Rrëfimi i djalit: Si u njoh Enveri me italianen e bukur që i refuzoi fejesën diktatorit

  • 22 January 2017 - 16:20
Rrëfimi i djalit: Si u njoh Enveri me italianen e bukur që i refuzoi fejesën diktatorit

“Mes viteve 1949 dhe 1952 mund të kenë vdekur nja 60 persona. Disa zhdukeshin pa e marrë vesh kush se ç’fund kishin pasur. Në burg ishin rreth 120 të burgosur dhe nja një dyzinë rojesh që ndërroheshin me turne”.
“Ku varroseshin gjithë këto kufoma?” “Gjithmonë në të njëjtin vend. Atje, pikërisht përballë dritareve të qelive mes dy rrethimeve, në mënyrë që të gjithë ta shihnin se ç’fund do të pësonin. Atje ka qenë një pemë qershie, që në pranverë dukej se lulëzonte bash për ata që treteshin poshtë saj. Kufomat, cullake-rrobat dhe gjërat e tjera i ndanin mes vetes xhelatët-të mbështjellë me batanije i varrosnin në radhë, njërin ndanë tjetrit, pa emër dhe pa asnjë nishan”.

Engjëll Kokoshi i kishte ende të gjalla ato pamje në sy. Po ashtu edhe Petrit Velaj, të cilit i kishte qëlluar vetë të hapte gropën. “Detyra e varrosjes më takoi mua dhe tre të dënuarve të tjerë, ndoshta sepse ishim më të rinjtë ose sepse kishim qenë më të këqijtë. E mbështollëm të ndjerin me një batanije dhe hapëm një gropë afër një peme qershie mes dy rrethimeve të burgut. Ishin ditët e para të marsit. Ishte acar, bënte shumë ftohtë dhe toka ishte e fortë si gur, prandaj dhe u munduam shumë për të gërmuar. Na kishin ngrirë duart. Ndërkohë që përmbushnim këtë detyrë të trishtueshme, rojet talleshin me ne dhe na fyenin, duke na kujtuar se së shpejti kjo gjë do të ndodhte edhe me ne. Ato roje nuk janë më, ama unë jam akoma gjallë!”, kujton ai…

Dëshmitë e bashkëvuajtësve përkojnë. Ai është varrosur pranë qershisë mes dy rrethimeve. Mbetet vetëm të gërmohet, por burokracitë shqiptare e shtynë për në kalendat greke dhe Giuseppe Terrusi nuk ka ende një varr. Prej vitit 1993, Aldo Renato Terrusi kërkon në Shqipëri eshtrat e të atit, ish-drejtorit italian të Bankës së Vlorës, të vdekur në Burgun e Burrelit, në vitin 1952, në moshën 52-vjeçare. Një qeveri ikën dhe një vjen, të gjithë premtojnë, por ende asgjë nuk është bërë për gjetjen e eshtrave të tij. Dje, në Bibliotekën Kombëtare, Terrusi prezantoi ribotimin e pasuruar të librit të tij “Brenga ime shqiptare”, i botuar nga “Botimet M&B”.

Libri, i botuar për së pari në gjuhë italiane, vjen nën përkthimin e Elvana Zaimit, me një parathënie të Agron Tufës. Në promovimin e djeshëm merrnin pjesë historianë, ish të dënuar politikë, bashkëmoshatarë të Aldo Terrusit, dëshmitarë të kohës etj. Historiania Nevila Nika, shkrimtari dhe drejtori i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa, ish-i dënuari politik Gëzim Peshkëpia ofruan edhe një herë atë panoramë rrëqethëse të Shqipërisë nën diktaturën komuniste, ku “armiqtë” më të mëdhenj të vendit ishin intelektualët, ku inferioriteti dhe xhelozia e diktatorit të çonin në vdekje, siç ndodhi me shkencëtaren e pushkatuar Sabiha Kasimati dhe shkrimtaren e vdekur në internim, Musine Kokalari.

