Jeta luksoze e Konicës si ambasador në SHBA

  • 28 December 2016 - 10:12
Jeta luksoze e Konicës si ambasador në SHBA

"DRITËHIJET E NJË DIPLOMATI"
E vendosi legatën në hotelin më të shtrenjtë në qytet

Më shumë ankesa e telegrame për çështje parash, sesa raporte për çështje të marrëdhënieve dypalëshe. Gjatë shërbimit të tij prej 13 vitesh si ambasador (ministër fuqiplotë) i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veprimtaria e Faik Konicës është karakterizuar nga eleganca, kultura, por edhe nga tekat. I mësuar me një nivel të caktuar jetese, mes luksit dhe disa zakoneve prej të cilave nuk do të donte të hiqte dorë, Faik Konica synonte të mbante të njëjtin nivel edhe në krye të Legatës Shqiptare në Uashington. Zuri vend në një "bina", siç i thotë, që s'ishte as më pak e as më shumë se hoteli "Mayflower", tepër i shtrenjtë për kohën. Bëri kërkesa për paga shërbëtorësh, daktilografistësh, portierësh dhe detyrime të tjera të pazakonta që shteti shqiptar duhet t'i shlyente. Pretendimet e diplomatit nga njëra anë dhe qëndresa e Tiranës krijuan një situatë të nderë mes palëve, aq sa Konica kërcënoi me mbyllje të Legatës. Çështja shkoi deri tek Ahmet Zogu, fillimisht President e më pas Mbret i Shqipërisë. Të gjitha këto, e shumë të tjera nga jeta diplomatike e Konicës (1926-1939), për të cilën flitet më pak se ajo letrare e publicistike, na vijnë përmes një botimi të rrallë me autor studiuesin Agron Alibali, botim i "Argeta LMG", me titullin "Dritëhijet e një diplomati". Libri i promovuar pak ditë më parë në Bibliotekën Kombëtare zbardh letërkëmbime, fjalime, telegrame, raporte, vendime e veprime të Konicës, mes dritëhijesh, ashtu si Alibali e thekson që në titull të veprës së tij voluminoze. Kësaj vepre ai i ka kushtuar shumë vite jetë dhe kërkime në arkiva të ndryshme, që nga ajo e Legatës Shqiptare në SHBA, gjetja e të cilit u bë i mundur nga Arkivi Historik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë në Farnesina, dokumente private të Konicës e arkiva të tjera. Personazhe, ngjarje, veprime e mosveprime parakalojnë përmes librit të Alibalit. Po shkëpusim vetëm një copëz nga ajo pjesa e "hijeve" në shërbimin e Konicës, që lidhet me shpenzimet e tij gjatë viteve në detyrë.

