Roman Dashurie:Si u dashurova në ty (33)

  • 19 October 2018 - 16:45
Roman Dashurie:Si u dashurova në ty (33)

Një dorë e trashë, me qime të zeza, mori unazën nga unë dhe e vendosi në gishtin tim të tretë të dorës së djathtë, dorës së gabuar. Unaza e argjendtë kishte një njollë të kuqe, prandaj e fërkova për rrobash, me ç'rast pjesa e kuqe u zhduk. Një fytyrë e këndshme, me sy të kaltër, të zbehtë, të vendosur thellë në një fytyrë me mish. Goja lëvizë, por pa zë. Ai mbante diçka për mua. Një celular. Celularin tim? E preka pullën e rrumbullakët me simbolin e katrorit. Aty ishte Kyle, aq i pashëm, me fytyrën e tij ngjitur me atë timen, derisa putheshim. Në celularin tim. Nga figura në celular, ia lëshova sytë njeriut. Dukej konfuz. Dukej se kërkonte diçka nga unë. Ai bëri me dorë kah celulari dhe tha diçka. Veshët më kërcitën dhe përsëri fillova të dëgjoj. "Zonjushë? A ka ndokush të cilin mund ta thërrasim?" Zëri i tij ishte i thellë dhe i vrazhdët. Ia ngula sytë. Ta thërrasim? E, kë duhej ta thërrisja? Pse? "A më dëgjon?" "P-po. Ju dëgjoj". Zëri im ishte i zbehtë, i largët, i ngadalshëm. "Si e ke emrin, zemër?" Emrin? Përsëri ia ngula sytë. Kishte një puçërr në ballë, të kuqe dhe të mbledhur, që kishte nevojë të shpërthehej. "Nell. Unë quhem Nell Hawthorne." "A mund t'i thërrasësh prindërit e tu, Nell?" Oh. Ai donte që t'i thërrisja prindërit. "Pse?" Fytyra e tij u shtrembërua, kurse sytë iu mbyllën ngadalë, për t'iu hapur sërish, sikur të kishin marrë forcë nga diku. "Keni pësuar një aksident. Të kujtohet? Ti je e lënduar". E shikova dorën time, e cila më therte, por jo fort. Më pas shikova njeriun. "Aksident?" Mendja ime sikur vinte në vete. "E, ku është Kyle? Më duhet t'i them se e dua, se dua të martohem me të". Më pas mu kujtua gjithçka. Druri duke rënë. Unë, e paaftë që të lëvizja. Kyle, sytë e tij derisa bëheshin si të pajetë, derisa e shikoja. Dëgjova një bërtitje dhe një dënesje. Celulari më ra nga dora dhe dëgjova një zë që fliste nga larg. Errësira më kaploi. Mendimi im i fundit ishte se Kyle kishte vdekur. Ai më shpëtoi mua, e vet vdiq. Zemra më rënkonte, e goja më ulërinte. KAPITULLI I PESTË (Dy ditë më vonë). Kapa tufën e fundit të flokëve dhe e vendosa në vend me anë të kapëses. Mezi e njihja veten në pasqyrë. Isha e zbehtë, e bardhë si fantazmë, me rrathë të zi nën sy. Sytë e mi më shikonin nga pasqyra, të kaltër të zbehtë dhe bosh. "Nell?" zëri i nënës sime më erdhi nga prapa, i butë, hezitues. Ma shtrëngoi dorën. Unë nuk e tërhoqa atë. "Është koha për të shkuar, zemër". Nuk ndjeja asgjë. Nuk kisha lot. Isha bosh përbrenda, meqë boshllëku ishte më i mirë sesa agonia. Pohova me kokë dhe u ktheva prapa, që të largohesha nga dritarja. Babai ishte duke e mbajtur derën e shtëpisë të hapur, duke më shikuar me kujdes, sikur çdo moment të mund të shpërtheja, apo të rrëzohesha sikur një kullë me karta. Dhe, kjo ishte e mundur që të ndodhte. Por, megjithatë, nuk do të ndodhte, meqë për të ndodhur një gjë e tillë, duhet të kesh ndjenja. E, unë nuk kisha ndjenja. Asgjë! Asgjë! Meqë ashtu ishte më mirë! Zbrita ngadalë shkallët dhe hyra prapa, në Mercedesin e zi të tim atë. Pashë të ëmën duke u ndalur para derës, duke e shikuar babanë në sy dhe duke më shikuar më pas, që të dy, të shqetësuar. Më pas babai e mbylli derën dhe që të dy hynë në veturë. U larguam në heshtje. (vijon)

 

(Kosova Sot)