Kur Stalini i tha delegacionit jugosllav: Gëlltiteni Shqipërinë!?

  • 29 August 2016 - 10:13
Kur Stalini i tha delegacionit jugosllav: Gëlltiteni Shqipërinë!?

Në takimin e 10 shkurtit 1948 midis delegacionit jugosllav dhe atij sovjetik, të cilave ju prinin Eduar Kardeli dhe Josef Stalini, u shtrua çështja e zhvillimeve në Shqipëri. Stalini ishte i njohur në detaje me ato zhvillime, kurse jugosllavët, duke taktizuar nuk shprehnin interesim që me Stalinin t’i hapnin të gjitha “letrat” rreth çështjes shqiptare. Megjithatë, u fol për Enver Hoxhën, për vetëvrasjen e Nako Spiros, për federatën jugosllavo-shqiptare etj. Telegrafi sjell çështjen shqiptare në bisedimet sovjetiko-jugosllave, sipas verzionit të Milovan Gjilasit, përgatitur nga historiani Agim Zogaj.

Kështu, unë u nisa për në Moskë – nëse më mban kujtesa mirë, më 8 janar 1948, me ndjenjën e dyfishtë: me mirënjohjen se pse Stalini më kishte ftuar pikërisht mua, mirëpo edhe me dyshimet se kjo nuk është e rastësishme dhe me qëllime të pastra ndaj Titos dhe KQ të Jugosllavisë.

Stalini: Ne nuk kemi interesa në Shqipëri!

Kurrfarë udhëzimesh dhe sugjerimesh të veçanta nuk kisha marrë nga Beogradi. Meqenëse isha në rrethin e ngushtë të udhëheqjes, edhe gjatë marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, ishte qëndrimi se përfaqësuesit sovjetik nuk do të duhej që kursin tashti më të trasuar rreth bashkimit të Jugosllavisë me Shqipërinë do ta pengojnë me çfarëdo linjë jotaktike. Pra, kurrfarë udhëzimesh nuk më ishin nevojitur…

Vetëm pasi kishin kaluar disa orë nga arritja ime në Moskë – ishim thelluar në bisedë të përzemërt me ambasadorin tonë Vladimir Popoviq – cingëroi telefoni në tavolinën e tij: nga Ministria e Punëve të Jashtme sovjetike pyeten nëse jam i lodhur, sepse Stalini dëshironte të më takojë menjëherë, të njëjtën natë.

Si zakonisht, kah ora nëntë në mbrëmje më dërguan në Kremlin, në zyrën e Stalinit. Aty ishin Stalini, Molotovi dhe Zhdanovi, i cili ishte i angazhuar në Politbyro edhe me marrëdhëniet me partitë e huaja. Pas përshëndetjes së zakonshme, Stalini menjëherë kaloi në temë: “Juve në Shqipëri po ju vriten anëtarët e KQ-së! Kjo është shumë keq, tepër keq”!

Unë fillova të shpjegoj: “Nako Spiru iu ka kundërvënë lidhjes së Shqipërisë me Jugosllavinë, është izoluar në Komitetin e tij Qendror”. Mirëpo, as nuk kisha mbaruar, kur Stalini në befasinë time tha: “Ne nuk kemi kurrfarë interesash të veçanta në Shqipëri. Ne pajtohemi që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë”! Me atë rast ai i tuboi gishtat e dorës së djathtë dhe duke i bartur kah goja, bëri me ta gjestin e gëlltitjes.

Mua më befasoi, ajo mënyrë e shprehjes së gjestit të gëlltitjes nga ana e Stalinit, por nuk e di nëse kjo vërehej edhe në fytyrën time, sepse u përpoqa që tërë atë ta kthejë në humor dhe ta kuptojë si të zakonshme mënyrën e shprehjes figurative të Stalinit. Përsëri shpjegova: “Nuk është fjala për gëlltitje, por për bashkim”! Mirëpo, me këtë rast ndërhyri Molotovi: “Po, kjo është gëlltitje”! Kurse Stalini, sërish me atë gjestin e tij: “Po, po, gëlltitje. Mirëpo, ne me atë pajtohemi. Ju duhet ta gëlltitni Shqipërinë, sa më parë aq më mirë”.

Përkundër asaj, mënyrës së shprehjes, e tërë atmosfera ishte e përzemërt dhe më tepër se miqësore. Madje, edhe Molotovi çështjen e gëlltitjes e tha me një emocion humori, jo bash të zakonshëm për të.

Gjilas: Enver Hoxha është mikroborgjez!!!