PROBLEMET ME SISTEMIMIN

Pasi ndenji fillimisht në hotelin "New Willard" në Uashington, Konica u instalua përfundimisht me zyrë dhe banim, në hotelin "The Mayflower". Mirëpo, në raportin e tij të parë që i dërgon ministrit të Jashtëm, Ilias Vrioni, Faiku shpjegon se "pas shumë mundimesh" kishte gjetur vendin e duhur për legatën dhe pikërisht "në një të ndarë të një binaje të qojtur "The Mayflower". Pse Faiku nuk e thotë copë qysh në fillim se Legatën e kishte hapur në një hotel, madje ndër më të shtrenjtit në Uashington në atë kohë? Ka të ngjarë që përdorimi i termit "bina" të jetë bërë pa qëllim. Fjala vjen nga turqishtja dhe ka kuptimin "ndërtesë", por jo "bujtinë" apo "hotel". Mirëpo, siç e përdor Konica këtu, ajo mund të jetë kuptuar në qendër sikur Faiku do t'i ketë marrë zyrat e Legatës në ndonjë apartament në kryeqytetin amerikan. Nëse Tirana do të mësonte se Faiku ishte vendosur me zyrë e rezidencë në një hotel të shtrenjtë, me gjasë nuk do të kishte miratuar qysh në fillim koston e lartë që sillte për buxhetin e Ministrisë së Punëve të Jashtme kjo zgjedhje personale e Konicës. Duke u nisur nga vështirësitë e natyrshme ekonomike e financiare të një shteti të vogël, me sa duket Tirana kishte caktuar një buxhet realist për legatën në Amerikë. Mirëpo buxheti nuk i pëlqeu Faikut. Ai ankohej qysh në raportin e tij të parë për ministrinë, në gusht 1926. "Marr lirinë të ju heq vërejtjen, Zoti Ministër, i shkruan ai Vrionit, se buxheti që më dërguat nuk i përgjigjet plotësisht projektit që kisha shkruar". Ai, gjithsesi, pranonte në fund që të qëndronte "përbrenda" buxhetit. Fajin për moskomunikimin dhe mungesën e marrëveshjes paraprake me ministrinë ai ia vë lëvizjes së "kundërshtarëve", që, sipas tij, do të dërgonin Tefik Mborjen në Uashington me mision për të diskretituar qeverinë e Zogut. "Ardhja ime këtu i çkatërroi planet e tyre", mburrej Konica. Edhe raporti më i parë i Konicës nxjerr në pah se si qëllim kryesor i punës së tij ishte vëzhgimi i diasporës shqiptare që mbështeste Nolin. Ai i bashkëngjiste raportit të tij edhe dy të tjera, njërën të nënshkruar nga Haki Blloshmi, dhe tjetrin nga George Prifti. "Këto dy raporte duhen shikuar si një "introduction" në hollësirat që do t'ju dërgoj paskëtaj mbi lëvizjen çkatërronjëse që Noli ka filluar këtu, lëvizje të cilën nuk e prisja nga një njeri me kuptim dhe ndjenja patriotike, siç e kemi ditur qëmoti Nolin", i raporton ai Tiranës. Qeveria shqiptare natyrisht i kishte caktuar Faik Konicës buxhet të mjaftueshëm për të jetuar mirë, për të ushtruar funksionet me dinjitetin që i takonte detyrës, si dhe në bazë të kërkesave dhe rregullave të administratës së shtetit që i shërbente. Nëse dërgesat nga Tirana i vonoheshin, ai jo rrallë i drejtohej Konsullatës në Boston, e cila, për shkak të natyrës së punës, gjeneronte të ardhura të konsiderueshme. Qysh në ditët e para të punës, ai i telegrafonte ministrisë në Tiranë se "Konsullatës i kanë hyrë ca pare në Arkë STOP në qoftë se vononi dërgimin që lajmëruat, lutem urdhëroni Konsullatën të më japë njëmijë dollarë dhe të tjerat m'i dërgoni në Uashington". Me t'u caktuar ministër, Konica nuk humbi asnjë minutë që të fillonte vëzhgimin e kundërshtarëve të Zogut dhe përkrahësve të Nolit. Ai njoftoi menjëherë Tiranën për "lëvizjet" brenda komunitetit të Bostonit, të cilat u panë jo pa interes nga qendra. Megjithatë, Konicës iu bë më se e qartë se "Kjo ministri i pret me interes të madh raportet e Zotërisë Tuaj mbi çështjet që i takojnë drejt për drejt Shqipërinë, ashtu dhe mbi politikën e Qeverisë së Uashingtonit kundrejt Evropës përgjithë- sisht". Tirana, pra, ishte më shumë e interesuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet ndërkombëtare. Faktet tregojnë se Konica nuk e zbatoi këtë porosi të Tiranës, pasi gjejmë pak ose aspak prej Faikut në këtë drejtim…