Gjatë promovimit të librit “Brenga Ime shqiptare”

Prej hakmarrjes do të vuante edhe familja Terrusi. Aurelia Poselli, italiania e bukur që jetonte në shtëpinë ngjitur me të Enver Hoxhës në Gjirokastër, do të refuzonte dashurinë e tij, në kohën kur ai hiqej si student mjekësie në Montpelier. Një refuzim që Hoxha nuk do ta harronte kurrë e do të merrte hak tek i shoqi i saj, duke e arrestuar dhe dënuar me 10 vjet burg si bashkëpunëtor të fashizmit dhe dorëzimit të pasurisë së Bankës së Vlorës te nazistët.

FAKTET E REJA

Ribotimi i librit të Terrusit sjell fakte të reja mbi arrestimin dhe dënimin e të atit. Falë dokumenteve të gjetura në Arkivin Qendror Shtetëror, historia tragjike Terrusi vjen edhe më e plotë dhe rrëfen edhe më qartë dënimin e padrejtë të Giuseppe Terrusit. Edhe pse të gjithë dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët e tij, të marrë në pyetje në hetuesi, e dëshmojnë si një nëpunës korrekt dhe të ndershëm, që nuk kishte lidhje me fashizmin, ai u dënua me burg. Në këtë ritakim me publikun shqiptar, Aldo Terrusi vjen me bindjen se e di se ku gjenden eshtrat e të atit, por është politika pengesë që ato të mos gjenden. Sipas tij, të gjithë dëshmitarët që ai ka pyetur në vitin 1993 binin dakord se të burgosurit e vdekur varroseshin pranë qershisë.

“Qershia u bë një legjendë, pasi njerëzit varroseshin në një hapësirë që ishte sa një fushë sporti brenda dy rrethimeve. Është një zonë ushtarake dhe askush nuk mund të vejë atje dhe të gërmojë për eshtrat e babait. Vetëm institucionet mund të japin lejen për të hyrë në këtë terren për të verifikuar çfarë është thënë. Gjatë viteve të fundit, të gjithë më kanë thënë gjëra të ndryshme dhe s’është arritur asgjë”. Ai u beson dëshmive të vitit 1993 dhe sipas të dhënave, pranë këtij terreni janë varrosur të burgosur, deri në vitin 1955.

Aurelia dhe Giuseppe Terrusi

“Mendoj që eshtrat duhet të jenë aty dhe s’mund të themi ‘të kërkojmë’. Dua vetëm të verifikohet në atë kamp. Sa herë që vij takoj punonjës të rinj, të cilët nuk i përcjellin informacionin pasardhësit dhe çdo herë mua më duhet të nis nga e para. Kjo ka ndodhur si në kohën e Berishës dhe të Ramës. Ka konflikte brenda politikës shqiptare”, thotë Terrusi, ndërsa shton se “po përsëritet ajo që ka ndodhur 50 vjet më parë, por në mënyrë më xhentile”.

Refuzimi i italianes dhe betimi i Enver Hoxhës

Enver Hoxha nuk hoqi dorë prej saj deri në momentin që ajo ia preu shkurt. Aurelia Poselli nuk ndante të njëjtat ide me djaloshin gjirokastrit dhe, pavarësisht sharmit të tij, nuk arrinte ta donte. Ishin fqinj, që prej vitit 1928, kur familja e saj u vendos në Gjirokastër, motrat e tyre ishin shoqe, takoheshin shpesh kur ai vinte nga Korça e më pas nga Franca. Ai i fliste për politikë. Dikur, në vitin 1930, i dhuroi edhe një libër firmosur si “student mjekësie”, të cilin ajo e ruajti deri vonë.

Por ajo nuk e deshi. Enver Hoxhës i duhej të dorëzohej dhe u betua se nuk do ta shihte më me sy Aurelian. Ndoshta vetmevete, e siç koha do ta tregonte, është betuar se do të hakmerrej. Çka e vuri në jetë me të shoqin e saj, Giuseppe Terrusin, që u martua me Aurelian. Terrusi ishte vendosur në Shqipëri në vitin 1926, për të shtrirë degët e Bankës Shqiptare në disa qytete të Shqipërisë. Ai u arrestua menjëherë pas marrjes së pushtetit nga komunistët dhe u dënua me 10 vjet burg. Sipas rrëfimeve të familjarëve të tij, në librin “Brenga ime shqiptare”, Aldo Renato Terrusi tregon njohjen e së ëmës me Enver Hoxhën.

