Ngjarje e vërtetë:NË PËRQAFIM TË INSTRUKTORIT TË SKIJIMIT (4)

  • 17 November 2018 - 16:51
Ngjarje e vërtetë:NË PËRQAFIM TË INSTRUKTORIT TË SKIJIMIT (4)

Pasi përfundoi dita e parë e shkollës së skijimit, isha në qiellin e shtatë nga lumturia. Më pëlqente ajo që kisha mësuar, por mavijosjet e fituara ishin të dukshme në disa vende. Më kujtohej ajo thënia e vjetër: pa djersë nuk ka asgjë dhe mundohesha që të vendosesha në një pjesë të trupit që nuk më dhembte. Hana buzëqeshte derisa i tregoja sesi më kishte kaluar dita, duke i dhënë këshilla të cilat më vonë u treguan si të dobishme. I interesonte ta dinte si duket mësuesi i skijimit dhe a më pëlqen ai, e unë, pas ditës së parë, nuk dija çka t'i thosha. Ai ishte i pashëm dhe simpatik, por derisa mundohesha ta mësoja skijimin, nuk mund të përqendrohesha shumë te ai, si mashkull. Çdo ditë skijimi më pëlqente gjithnjë e më shumë. Fillova që t'i vëreja sytë e kaltër të instruktorit, të kaltër si qielli. Kur, një mbrëmje, ai m'u afrua duke më ftuar që të vallëzonim, zemra filloi që të më rrihte më shumë sesa ndonjëherë në jetë. - Adelina, prej nga je? - më pyeti derisa ishim duke vallëzuar me ritëm të muzikës. - Nga një vend i vogël në Evropë, në Ballkan - i thashë, e bindur se ai, këtu në Kolorado, kurrë nuk do të kishte dëgjuar për vendin tonë. Buzëqeshja iu vizatua në fytyrë, e duart e tij fuqishëm tërhoqën trupin tim kah ai i atij. - Kam dëgjuar se aty jetojnë femrat më të bukura në botë, e tani edhe personalisht u binda në këtë - i pëshpërita në vesh. - Nga kush keni dëgjuar - e pyeta derisa zemra më rrihte si e marrë, derisa në hundë shijoja parfumin e tij të shtrenjtë. - Shoku im më i mirë quhet Rinor. Ka lindur atje diku. Shpesh më flet për vendin e tij. Disa herë më ka ftuar që të shkoj me të, gjatë verës, por nuk kam pasur kohë. Ndoshta sivjet do të mund të vij atje, meqë përpos Rinonit, do ta kem edhe një shoqe, nëse nuk ma zë për të madhe për të gjitha sharjet që t'i kam bërë si mësues i skijimit, tha ai duke bërë shaka. - Me gjithë qejf do të të bëhem shoqe - i thashë, tërësisht e dehur nga prania e tij afër meje. Në atë moment pushoi muzika. Shava në vetvete. A thua asgjë në jetë nuk mund të më shkojë si duhet? U ndamë nga njëri-tjetri, e ai, sikur një xhentëlmen i vërtetë, më përcolli deri te vendi im. Boby iu kthye shoqërisë së tij, derisa koleget e mia nuk pushonin duke u tallur me mua. Më thoshin se ishim çift ideal. - Adelina, gjithnjë e më tepër më duket se ka mundësi që të kthehemi në shtëpi pa ty. Është evidente se sa shumë i pëlqen instruktorit - tha Ana. Unë bëja me dorë, duke tentuar që ta ndërroja temën. Gjatë pjesës tjetër të mbrëmjes shikimi vazhdimisht më shkonte kah tavolina ku qëndronte ai, sikur edhe ai që vazhdimisht shikonte kah unë. Shikoheshim si dy nxënës shkolle, që qëndrojnë ulur njëri përballë tjetrit në klasë. Kur shoqëria e tij u larguan, ai erdhi te ne, duke na uruar natë të mirë. Gjatë tërë natës i ëndërrova sytë e tij, si dhe duart që më tërhiqnin me fuqi kah vetja. Të nesërmen mezi përqendrohesha në skijim. E tëra që kisha në mendje ishte ai. Kisha rënë në dashuri, si asnjëherë më parë. Dy herë u rrëzova gjatë skijimit. Herën e dytë në fakt u shtira, sikur që u shtira se nuk mund të ngrihesha. Boby menjëherë erdhi pranë meje. Nxënësit e vet ia la një instruktori tjetër, e mua më mori në krahë. Bëhesha sikur nuk mund të ecja, prandaj ai më ndihmoi që të shkoja deri në dhomë të hotelit. (vijon)

 

(Kosova Sot)