Presidenti nga Populli si aspirina për lebrozët!

  • 29 January 2017 - 08:57
Presidenti nga Populli si aspirina për lebrozët!

Nga Arian Galdini

Një deputet, 10 deputetë, 71 deputetë, 84 deputetë, 94 deputetë, e kështu me rradhë. Një deputet mban fjalime dhe voton në Kuvend. 10 deputetë mund të firmosin ndonjë nismë që bën lajm e japin ndonjë intervistë. Këta mund të bëjnë edhe Grup Parlamentar. 71 deputetë bëjnë Shumicën minimale që votëbeson një Kryeministër, e ndoshta edhe një President. 84 deputetë votojnë ligje të rëndësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar. 94 deputetë ndryshojnë Kushtetutën. Atëherë, çështja është e zgjidhur. Secili sipas numrave tia nisë të bëjë detyrën e vetë. Deputeti i vetmuar apo me ndonjë shok a shoqe, le ta ushtrojë të plotë detyrën e tij. Që pastaj kur të synojë të bëhet njëri ndër 10, 71, 84 a 94, ti vijë natyrshëm kërkesa që edhe të tjerët të bëjnë detyrën e tyre. Madje ky deputeti pasi të ketë bërë detyrën e tij, ka të drejtë edhe ti kërkojë edhe popullit që ta bëjë edhe ai detyrën që i takon. Sepse po bëhemi çorap. Deputeti Ben Blushi ka 1 vit që ka shpallur funeralin e Rilindjes. Çdo ditë bën lajm me batërdinë e kriticizmit të përkorë që i bën Kryeministrit Edi Rama, e në fund të ditës, çdo ditë voton çdo ligj e akt të Qeverisë Rama dhe e votëbeson atë me hundë të zëna. Askujt nuk i bën çudi kjo që ndodh me Ben Blushin. Askujt. A nuk është kjo që bën Blushi, tipikisht ajo që bëjmë ne si qytetarë me këmbëngulje çdo ditë? A nuk jemi ne ata qytetarët që nuk lëmë kafene, e qoshe rruge, tryezë, dasmë, vaki a sebep pa folur për politikën e politikanët? A nuk jemi ne ata qytetarët që nuk lëmë sharje, mallkim, nëmje, mllef, zemëratë, ankimime pa shfryrë e shprazur për politikën e politikanët? A nuk jemi ne ata qytetarët që nuk lëmë blog, koment gazetash e portalesh online, faqe facebooku a çdo mundësi tjetër, pa përdorur për të sharë me prag shtëpie këdo, këdo, me të drejtë e pa të drejtë, me hak e pa hak, këdo që guxon të bëjë zë e jetë publike a politike? Ne i bëjmë këto. Ne. Ne ankohemi për të gjithë e gjithçka. Ne i shajmë e mallkojmë të gjithë e gjithçka. E nëse do të pyesje këdo ndër ne, në periudha jo elektorale, gjithkush do merte si përgjigje perceptimin se ‘revolucioni’ është aty në prag. Ç’ndodh në fakt? Ne që ankohemi, shajmë e mallkojmë me gjithë fuqinë e shpirtit dhe mendjes, sapo bie bilbili i pararendjes elektorale, ia nisim të ridimensionohemi. Bëhemi tipa cool, trendy, kinse moderne. Marim periudhën tonë sabatike të medemek disinteresimit politik. Dhe sapo nis fushata elektorale, ne rendim të parët për tu shërbyer partive e politikanëve që kemi sharë, mallkuar, e për të cilët jemi ankuar deri 6 muaj para zgjedhjeve. Rrahim shuplakat duke duartrokitur udhëheqësit që kemi nëmur, çjerrim zërin duke brohoritur për ata për të cilët jemi ankuar, e ditën e votimit ua japim përsëri votën atyre që kemi