NGA LIBRI

Njohja e vajzës italiane me Enver Hoxhën “Si gjithë qytetet e nënshtruara bastisjeve të pushtuesve të dikurshëm, edhe Gjirokastra ishte ndërtuar në funksion të nevojave të veta mbrojtëse. Qyteti i vjetër varej për kodre me shtëpitë e veta me çati karakteristike të mbuluara me rrasa të mëdha guri të murrme…

Drejt fushës po ndërtoheshin lagje të reja. Përbri shtëpisë sonë ishte edhe ajo e Enver Hoxhës. Vitalianoja (babai) dhe babai i Enverit u njohën dhe u miqësuan. Shpesh takoheshin për shkak të pasionit të përbashkët për gjuetinë dhe bënin shaka në gjuhën turke, të cilën e njihnin që të dy… Mes rruginave të ngushta të Gjirokastrës, Enveri, atëherë njëzetvjeçar, takoi për herë të parë Aurelian, që në atë kohë ishte 16 vjeçe.

Kur u fejua Tahiri, një prej djemve të të zotit të shtëpisë së Vitalianos, u bë një festë e madhe, ku u ftuan shumë të rinj të mëhallës, midis të cilëve Aurelia, Karmeni dhe Enveri. Gjatë festës, të gjithë, të rinj e jo të rinj, këndonin e kërcenin nën tingujt e mandolinave. Rreth oxhakut, të ulur në shilte dhe sixhade, hëngrën e pinë me bollëk dhe, aty nga mbrëmja, sidomos të rinjtë, nuk mund të rrinin dot në këmbë. Kjo ishte hera e dytë që Enveri pa Aurelian dhe aty i ra në kokë.

Aurelia ishte vajzë e bukur, e gjatë, këmbëhollë, me fytyrë të rregullt, flokë gështenjë të kuqërremë dhe me kaçurrela, vështrimshpenguar, me karakter të fortë, elegante në lëvizje e në veshje. Një vajzë e huaj shumë e ndryshme nga vajzëria e qytetit, e cila tërhoqi menjëherë vëmendjen e të riut Enver. Enveri ishte një djalosh i bukur, brun, i shkathët, simpatik, pak mendjemadh, me ide politike radikale. Në moshën 16-vjeçare kishte qenë mes themeluesve të shoqërisë së studentëve të Gjirokastrës, përshkuar nga shpirti demokratiko-revolucionar, ku kishte mbajtur rolin e sekretarit.

Udhëhoqi protestën e studentëve progresistë kur selia e tyre u mbyll nga qeveria një vit pas themelimit. Më pas, Enveri iku nga Gjirokastra dhe shkoi në Korçë, ku vazhdoi studimet në Liceun Francez të qytetit. Aty Enveri lexoi për herë të parë manifestin e Partisë Komuniste, të cilin ia dha një punëtor me emrin Koci Bako dhe po në këtë kohë mësoi edhe për revolucionin socialist të tetorit. U zhyt në leximin e atyre “filozofive të reja” që e mbushën me entuziazëm dhe i shërbyen si baza për prirjet e tij politike.

Ndërsa Aurelia sapo kishte mbaruar gjimnazin e murgeshave franceze të Selanikut dhe ishte bërë zonjushëza e shtëpisë. Vendi ishte i vogël dhe vështrimet e Aurelias dhe Enverit ndesheshin. Çfarë nuk bëri djaloshi për t’u miqësuar me Aurelian! Kalonte shumë më shpesh para shtëpisë sonë për të rënë në sy. Me ndihmën e të motrës, Xhemiles, i solli edhe disa pusulla. U prezantua edhe te prindërit tanë dhe kështu u bë mik me ta. Aurelia i rrëfeu krenarinë e tij prej patrioti dhe vullnetin e rebelimit ndaj politikës shqiptare të kohës. U përpoq ta bindte ta ndiqte në idealet e tij.

