Ngjarje e vërtetë:Edhe pse jam e ve, kam të drejtë në dashuri (4)

  • 17 August 2018 - 16:21
Ngjarje e vërtetë:Edhe pse jam e ve, kam të drejtë në dashuri (4)

Kuptova sa e poshtëruar që isha dhe sa e shtypur në rolin tim të gruas së një njeriu të madh. Ndihesha e lirë, por në fakt nuk dija çka të bëja me atë liri. Përnjëherë ndihesha edhe e mençur dhe e dija se tani nuk duhej ta bëja as edhe një hap të pamatur. Mendoja rreth ndarjes. Kjo do të ishte një dalje e ndershme nga situata në të cilën ndodhesha, por çka do të fitoja me të? Lirinë. Për çka? Më shumë liri sesa që kisha dhe që kisha vendosur ta kisha, nuk më ishte e nevojshme. E Amiri a kishte nevojë për liri? Ndoshta dëshironte të martohej me atë gruan? Një grua e re dhe e bukur si ajo, jo rrallë ua imponon meshkujve martesën. Ai nuk deklarohej për këtë. A kishte heshtur për shkak që të mos i dëmtohej reputacioni, apo kjo për të ishte vetëm një aventurë kalimtare? Sa ishte duke zgjatur ajo, në fakt? A ishte kjo hera e parë që më mashtronte, apo kjo kishte ndodhur edhe më parë? Ishin të shumta pyetjet që më mundonin, por përkundër kësaj mblodha fuqinë dhe i thash vetvetes se një gjë e tillë nuk duhej aspak të më interesonte. Ky ishte problemi i tij. Duhet t'ia lë kohës që ta bëjë të veten. Më pas u bëra indiferente ndaj çdo gjëje. Aq indiferente, sa që më nuk doja as t'i bëja keq atij. Aq shumë isha nënshtruar ndaj tij dhe karrierës së tij, e çka kisha marrë në këmbim? Kjo ishte shenja më e mirë se martesës sime me të vërtetë i kishte ardhur fundi. E pyesja veten sesi do të reagonin fëmijët kur ta merrnin vesh të vërtetën rreth babait të tyre dhe ky ishte parametri i vetëm mbi të cilin i planifikoja veprimet e mia të ardhshme. E dija se, në rast të shkurorëzimit, ata do të ishin të vetmit që do të vuanin me të vërtetë. Mendoja dhe nuk mund të vendosja se a ia vlente që ata, në këtë moshë të ndjeshme, të ekspozohen ndaj një stresi kaq të madh. Në fund erdha deri te përfundimi se ndarja jonë për fëmijët do të ishte tepër e rëndë, mua nuk do të më sillte asgjë, e Amiri as që e kërkonte atë. Pra, le të vazhdojmë aty ku kishim mbetur. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Dhe, kushedi se deri kur do të vazhdoja ta luaja rolin e gruas së lumtur, sikur Amirit të mos i kishte rënë të fikët. - Pika në tru nuk mund të parashikohet - thoshin shokët e tij. Ai nuk pati shpëtim. Vdiq tri ditë më vonë. Askush nuk thoshte asgjë, por e kisha të qartë se të gjithë mendonin se më mirë është që vdiq, sesa të vazhdonte të jetonte ashtu, si bimë, për një kohë të gjatë. Gjatë atyre ditëve, sa jetoi pas goditjes në tru, të gjithë ia ofruam kujdesin më të mirë të mundshëm. Edhe për në varreza e përcollëm në mënyrë dinjitoze. Gjysma e qytetit kishte ardhur në varrim, ishin të shumtë ata që mbajtën fjalime, duke falënderuar kontributin e tij për zhvillimin e shkencës, flisnin për vetitë e tij njerëzore, e paraqitnin si një mjek të madh, por edhe si një njeri familjar. Nuk mund të them se nuk më preku vdekja e tij. fundja, tërë jetën e kisha kaluar nën hijen e tij, por kur në masën e njerëzve pashë edhe femrën me të cilën më kishte mashtruar, nuk mund të them se ndihesha si një e ve e pikëlluar. Kurrë nuk ia kisha falë atë veprim. Po ashtu, kurrë nuk kishim folur rreth saj, por edhe sikur të kishim folur, nuk besoj se do të ma thoshte të vërtetën. Por, instinkti im femëror më thoshte se ajo lidhje kishte zgjatur më shumë sesa disa takime epshore. Mendoj se ajo lidhje vazhdoi edhe pasi që i zura bashkë. Amiri nuk më kishte thënë asgjë e unë mendoja se, sa më pak që të dija, aq më mirë ishte. Gruaja që përzihet në martesën e huaj nuk e meriton që të interesohem më shumë rreth saj, mendoja. Fundja edhe nëse kisha probleme martesore, ky ishte problemi im dhe i burrit tim. I askujt tjetër. Dhe, kështu edhe mbetën gjërat. Deri ditën e varrimit të Amirit, ajo për mua nuk ekzistonte. (vijon)

 

(Kosova Sot)