mallkuar. Ua japim ose ua shesim votën. Ja këtë bëjmë ne. Të nesërmen e zgjedhjeve, dalim përsëri nëpër kafene e ia nisim nga e para. I themi njëri-tjetrit: Po si ore prapë të njëjtët do na drejtojnë ne? Të njëjtët në Qeveri, të njëjtët në Opozitë. Vetëm sa ndërrojnë rolet. Po me këta hajdutët do vazhdojmë ne? Na pinë gjakun shushunjat, nuk po ikin që s;po ikin. Kështu kalojmë ditën e parë pas zgjedhjeve, deri sa të afrohet periudha e 6 muajve para zgjedhjeve që vijnë më pas. Kur dalin të rinj që guxojnë të veprojnë e konkurojnë politikisht, ne u themi: Ke para? Financime? Fuqi? Nëse të rinjtë përgjigjen: Jo, nuk kemi. Sepse politika bëhet me ide, parime, vlera, jo me para. Ne qytetarët rrudhim buzët e me shpoti përgjigjemi: Kot i keni hyrë kësaj pune. Nuk bëni dot gjë. Do para kjo punë. Duhen shumë para. Kur të rinjtë thonë: Po pse duhen para? Ne nuk blejmë vota. Ne nuk vjedhim. Ne nuk duam të plaçkisim e as të ngremë hordhi me plaçkitës të shtetit e publikut. Ne qytetarët, shpërfillës me sytë diku andej larg ua kthejmë: Vota kushton. Do shumë para. Pastaj jemi lodhur me politikën. Na kanë lodhur shumë këta të vjetrit e politikës. Të rinjtë pyesin me kërshëri: Prandaj e shesim votën ne shqiptarët, ngase jemi lodhur? Ndaj nuk kemi as sy, as veshë, as mendje, e as zemër për të rinjtë? Ne qytetarët të bezdisur përpiqemi tua mbyllim bisedën duke ua plasur turinjve: Edhe ju të rinjtë njëlloj si ata jeni. Edhe ju me kap ndonjë gjë jeni. Nuk jeni ndryshe. Të gjithë njëlloj janë.

Të rinjte e kuptojnë që bisedës i ka ardhur fundi dhe bëjnë pyetjen e fundit: Pa ma shpjegoni pak këtë mënyrë të menduari. Ju thoni se jeni lodhur nga të vjetrit dhe ndaj nuk doni as ti shihni, e as ti dëgjoni të rinjtë. Dmth, jeni lodhur nga të vjetrit, prandaj nuk doni me u dhënë as shansin e as mundësinë të rinjve që nuk kanë asnjë faj e asnjë përgjegjësi për lodhjen tuaj, dhe pastaj do shkoni përsëri të votoni të vjetrit që ju kanë lodhur? Edhe diçka tjetër. Ju mendoni se edhe të rinjtë edhe të vjetrit janë njëlloj. Ju thoni se edhe të rinjtë duan me kap ndonjë gjë prandaj as i besoni, as i dëgjoni, as ua jepni fare vëmendjen. Me pak fjalë, ju i dënoni të rinjtë për atë çka ju mendoni se ata do të bëjnë në të ardhmen. Ndërsa këta të vjetrit që kanë bërë gjithë gjëmat e bëmat, nuk i dënoni, por i votoni. A ka mendje normale që e kupton dhe zbërthen këtë mënyrë të menduari dhe kuptuari? Unë për vete nuk e kuptoj dot, por e mirëkuptoj. E mirëkuptoj sepse shoh kritikun më të ububushëm, më trendy të momentit, që bën pikë për pikë këtë që bën ky qytetari i përditësisë sonë. Shoh deputetin Ben Blushi që nuk ka lënë më gjë pa thënë kundër Qeverisë së Edi Ramës e kundër vetë Edi Ramës. Na ka hapur sytë me gjërat që ka thënë. Askush nuk kishte folur a shkruar, kurrë më parë për demokracinë e brendshme nëpër parti, për varfërinë, për oligarkitë, për krimin në politikë, për pakicat plaçkitëse