuk mund t'i lidhte telat e elektricitetit, por në anën tjetër dinte që me të ta godasë bashkëshorten e tij, e nganjëherë edhe të bijën. Në atë kohë Jehona mësoi që të mos i zbulojë emocionet e saj. Madje edhe nëna e këshilloi që të mos reagojë kur Miloti të kthehej i dehur në shtëpi, e të mos qajë kur ajo pranon goditje nga ai, kështu që e mjera u mësua që të qajë në vete derisa fytyra e saj mbetej indiferente. Për ditëlindjen e shtatëmbëdhjetë të Jehonës nëna mbeti e shtrirë në shtrat. Kot e lusnin fqinjët Milotin që ta thërrasë mjekun, ndërsa ai u thoshte se e mallkuara vetëm po shtirej sepse është përtace. Dhe kur pas vetëm katër ditëve vdiq, nënës së Jehonës nuk ia justifikoi as vdekjen. Që nga ajo kohë Jehona jetonte me të atin me të cilin nuk bisedonte kurrë. Rrallë edhe takoheshin, pasi që ai jetonte natën me shishet e tij, e flinte gjatë tërë ditës. Në fillim jetonin nga ndihma sociale dhe nga paratë që ua dërgonin kushërinjtë e nënës nga Suedia. Megjithatë, me kalimin e kohës, farefisi e harroi Jehonën, e ndihma sociale nuk ishte e mjaftueshme për ushqimin e të dyve, e lëre më edhe për birrat që i pinte Miloti. Edhe pse Jehona kishte ambicie që pas shkollës së mesme të regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë, iu desh që t'i harrojë ëndrrat e saj dhe u punësua menjëherë në një kafene. Njerëzve u pëlqente, po gjithashtu mendonin se është e çuditshme dhe se kurrë nuk do të ishte një femër normale, duke pasur parasysh gjërat që i kishin ndodhur. E ishte jashtëzakonisht e bukur. Kishte flokë të gjatë me ngjyrë të zezë, ndërsa sytë e zi dhe qerpikët e gjatë ia jepnin një dukje përrallore. Mollëzat perfekte, hunda e vogël, buzët e plota me ngjyrë të qershisë, qafa e gjatë, përputheshin me trupin e zhvilluar të saj, gjëra që prej vitit në vit po bëheshin më tërheqëse për sytë e meshkujve. Gjinjtë i kishte si molla, belin e hollë, këmbët e gjata dhe të shtrënguara. Ecte lehtë, në mënyrë elegante, pa dijeni se ishte aq e bukur. Kjo nuk është për t'u çuditur, sepse asnjë prej të rinjve nuk i vardisej. Ishte e mallkuar me babanë e saj dhe me kushtet në të cilat jetonte. (vijon)

 

(Kosova Sot)

9 orë e 43 minuta më parë
17/10/18