Ngjarje e vërtetë:KUR U ZGJUA NGA KOMA ISHTE NJERI TJETËR (3)

  • 20 September 2018 - 15:29
Ngjarje e vërtetë:KUR U ZGJUA NGA KOMA ISHTE NJERI TJETËR (3)

Vitet e para na kaluan sikurse edhe shumë familjeve të reja. Dashuria na ndihmonte që t'i kalonim problemet dhe t'i përshtateshim jetës së re, e më pas erdhi shtatzënia, lindën fëmijët. Megjithëkëtë, na duhej të blinim edhe banesë dhe të formojmë familjen tonë në mënyrë që të mos jetojmë me qira. Astriti po punonte shumë. Shpeshherë shkonte për rrugëtime të gjata nëpër perëndim në mënyrë që të sillte sa më shumë të holla, e unë po mundohesha që të kursej sa më shumë që të kemi të holla për t'i paguar kreditë. Shumë shpejt jeta na u shndërrua në një monotoni, shkuarja në punë, kujdesi ndaj fëmijëve, vrapimi pas obligimeve. Nganjëherë kishim edhe disa grindje, por kjo nuk vërehej edhe aq. Po provoja ta kujtoja se kur ndodhi gjithë ky ndryshim, kur unë dhe Astriti im, anija jonë kur u fut në ujëra të turbullta. Mu kujtuat grindjet e mëdha midis nesh, të cilat kishin filluar me ndryshimet që kishin ndodhur në fabrikën e Astritit. Privatizimi dhe shitja e ndërmarrjeve në vendin tonë kishte ndikuar me largimin e shumë punëtorëve nga puna. Edhe fabrika e Astritit ishte në atë proces, e punëtorët po provonin t'i mbronin të drejtat e tyre duke bërë grevë. Nuk kishin çfarë për të humbur. Rrogat gjithmonë u vonoheshin, para shumë punëtorëve qëndronin dokumentet e rregulluara për t'i larguar nga puna dhe përmes grevës po mundoheshin të shpëtonin atë që mund të shpëtohej. Po jetonin nga paga ime me të cilën mezi i mbulonim faturat dhe shpenzimet e domosdoshme. Për çdo muaj po rrëshqisnim në borxhe. Astriti po bëhej gjithnjë e më nervoz. Tensionimi dhe mllefi i tij që kishte të bënte me punën derdhej në shtëpinë tonë. Ai po shfryhej në mua dhe në fëmijët, më shumë se kurdoherë. Shpeshherë ishim më të lumtur kur ai nuk ishte në shtëpi. E kam vërejtur se edhe fëmijët kërkonin arsyetime të mos jenë aty, kur i ati i tyre ishte në shtëpi. Kur kishte filluar kjo, i thashë që të kërkonte një punë tjetër. Po dyshoja se përmes grevës punëtorët do të mund të fitonin diçka. Kjo e kishte çmendur atë. filloi të bërtasë, se ai dhe punëtorët tjerë e kanë formuar atë fabrikë dhe se askush tash nuk mundet t'ua marrë atë. Pas kësaj nuk bëja më komente, duke ia lënë atij që vetë të marrë vendime. Edhe unë gjithnjë e më vështirë po pajtohesha me situatën e krijuar. E di se në ditën e martesës e kam pranuar që të jem pranë tij, në të mirë dhe në të keq, por e kuptova se po e kam gjithnjë e më të vështirë që të merrem me vështirësitë, në të cilat po gjendesha. Unë në plotësi po e kuptoja gjendjen e tij dhe po mund ta kuptoja se si ndihej Astriti. Nuk e kisha edhe të vështirë që të punoja nga mëngjesi deri në mbrëmje, nga i pari deri në të parin, por thjesht nuk kisha më forcë që të jam fajtori kryesor për të gjitha të këqijat që po i ndodhnin atij. Në vend se të lidhemi edhe më shumë, që njëri për tjetrin të jemi mbështetje, ne filluam të largohemi nga njëri-tjetri. Situata u bë edhe më e rëndë pas përfundimit të grevës. Edhe pse kishin marrë disa premtime të zbehta, realiteti i vërtetë ishte se pagat nuk po arrinin, e pas disa muajsh filluan edhe largimet. Edhe Astriti kishte marrë njoftim me shkrim për largimin nga puna. Atë ditë u kthye në shtëpi dehur, duke bërtitur, që gjithë lagja e kishte dëgjuar. Kur mëngjesin tjetër i dhashë vërejtje për këtë, ai m'u drejtua plot mllef: - Shikoji punët tua. Për një kohë ai qëndronte në shtëpi, por kur pas një muaji nuk kemi mundur t'i paguajmë faturat, pasi që fëmijët shkuan në shkollë dhe kishin nevojë për libra dhe fletore dhe rroba, borxhet e arritën kulmin, e a kishte vendosur të kërkonte punë. Si shofer i kamionit ai gjeti një punë të përkohshme në një fabrikë private, përderisa drejtori nuk e kishte lajmëruar si të tillë dhe nuk ia paguante stazhin shëndetësor, por se punonte në të zezën. Astriti nuk kishte shumë zgjidhje, por iu desh ta pranonte atë që i ofrohej, së paku t'i zvogëlojmë borxhet me të cilat jetonim. (vijon)

 

 

(Kosova Sot)