Afrimit dhe bashkimit me Shqipërinë unë i isha qasur me inspirime të sinqerta dhe revolucionare. Kisha menduar, si edhe shumë të tjerë, se bashkimi, me pajtim vullnetar të udhëheqjes shqiptare, do të ishte jo vetëm e dobishme për Jugosllavinë dhe Shqipërinë, por njëkohësisht do të mbyllte mos durimet dhe konfliktet tradicionale midis serbëve dhe shqiptarëve. Kjo, sipas mendimit tim, ishte e rëndësisë së veçantë, sepse do të mundësonte bashkimin e pakicës së madhe kompakte shqiptare me Shqipërinë, si republikë e veçantë në federatën jugosllavo-shqiptare. Çfarëdo zgjidhje tjetër e problemit të pakicës shqiptare më dukej e parealizueshme, duke pasur parasysh faktin se thjesht dhënia e territoreve jugosllave, të banuara me shqiptarët, do të nxiste rezistencë të pakapërcyeshme edhe në vetë Partinë Komuniste Jugosllave.

Dhe, ndonëse nuk më shkonte në mendje që të bëj shmangie nga pikëpamjet e udhëheqjes së vendit tim dhe që Stalinit t’i jap të drejtë, ndërhyrjet e Stalinit fillimisht më imponuan dy mendime: e para kishte të bënte me atë se diçka nuk është në rregull me politikën jugosllave ndaj Shqipërisë dhe mendimi i dytë se Bashkimi Sovjetik i kishte bashkuar shtetet baltike duke i gëlltitur – vërejtja e Molotovit drejtpërdrejtë sinjalizonte këtë.

Të dy mendimet janë pikëtakuar në një – në ndjenjën e pakënaqësisë.

Mendimi se ka diçka të pa qartë dhe joparimore në politikën jugosllave ndaj Shqipërisë, ishte larg asaj që unë atë politikë ta pranoj si “gëlltitje”, mirëpo më shkoi mendja se kjo nuk përputhet me dëshirën dhe vullnetin e komunistëve shqiptarë. Pse ishte vrarë Nako Spiru? Ai nuk ishte aq “mikroborgjez” dhe ”i ngarkuar me nacionalizëm”? Dhe, çfarë nëse shqiptarët, si edhe ne jugosllavët, dëshirojnë që të kenë shtetin e tyre të veçantë? Nëse bashkimi realizohet jashtë vullnetit dhe me shfrytëzimin e mjerimit dhe izolimit shqiptar, kjo do të sjellë deri te konfliktet dhe vështirësitë e paparapara? Mos bashkimin shqiptarët do ta kuptojnë si humbje të pavarësisë?

Sa i përket pikëpamjes së dytë, se BRSS-ja i ka gëlltitur vendet baltike, unë këtë e kam lidhur me të parën, duke përsëritur dhe duke i vërtetuar vetitë se ne jugosllavët me bashkimin me Shqipërinë nuk duam dhe nuk guxojmë të shkojmë në të njëjtën rrugë, kurse nuk ekziston as rreziku i drejtpërdrejtë që ndonjë fuqi imperialiste që të ndrydhë Shqipërinë dhe ta shfrytëzojë si bazë kundër Jugosllavisë. Mirëpo, Stalini ma ktheu: “E Hoxha, çfarë është ai sipas pikëpamjes suaj”? Unë hezitova përgjigjen e drejtpërdrejtë dhe të qartë, mirëpo Stalini e shprehu pikërisht atë mendim siç ishte folur për Hoxhën në udhëheqjen jugosllave: “Ai është mikroborgjez, i përshtatshëm? Po, edhe ne ashtu mendojmë. “Si duket, atje njeriu më i fortë është njeriu Xoxe”? Unë konfirmova pyetjet e tij.

Çështja e Federatës ballkanike!

Stalini e mbaroi bisedën për Shqipërinë, e cila bisedë zgjati dhjetë minuta. “Mes nesh nuk ka dallime. Mirëpo, ju personalisht i shkruani depeshe Titos në emër të Qeverisë sovjetike lidhur me këtë dhe ma sillni nesër”. Në atë çast unë këtë e ndjeva si shenjë të besimit të veçantë ndaj meje dhe si pajtim me politikën jugosllave ndaj Shqipërisë. Kjo depeshë kurrë nuk i është dërguar Qeverisë jugosllave, mirëpo u shfrytëzua kundër Jugsllavisë në konfliktet e mëvonshme midis Moskës dhe Beogradit.

Kardeli dhe Bakariqi kanë ardhur të dielën, më 8 shkurt 1948 (në Moskë). Në të vërtetë, Qeveria sovjetike i kishte ftuar Titon, mirëpo në Beograd kamufluan sikur ai nuk është mirë me shëndet, që në fakt edhe nga ky interpretim mund të vërehej mosbesimi reciprok, prandaj në vend të tij erdhi Kardeli. Njëkohësisht, ishte ftuar edhe delegacioni bullgar, përkatësisht Komiteti Qendror, për çka na kishte informuar Lesakov, duke thënë qëllimisht se nga Bullgarua kanë ardhur “kryesorët”…

Kardeli atëherë, ose menjëherë me të arritur, më tregoi se shkaku i drejtpërdrejtë i mosmarrëveshjeve me Moskën, ishte marrëveshja midis Qeverisë jugosllave dhe shqiptare për futjen e dy divizioneve jugosllave në Shqipëri. Divizionet tashti më ishin të kompletuara, kurse korpusi i aviacionit jugosllav tashti më ishte në Shqipëri. Pra, Moska kishte kundërshtuar, duke mos pranuar arsyetimet jugosllave se divizionet jugosllave duhet ta mbrojnë Shqipërinë nga sulmi i mundshëm i “monarkofashistëve” grekë. Në depeshen e vet, drejtuar Beogradit, Molotovi ishte kërcënuar me mospajtim publik.

