Dokumenti i rrallë/ Si e ndaloi Enver Hoxha hashashin në vitin 1947

  • 29 June 2017 - 09:54
Dokumenti i rrallë/ Si e ndaloi Enver Hoxha hashashin në vitin 1947

A jemi ne një popull i droguar? Jo nga këto drogat që përdoren tani. Flitet për gjyshërit dhe baballarët tanë. 50-60 vjet më parë hashashi ishte ilaçi familjar më i përhapur për të vënë në gjumë fëmijët dhe për tu marrë me punët e ditës.

Një lugë me lëng hashashi dhe top gjithë ditën. Prindërit mbaronin punët e përditshme me orare të zgjatura, shkonin në pazar dhe vetëm pas 16 orësh ktheheshin në shtëpi. Kjo traditë në fakt vazhdoi ilegalisht deri vonë. Hashashi përdorej fshehurazi, por askush nuk u dënua në komunizëm.

Këto ditë Drejtori i Arkivit Shtetëror Vendor në Vlorë, Auron Rrokaj, ka publikuar në rrjetet sociale një dokument të rrallë, që bën fjalë për vitin 1947 dhe i referohet Ministrisë së Shëndetësisë. Në një qarkore, që ministri i Shëndetësisë së kohës, dr. Medar Shtylla, ua drejton seksioneve të shëndetësisë në të gjithë prefekturat e vendit, kërkohet që të ndalohet shitja e përdorimi i hashashit, citon Shekulli. Ministri i qeverisë komuniste të Enver Hoxhës pranon se shitja e hashashit bëhet lirisht në treg, “veçanërisht ndër ditë pazari”. Ai shprehet se hashashi përdoret edhe në familjet shqiptare për të qetësuar fëmijët, kur ata qajnë.

Më poshtë teksti i plotë i dokumentit

Qarkore

Lënda: Mbi hashashin

Gjithë Komiteteve Eks.K.P. të prefekturave (seksioneve të shëndetësisë)

Nji ndër veset shumë të këqija në vendin t’onë, në lidhje me rritjen e foshnjave, asht dhanja e Hashashit, fuqia dejëse e të cilit përdoret për të qetësue fëmij të qajnë ose janë të çqetesuen.

Shitja e tij ushtrohet lirisht në treg, veçanërisht ndër ditë pazari.

Tue qenë se hashashi asht nji narkotik i fuqishëm e shumë e shumë i rrezikshëm për organizmin, porositeni të merrni gjithë masat e duhura për ndalimin e shitjes e përdorimit të tij.

(Kosova Sot)