Roman dashurie:Një jetë më e mirë (7)

  • 15 August 2018 - 16:37
Roman dashurie:Një jetë më e mirë (7)

Selamiu e dinte se ajo që nga mosha 13-vjeçare nuk kishte parë asgjë jashtë qytezës së saj. Iu afrua më shumë dhe ia kapi dorën. - Jehona, duhet të më besosh. E di se e ke vështirë, meqë babai yt nuk pyeti as ku po të çoj, e as si do të jetosh, kush do të përkujdeset për ty, as që të përshëndeti kur u ndatë. Nuk desha të të thosha asgjë derisa vozisja, meqë mendoj se që të dyve na duhet një kohë për ta marrë veten, për të biseduar rreth asaj që na pret. As që më ka shkuar mendja se do të të gjeja në atë qymez, se i ati yt do të të huazonte sikur të ishe biçikletë, e më së paku do të besoja se do të të merrja me vete. Pra, ky është një shok për ne të dy. Për këtë shkak, më së miri është që të ulemi këtu dhe të pimë diçka, që të shikohemi në sy dhe të shohim se ku qëndrojmë. Duhet të më besosh. Jehona i besonte. Pohoi me kokë dhe doli nga vetura, por nuk e lëshonte qesen e saj të madhe. - Lëre atë në auto. - Këtu i kam të gjitha. - Po, kuptova. Mos u shqetëso, do ta gjesh këtu kur të kthehemi. Fundja, nesër duhet të dalim që të të blejmë diçka. Është absurde që një zonjushë e re, kaq e bukur, të mos ketë çka të veshë. E dëgjoi. Derisa shkonin kah pompa e karburanteve, shikonte e magjepsur tërë ato vetura të reja. - Nuk e dija se pompat e benzinës kanë restorante. Te ne nuk kanë. - Tani kanë. Tani pompat e benzinës kanë edhe dhoma për të fjetur, bile. Jehona ndihej sikur të ishte në xhenet.

KAPITULLI I PESTË

Derisa e qiste sheqerin në kafe, Selamiu vërejti se vajza e shikonte me vëmendje. Jehona vetëm tani vërejti se daja i saj në fakt ishte i ri edhe pse flokët e thinjura ia kishin mbuluar tërë kokën. I dukej i qetë. - Dhe? Çka thua, si të dukem? Ajo u skuq. Kuptoi se e kishte tepruar me analizën e vet. - Nuk e di. Dukesh si njeri i mirë. - Mendoj se jam njeri i mirë. Edhe pse është e marrë ta thuash këtë, mirësia dëshmohet me demonstrohet. Më dëgjo tani. Nëna jote dhe unë kemi qenë të afërt. Atë e kam pasur çikë të tezes, nuk kemi qenë me gjak aq të afërt. Në fakt, prej se kam shkuar në qytetin e madh, jemi takuar vetëm 2-3 herë edhe atë, para se ti të lindje. E di pse erdha te ti. Diçka më tërhiqte që ta shihja të afërmen time, ty pra, për të cilën nuk dija as që ekzistonte. Ka pasur mosmarrëveshje në familjen tonë dhe disi jemi shpërndarë të gjithë. Por, unë jam këtu dhe kam për obligim të të them se çka të pret. E di se ty nuk të ka pyetur njeri për tërë këtë. Kuptova se veprova me egoizëm sikur yt atë dhe, në këtë moment, nuk jam hiç më i mirë se ai. Jehona u mërrol, meqë krahasimi me të atin nuk i pëlqeu aspak. - Nuk kuptoj... ti më the se je njeri i mirë. - Këtë duhet ta vlerësosh ti. Unë do të të them se kush jam dhe çka kam ndërmend të bëj për ty, por vendimin në fund do ta marrësh ti. As që të pyeta se a dëshiroje të vije me mua. (vijon) 

 

(Kosova Sot)