Askush nuk na kishte lajmëruar për asgjë dhe kurrfarë shenjash nuk kishte nga ana sovjetike, deri në mbrëmjen e nesërme, më 10 janar, kur diku kah ora 21 na tubuan dhe me vetura na dërguan në zyrën e Stalinit në Kremlin. Atje i kemi pritur bullgarët 15 minuta – Dimitrovin, Kolarovin dhe Kostovin – dhe posa ata arritën, na futën te Stalini. U ulëm ashtu që në të djathtë të Stalinit ishin Molotovi, Zhdanovi, Malenkovi, Suslovi, Zorin, kurse në të majtë ishin Kolarovi, Dimitrovi, dhe pastaj përfaqësuesit jugosllavë, Kardeli, unë dhe Bakariqi…

Stalini tha: “Unioni doganor, federata midis Rumanisë dhe Bullgarisë – këto janë budallallëqe! Çështje tjetër është federata midis Jugosllavisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë. Ka këtu lidhje historike dhe të tjera. Këtë federatë duhet krijuar dhe atë sa më parë, aq më mirë. Po, sa më parë, aq më mirë, menjëherë/ Nëse është e mundshme që nesër. Po, që nesër, nëse është e mundshme! Merruni vesh menjëherë për këtë”.

Konflikti Stalin-Kardel!

Dikush, mendoi se ai ishte Kardeli që vuri në dukje se tashti vonë po punohet në federatën jugosllavo-shqiptare. Mirëpo, Stalini theksoi: “Jo, së pari federata midis Bullgarisë dhe Jugosllavisë, e pastaj e këtyre dyjave me Shqipërinë”. Dhe pastaj shtoi: “Ne mendojmë se duhet formuar edhe federatën midis Rumanisë dhe Hungarisë, si dhe midis Polonisë dhe Çekosllovakisë”. Diskutimi për një moment qetësohet.

Stalini çështjen e federatës më nuk e zhvilloi. Vetëm më vonë, në formë direkte përsëriti se duhet menjëherë që të formohet federata midis Jugosllavisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë… Më në fund, fjala vjen Kardeli. Ai ishte i skuqur, tek ai shprehen shenjat e shqetësimit, sepse e kishte futur kokën nën krahë dhe në fjali bënte pauza, edhe atje ku nuk e kishin vendin. Ai thekson se marrëveshja midis Jugosllavisë dhe Bullgarisë, e nënshkruar në Bled, i ishte dërguar paraprakisht Qeverisë sovjetike, mirëpo kjo nuk kishte bërë kurrfarë vërejtjesh, përveç në kohëzgjatjen e marrëveshjës: “Në vend të ‘përgjithmonë’ – 20 vjet”.

Stalini i heshtur dhe jo pa qortime, shikonte Molotovin i cili pohonte me kokë dhe me buzë të ngjitura konfirmonte fjalët e Kardelit. Kardeli tha se përveç asaj vërejtjeje, të cilën e kemi aprovuar, nuk kishte mosmarrëveshje… Mirëpo Stalini e ndërpreu, me hidhërim jo të vogël, megjithëse me më pak ofendim se sa Dimitrovin: “Vërtetë! Ka mosmarrëveshje, dhe atë të thella! Çfarë do të thoshit për Shqipërinë? Aspak nuk na keni konsultuar për futjen e ushtrisë në Shqipëri”. Kardeli tha se për këtë ka ekzistuar pajtimi i Qeverisë shqiptare.

Stalini bërtiti: “Kjo do të mund të sillte deri te komplikimet serioze ndërkombëtare – Shqipëria është shtet i pavarur! Çfarë mendoni ju? Arsyetoheni ose nuk arsyetoheni mbetet fakti se nuk jeni konsultuar me ne për dërgimin e dy divizioneve në Shqipëri”. Kardeli shpjegon se kjo nuk ishte e kryer dhe shton se nuk i kujtohet asnjë çështje e jashtme për të cilën nuk janë konsultuar me sovjetët.

“Nuk është e vërtetë”, bërtiti Stalini. “Ju aspak nuk konsultoheni. Kjo te ju nuk është gabim, por qëndrim, po qëndrim”! Kardeli, i thyer, heshti dhe nuk i paraqiti pikëpamjet e veta.

(Kosova Sot)