BUXHETI DHE KOMPENSIMI SHTESË 

Sa i takon Legatës, vetëm pas tre muajsh, Faiku, më në fund, e sqaronte ministrinë se "bina"-ja e quajtur "The Mayflower" ishte "një soj hoteli…". Për më tepër i jep edhe disa "shpjegime" lidhur me zërat e kompensimeve që i kishte kërkuar Tiranës. Fjala është për të ashtuquajturën "Indemnite de premier etablissement", apo për kompensimin për transferimin e parë për në vendin e shërbimit Shteti shqiptar nuk e kishte zakon diplomatik të mbulonte pagesë të tillë, mirëpo Faiku prapëseprapë kishte kërkuar 6 mijë franga. Po ashtu, ai kishte kërkuar pagesë për "indemnite de frais d'installation", apo kompensim për shpenzimet e nguljes në vendin e shërbimit, për të cilat mëtonte 10 mijë franga. Faiku pohonte se për këto zëra dhe shuma të konsiderueshme kishte pyetur "dy a tre dipllomatë të huaj, të cilët më shiguruan se ato harxhe janë të duhura dhe është zakoni t'i jepen çdo të dërguari të emëruar në një vend për herën e parë, se ndryshe i dërguari do të bjerë në ngushticë dhe do të pengohet në të mbajtur të shkallës së tij". Për të argumentuar këtë kërkesë të pazakontë, Konica sillte si referencë një libër të rekomanduar nga njëri prej diplomatëve anonimë, dhe pikërisht Manuel Diplomatique et Consulaire, par R. Monnet, Paris 1910… Këto zëra apo tregues financiarë, Konica i kishte vënë në buxhetin fillestar të Legatës qysh kur filloi zyrtarisht punë më 1 korrik 1926. Ai, madje, ia kishte telegrafuar edhe Zogut projektbuxhetin vjetor për Legatën dhe Konsullatën. Projektbuxheti përfshinte edhe Konsullatën dhe ishte hartuar në franga ari, jo në dollarë. Konica nuk e kishte parashikuar rrogën e vet, siç duket për t'ia lënë atë në dorë Zogut. "Të ardhurat këtu, po të vihen në rregull, mund të jenë afro 25000 në mot". Ai theksonte, gjithsesi, që "është e udhës që rroga (e ministrit) të jetë si ajo e Parisit, ndonëse jeta në Uashington është më e shtrenjtë". Buxheti nuk ishte realist. Së pari, nga që jetonte në hotel, Konica nuk kishte nevojë për shërbëtor, pasi të gjitha shërbimet kryesore përfshiheshin në qiranë e hotelit. Së dyti, tarifat e quajtura "intemnite" ishin të tepërta. Nuk e kemi përgjigjen e Zogut, nëse ky vërtet u përgjigj. Konica, gjithsesi, mendonte se projektbuxheti ishte miratuar nga Tirana. Për t'i vënë kapak, në raportin e shtatorit 1926 për ministrinë, Konica përpiqej të justifikonte edhe shërbëtorin, një zë i paimagjinueshëm për kushtet konkrete. "Përveç këtyre borxheve, kisha shtuar dhe një shumë për një shërbëtor të Legatës, i cili të hapë dyert kur vijnë vizitorët". Me fjalë të tjera, Konica i kërkonte shtetit shqiptar të paguante rrogën e një portieri, ndërkohë që derën e zyrës së Legatës në një hotel fare bukur mund ta hapte edhe sekretari, daktilografisti etj. Natyrisht, Tirana fillimisht u vuri kryqin këtyre pretendimeve të pambështetura. Konica, madje, i kishte telegrafuar edhe Zogut për buxhetin e propozuar të Legatës. Atij iu miratua vetëm një "indemnite de premiere etablissement", edhe ajo e tepruar, pasi Konica vinte nga Bostoni dhe jo nga Europa. Konica e pa që e kishte shkelur dhe u tërhoq. Ai njoftoi ministrinë se "s'kam aspak nërmend të ankohem". Ai pranonte se "munt që është më mirë për një vend të vobekët t'i shkurtojë sa të mundë borxhet, dhe puna siç u bë, është pëlqyer për mua". Megjithatë, ai nuk nguronte t'i kërkonte Tiranës diçka tjetër në këmbim të "sakrificës" që po bënte. "I vetmi ndryshim që kërkoj, në qoftë e mundur, është ky: Zura një vent të mirë e të ndershëm për legatë me qira 250 dollarë në muaj (në vent të 200 që ishte parashikuar), nga shkaku se këtu kam edhe "servile"-in brenda: domethënë, kur të kem vizitorë, ka shërbëtorë që t'i këllasin. Ky vent i quajtur 'Mayflower', është një soj hoteli me apartamente fare të ndara, ku rrinë disa diplomatë dhe senatorë. Kam pllakën në derë dhe vent për flamurin"…

