Ngjarje e vërtetë:E URREJ JETËN TIME (3)

  • 08 November 2018 - 16:12
Ngjarje e vërtetë:E URREJ JETËN TIME (3)

Pasi që u gjet në rrugë me fëmijën e vogël, për pak sa nuk u ngri, prandaj në atë gjendje e morën disa njerëz të mirë, modestë nga fqinjësia, duke i ndihmuar derisa ta gjente një zgjidhje. Ajo qëndroi te ta, duke iu ndihmuar në punët e shtëpisë, meqë ata tanimë ishin të sëmurë dhe të vjetër, e ata në këmbim i jepnin ushqim dhe i ndihmonin rreth Dardanes. Dardanja i kujtonte ata si gjyshin dhe gjyshen, meqë prindërit e nënës ajo kurrë nuk i njohu. Pasi që bamirësit e tyre vdiqën njëri pas tjetrit, brenda një periudhe prej tre muajsh, Dardania dhe nëna e saj e trashëguan shtëpinë e tyre, meqë ata nuk kishin fëmijë, e kishin filluar ta donin pa masë Dardanen. Nëna e saj vazhdoi që të punonte si pastruese nëpër shtëpi të ndryshme, në mënyrë që Dardania t'i kishte të gjitha kushtet dhe t'i kryente shkollat më të mira. Duke u rritur, ajo vinte e shndërrohej në një krijesë egocentrike, vetjake, e cila gjithmonë ishte e gatshme që "të godiste e para". Ky ishte një qëndrim krejt mbrojtës, por ajo e kishte të vështirë që të hapej para të tjerëve dhe të ishte e sinqertë, meqë nuk i besonte askujt. Flora e kuptonte dhe i vinte tepër keq për fatin e saj, meqë me siguri se nuk është lehtë që të rritesh pa baba, apo më mirë të themi me një baba i cili ekziston diku, por që nuk dëshiron as të të njohë, e lëre më të të shohë. Po ashtu, nuk ishte lehtë të rriteshe as me një gjysh e gjyshe të cilët as që donin të dëgjonin për ekzistimin tënd. Prej se ishin njoftuar në shkollën fillore, Flora gjithmonë kishte mirëkuptim për sjelljen e Dardanes, meqë ishte ndër personat e rrallë që e dinte tregimin e vërtetë jetësor të saj. Për këtë shkak, për të gjenden gjithmonë arsyetime, pa marrë parasysh se çka bënte, e një raport i tillë i tyre ishte vështirë i kuptueshëm për të tjerët. Flora megjithatë e njihte në shpirt shoqen e saj, duke i parë edhe kualitetet e saj, gjë që të tjerët nuk mund t'i shihnin. Në disa situata Dardania i kishte ndihmuar në një moment kur të gjithë të tjerët e kishin refuzuar, gjë që Flora nuk donte dhe nuk mundte ta harronte. Dardania ishte mendjelehtë, bile edhe sipërfaqësore, por për dikë që e donte, ishte në gjendje të bënte gjithçka. Për Florën ajo ishte si një lloj i motrës së keqe, motrës me të cilën gjithmonë ke ndonjë problem dhe grindje, por në esencë nuk mund të jetosh pa të. Për këtë shkak ajo e mbronte shoqen e vet, bile edhe pasi që u martua dhe hasi në një moskuptim të arsyeshëm nga ana e burrit të saj. Kur ia tregoi rrëfimin e saj, ai e ndryshoi mendimin paksa, por konstatoi se asaj nuk i kishte ndodhur asgjë e keqe, dhe se ajo tani nuk mund ta jetonte tërë jetën në llogari të së kaluarës së saj. Flora nuk mund të pajtohej me të, meqë mendonte se ai ishte një mashkull tipik, pa ndjenja, i cili nuk ishte në gjendje që ta kuptonte natyrën e brishtë dhe të çuditshme të femrës. Në fund më nuk bisedonin për atë temë, meqë nuk mund të binin dakord, por ai sa herë që duhej, dilte nga banesa, për t'ia lëshuar Dardanes. Por, me kalimin e kohës, ai gjithnjë e më pak ishte në gjendje që të sakrifikohej për një grua, e cila, sipas mendimit të tij, nuk e meritonte një gjë të tillë. - Nuk dua të të përzihem në miqësitë e tua, por Dardania është duke na shfrytëzuar të gjithëve - i kishte thënë Florës. - Ti je sentimentale ndaj fëmijërisë tuaj të përbashkët, por unë jam i bindur se ajo nuk mërzitet fare për një gjë të tillë. Ajo është në gjendje që të të "shesë" për gjëra tepër të vogla, e lëre më në raste kritike. Dardania mendon vetëm për veten e saj dhe nuk e do askënd përpos vetes së saj, mos e harro këtë - i kishte thënë ai Florës në një rast. (vijon)

 

(Kosova Sot)