Por idetë e Aurelias ishin shumë larg nga ato të shokut të saj. I propozoi edhe të fejoheshin, por mori si përgjigje një refuzim të prerë: shokë po, por asgjë më shumë. Enveri nuk u dorëzua dhe vazhdonte të mendonte për atë vajzë aq të ndryshme nga gjithë të tjerat që kishte njohur, i sillte dhurata, vazhdonte t’i propozonte vazhdimisht. Pritja e vajzës, sa herë ai kthehej nga Korça, ishte shumë e vakët. Por as Enveri nuk ishte tipi që e lëshonte aq lehtë prenë.

Familjet përkatëse njiheshin, kishin respekt, por nuk kishin shumë hyrje-dalje. Këtë ndryshim e vuloste arsimimi dhe niveli shoqëror, përveçse kombësia. Familja jonë gëzonte njëfarë lartësie dhe rëndësie shoqërore, që vinte si pasojë e firmës së ndërtimit dhe nga përkatësia e rrethit të ngushtë të komunitetit të mrekullueshëm italian. Familja e Enverit, me të atin punëtor dhe nënën shtëpiake, bënte një jetë të thjeshtë dhe ishte e lidhur rrënjësisht pas traditës shqiptare.

Motra e Enverit, Xhemilja, ishte shoqja e vërtetë dhe e vetme e Karmenit, e cila ndihej përherë e mposhtur nga personaliteti i fortë i Aurelias. Xhelozia e lehtë për motrën e madhe, e bukur dhe në qendër të vëmendjes, e shoqëroi për gjithë jetën. Karmeni dhe Xhemilja shoqëroheshin sepse pak a shumë plotësonin njëra-tjetrën. Karmeni ndihej e mbrojtur nga Xhemilja që ishte disa vite më e madhe se ajo, ndërsa Xhemilja ndihej e rëndësishme para asaj vogëlusheje gjithë hidhësi, por të trishtuar e të vetmuar.

Në verën e vitit 1930, Enveri mbaroi me rezultate shumë të mira studimet në Liceun e Korçës dhe po atë vit fitoi një bursë studimi në Fakultetin e Shkencave Natyrore në Monpelje, Francë. Krenar dhe ballëlartë, Enveri u kthye në Gjirokastër për pushimet verore. Vazhdoi të kërkonte Aurelian. I tregoi gjithë përvojën e tij franceze dhe i dhuroi një libër, që ajo e ruajti me fanatizëm përgjatë viteve. Libri “Les sent vues de Paris” me një dedikim dhe autograf, “En souvenir d’amitie Enver Hoxha, etudiant en Medicine.

Gjirokastër 21-VIII 1930 përshkruante monumentet më të rëndësishme të Parisit. Enveri u kthye në Monpelje për studimet, por në të vërtetë interesi i tij drejtohej përherë e më shumë kah politika. Ndiqte me interes të veçantë konferencat e Partisë Komuniste franceze për shoqatat e punëtorëve. U zhvendos në Paris, ku u thellua në studimin e veprave të Marksit dhe Engelsit dhe provoi të vazhdonte universitetin.

I entuziazmuar nga leximet e reja mbi filozofinë marksiste, u kthye në Gjirokastër, duke u përpjekur ta bindte Aurelian të bëhej pjesë e atij zbulimi revolucionar, në të cilin ai tashmë besonte verbërisht. Aurelia nuk i kuptonte ato ide të çuditshme, kaq shumë të largëta nga bota e saj. Kështu që miqësia e tyre u zbeh, mendimet e tyre morën drejtime të kundërta. Mirëkuptimi dhe besimi i një kohe, ia lanë vendin moskuptimit dhe dyshimit.

Enveri vazhdonte të vërtitej sa në Paris në Gjirokastër, duke vendosur kontakte me personat “e padëshiruar” nga Mbreti Zog I. Aurelia ndiqte mbarëvajtjen e shtëpisë, drejtonte me vendosmëri punët e shtëpisë dhe ishte shumë e rreptë me ne. Gjatë njërës prej vizitave të tij të fundit në Gjirokastër, Enveri mori edhe refuzimin e patundur dhe përfundimtar të Aurelias. Këtë e konsideroi si një shuplakë dhe, mbushur me inat, iu betua vetes se nuk do ta shihte më kurrë me sy atë grua.

(Kosova Sot)