KONICA SUGJERON MBYLLJEN E LEGATËS

Tiranës natyrisht që i duhej kohë t'i studionte kërkesat e Faikut. Po ashtu, vonesat i shtonte dhe burokracia tipike ballkanase. Fillimisht, Tirana miratoi pjesërisht kërkesat e Faikut, duke shkrirë zërin "indemnite de premiere etablissement" me zërin "frais d'installation". Po ashtu, Tirana miratoi edhe një rrogë prej 500 frangash ari në muaj për shërbëtorin çka, sikurse thamë, ishte e tepërt. Mirëpo Konica, nuk mbeti i kënaqur. Legata kishte vetëm pesë muaj që ishte hapur. Kërkesat e tij për fonde dhe vonesat e natyrshme të Tiranës e kishin mërzitur deri aty sa ai, madje arriti të sugjerojë edhe mbylljen e Legatës. Më 7 nëntor 1926, Faiku dërgonte këtë telegram: "Konsullata, pasi paguan rrogat konsullare dhe harxhet e tjera, ato që mbeten i dërgon në ministri STOP shumë mirë, megjithëse kjo s'bëhej nër governat e tjera STOP Pyes veten me ç'mënyrë do t'u bëjë ballë harxheve Legata STOP Konkluzioni logjik është që duhet suprimuar kjo Legatë dhe s'kam asnjë ankim, në qoftë se suprimohet STOP Nuk u bëhet ballë notave amerikane me havalera STOP Lutemi jepini njërin apo tjetrin funt kësaj pune". Telegrami i Konicës e tronditi ministrin Hysen Vrionidhe, me sa duket Tirana vendosi t'ia plotësonte disa kërkesa Faikut. "Kjo ministri,-përgjigjej me telegram ministri Vrioni- duke çmuar randësinë e asaj legate, asht kurdoherë gati me plotësue gjithë nevojat (e) çfaquna prej Zotnis Suaj dhe kështu, për të mos shkaktue vonime, ka dhanë instruksionet e nevojshme zyrave kompetente". Kjo ndofta shpjegon faktin se në prill 1927, Konica vendosi sërish të përfshinte në zërin "Shpenzime" të Legatës për gjashtëmujorin e parë të shërbimit (1 korrik 1926 "kur hyra në punë" e deri më 1 janar 1927), edhe masën e kompensimeve të zbatuara në shërbimin diplomatik francez apo të ashtuquajturat "indemnite e premier etablissement" dhe "indemnite de frais d'installation", madje me të njëjtat vlera të parashikuara në franga franceze. Duke iu referuar paraardhësve të vet, Konica i deklaronte Ministrisë së Punëve të Jashtme se shpërdorimet e pretenduara të tyre e kishin "thyer besimin e popullit në zyrtarët e shkuar të Shtetit Shqipëtar në Amerikë, po vënë edhe zyrtarët e sotmë në një ndodhje morale delikate". Dhe mandej ai ftonte ministrinë që "t'i këqyrni me kujdes dhe paanësi hesapet për çdo pikë që të dëshironi, duke më hequr vërejtjen mbi çdo gabim sa do të vogël që të më ketë shpëtuar pa dashur…". Nuk kaluan as tre muaj dhe Tirana filloi të bënte pikërisht këtë gjë: të këqyrte me shumë kujdes llogaritë e Konicës

