Ngjarje e vërtetë:DIKTATORI NË SHTËPINË TONË (6)

  • 21 October 2018 - 16:03
Ngjarje e vërtetë:DIKTATORI NË SHTËPINË TONË (6)

 Nënë, pse je e këtillë? - e pyeta një pasdite pasi që, me kërkesën e saj, ia bëra një çaj, ia përgatita kafjallin dhe ia preva thonjtë e këmbëve. Më shikoi me ashpërsi, pa asnjë pikë butësie. - E, si qenkam unë? Pse ende në mua ekzistonte ajo frika, e cila nuk më lejonte që të bisedoja me të si gruaja me grua? Me gjasë kjo ishte pasojë e një edukate të keqe me të cilën jam rritur. - Do të doja që t'ia kalonim më mirë - fillova ngadalë derisa ia veja çorapet në këmbë. - Sikur unë nuk e dua një gjë të tillë! - më tha me një zë të ashpër. - Por, çka të bëj kur ju jeni një familje kaq e çuditshme! Pasi që i dëgjova këto fjalë, automatikisht e ngrita shikimin, për të parë mos ajo ishte duke bërë shaka. Por, shikimi i ashpër i saj tregonte se e kishte seriozisht. - Kur mendoj ndonjëherë se sa mund kam bërë duke ju edukuar, ty dhe Lulen, e tani, çfarë dobie kam nga një gjë e tillë? Asnjëra nga ju nuk arriti asgjë në jetë. Ajo të paktën qe aq e mençur, saqë u nda nga ai, "i saji", për dallim prej teje. Ndjeja sesi më shtrëngonte gjoksi dhe më zihej fryma. O Zot, mos vallë do të më kapte farë infarkti tani, mendoja derisa dhimbja filloi që të më zbriste përgjatë dorës së majtë. - Po, po! Mirë më dëgjove! Fakti që je martuar me atë qyqarin Vegim është gabimi yt më i madh. E edhe fëmijët atij i kanë ngjarë… Doja ta lusja që të ndalej, por ajo bluante si rrotë e mullirit. Më pas u ngrita dhe dola. Urgjentisht kisha nevojë për ajër të freskët. Pasi që mu largua dhembja në gjoks, fillova që të shëtisja rrugës teposhtë. Në fillim ecja pa ndonjë qëllim të caktuar, e më pas mu kujtua ku mund të shkoja. - Më nuk mund të kthehem atje - i thashë kushërirës sime, Blerta. - Më së keqi është se nuk e kam aspak mbështetjen e familjes - i qahesha asaj. - Lëri pak që vet të ballafaqohen me nënën tënde. Ti mund të rrish këtu sa të duash - më tha ajo. - A mendon se kjo do të ishte gjë e mirë? - i thashë, duke e shikuar e habitur. - Natyrisht! Ti mundohesh t'ua bësh qejfin të gjithëve, por të tjerët e marrin si të gatshëm këtë që e bën ti. Duhet t'i lësh pak që ta shohin si është pa ty. Ideja e saj më pëlqeu, prandaj edhe e pranova. Më duhej pak qetësi, meqë nervat i kisha tepër të tendosura. Por, nuk vonoi shumë, e në shtëpinë tonë filloi të mbretëronte paniku. Që atë mbrëmje në celular filluan të më vijnë thirrje pas thirrjeje. Së pari më telefonoi Vegimi, e më pas, njëri pas tjetrit edhe fëmijët e mi. Të gjithë e kishin vetëm një pyetje: Ku je dhe kur do të kthehesh. Kur iu thashë se nuk do të kthehesha për disa ditë, ata i kaploi dëshpërimi. Fundjava, e kaluar pa mua, bëri që tërë familja ime të kaplohej nga dëshpërimi. Të dielën mbrëma para derës së Blertës u vizatua Vegimi. Ishte i zemëruar, por kur më pa mua, u qetësua. - Të gjithë ju iknit nga shtëpia, por tani është radha ime. Tani mund të them: më është mërzitur çdo gjë! Pas lutjeve të shumta, ia dolën që të më bindnin të kthehesha në shtëpi. Për befasinë time, në shtëpi mbretëronte një atmosferë krejt tjetër. Vegimi sillej si mos më mirë, fëmijët silleshin mirë, e edhe nëna ime përmbahej për të mos bërë komente të këqija. Pas muajve të gjatë të situatës së padurueshme që kishte mbretëruar më përpara, tani më dukej se kisha shkuar në xhenet. Por, kur një muaj më pas më telefonoi Lulja e gëzuar, duke më thënë se kishte gjetur punë, më duket se më shumë u gëzova unë, sepse tani nëna do të mund të kthehej në azil, për të cilin vajtonte çdo ditë të lume. E ne, përfundimisht do të mund t'i kthehemi jetës normale. FUND

NGA NESËR MUND TË LEXONI TREGIMIN E VËRTETË:

“RAPORTI IM SPECIAL ME MOTRËN”

(Kosova Sot)