MOSMARRËVESHJE PËR LLOGARITË-KONICA KËRCËNON ME DORËHEQJE

Mirëpo, ndryshe nga sa deklaronte në prill, vëmendja e përligjur e Tiranës nuk i pëlqeu Faikut. Pa kaluar as një vit nga shërbimi, midis Konicës dhe Tiranës kishin lindur mosmarrëveshje për punën e llogarive të Legatës. Në verën e vitit 1927, Tirana i mohonte "prapamejtimet" dhe i kërkonte Konicës të gjitha dëftesat e rrogave e shpenzimeve "për me mujt me dërgue restin e kompetencave", duke shpjeguar se "court de compte nuk vizton kërkesat tona pa çuar llogaritë e plotësueme dhe kështu mbetemi në pozitë të vështirë". Kjo gjë nuk i pëlqeu Faikut. Ai i shihte këto "porosira të forta për hesapet" si provë e frymës së dyshimit dhe mosbesimit në ministri, çka ishte tejet bezdisëse për të. Mirëpo, qeveria shqiptare ishte në vështirësi financiare, çka del nga fakti i pazakontë se pagesat e Faikut i ishin bërë me çek nga dogana e Vlorës. Konica, gjithsesi, përpiqej ta paraqiste vitin e parë të tij të shërbimit me ngjyra sa më pozitive: "Duke mbaruar një mot veprimi në Uashington, kam ndjenjën dhe besimin se i kam bërë Shtetit mjaft shërbime morale, pemët e së cilave do të duken pak nga pak. Marr lirinë vetëm të vë re këtu se, me gjithë shtrenjtësinë e madhe të Uashingtonit, i cili është i njohur në botën diplomatike si kryeqyteti më i shtrenjtë i dheut, me gjithë këtë arrijta me sakrifica të mëdha të qëndroj përbrenda budgetit të caktuar". Kjo deklaratë duket se nuk i kënaqi shefat në Tiranë. Re të zeza ishin grumbulluar në qiellin e raporteve midis Legatës në Uashington dhe qendrës në Tiranë. Prandaj, Konica mendoi të vërë në lëvizje vetë Presidentin Ahmet Zogu. Duke marrë shkas nga një komunikim i Zogut, Konica vendosi të çajë rrethimin nëpërmjet tij. Ai i shkruan Zogut: "Jam mirënjohës për letrën fisnike të fundit STOP Fatkeqësisht ministria duket se mendon ndryshe për mua STOP Janë afro gjashtë muaj që kjo legatë s'ka marrë asnjë centimë, kurse legatat e tjera paguhen me rregull STOP Një ndryshim i tillë nuk shfaq harmoninë që duhet për mbarëvajtjen e Shtetit STOP Lutem Ekselencës Suaj kërkoni nga Ministria raportet dhe telegramet e mia STOP Me respekt Faik Konitza". Kurse në Raportin e tij me nr.19, datë 20 gusht 1927, Faiku i ankohej kështu ministrit Vrioni: "Më vjen shumë keq se mundimet e mia për të mbajtur një legatë të nderuar dhe të dobishme, duke harxhuar çdo centimë me ndërgjegje për të përfaqësuar siç duhet vendin, nuk çmohet nga Ministria e Punëve të Jashtme". Ministria i kishte kërkuar Konicës dëftesa për çdo send shpenzimesh, përfshirë rrogën e tij dhe të daktilografistit. Natyrisht që Tirana vinte në kandar shpenzimet e legatave të tjera në krahasim me atë të Uashingtonit dhe nxirrte konkluzionet e veta. Faikun me siguri e bezdiste detyrimi për të dokumentuar çdo shpenzim. Duhet të mbajmë parasysh, gjithashtu, që për një personalitet dhe mendje gjeniela si Konica, angazhimi me punëra shkresore burokratike ishte një luks i tepruar. "Si, pra, tani Ministria më kërkon mua dëftesa për çdo send? Sado që kjo sjellje nuk është as fisnike as e drejtë nga ana e Ministrisë, unë, për të treguar një frymë pajtonjëse, i marr përsipër harxhet e daktilografit dhe të telefonit dhe u lutem t'i shuani nga hesapi", shtonte ai. Dhe më tej: "Se në qoftë që besimi i Ministrisë në mua është aq i pakët ose inati kundra meje është aq i math sa nuk më zënë besë se i kam për të dërguar dëftesat në një formë të re dhe korrekte, ahere bashkëpunimi në mes tonë duket i pamundur. Do të më vijë keq t'i dërgoj demicjen (dorëheqjen) presidentit, se dëshiroj t'i bëj Shqipërisë dhe ca shërbime të tjera këtu"… 

(Kosova Sot)