politike. Askush. Erdhi Blushi e na ndezi dritat. Sapo na shpalli Blushi funeralin e Rilindjes, neve të gjithëve na u faneps papritmas një Edi Ramë që nuk e kishim njohur, një Edi Ramë prej një andejbote, i ligë, djallëzor, i tmershëm. Askush më parë nuk na i kishte thënë ato gjëra që na tha e po na thotë Blushi. Deputeti na tha edhe se jemi shumë të varfër, e në ikje me turravrap nga vendi. As këtë nuk e dinim. Na tha edhe se Elvis Rroshi di të shkruajë sms në cel. As këtë nuk do ta mernim dot kurrë vesh nëse nuk do të na e lexonte Blushi nga foltorja e Kuvendit. Na tha deputeti edhe se Rilindja dhe PS, janë dy gjëra të ndryshme. Na kthjelloi se nëse populli e thërret në një projekt të ri politik, Blushi do ti bashkohet me kënaqësi. Po ta qëmtosh hollë hollë, na i ka thënë të gjitha. Të gjitha. Jemi ne tani ata që duhet ta thërrasim Blushin që të na bashkohet. Ai e ka bërë detyrën e tij. Çdo të enjte ka mbajtur fjalim në Kuvend. Ndonjë ditë tjetër ka bërë editorial. Të tjera herë ka shëtitur nëpër studiot televizive. Ka nisur edhe të dalë nëpër qytete e të takojë edhe të singjashmit tanë, qytetarët. Së fundmi, na ka thirrur edhe që të bëhemi peticioniste. Na ka dhënë një mundësi të artë. Të tregojmë veten. Të numërohemi online sa jemi në lartësinë e qytetarit peticionist online. Peticionizimi ynë online është edhe vlera më e lartë që na jepet si qytetarë në këto 25 vite. Tani shpëtuam. Kush peticionizohet, bëhet mbi Partinë. Kush nuk peticionizohet, mbetet aty si guak që sodit shkëlqimin e të peticionizuarve online. Se këta të peticionizuarit online, po bëjnë akt të madh. Këta po numërohen. Jo se po dalin mbi Partinë Socialiste, për të bërë Partinë e re të Blushit. Jo, jo. Nuk është punë partie kjo. Kjo është vepër kombëtariste sepse kërkon që të mbështesë nismën që Presidenti të Zgjidhet nga populli. Ah, sa e bukur kjo nismë. E kush nuk e do këtë nismë? Kush nuk do që Presidentin ta zgjedhi populli drejtpërdrejtë? Veç ah sikur… Ah sikur edhe deputetët ti zgjidhte populli… Ah sikur edhe Kryeministrin e Shqipërisë ta zgjidhte populli. Ah sikur Partia të mos blinte popullin dhe Kryetari të mos blinte Partinë… Ben Blushi po na kërkon që ne të mbështesim nismën e tij për një President nga Populli. Fantastike. Nuk kam ndërmend askënd që e kundërshton këtë nismë e parim. Të gjithë e duam Presidentin nga Populli. Pa asnjë mëdyshje. Edhe pse Blushi në Kuvend deklaroi se 3 partitë e vjetra nuk e duan Presidentin nga Populli, unë nuk e besoj këtë. Kështu si janë punët në Shqipëri, 3 partitë që kanë blerë popullin, nuk e kanë fare të vështirë që tia japin edhe Presidentin, vitrinës popullore. Nëse zgjedhjen e Presidentit e heqim nga vitrina e Kuvendit dhe e çojmë në vitrinën e Popullit, kështu si bëhen zgjedhjet në Shqipëri, asgjë nuk ndryshon. Do të ketë vetëm luhatje çmimesh në treg. Asgjë tjetër. Zgjedhjet janë një çështje shumë serioze. Nuk mund ti kthejmë në instrumenta tregu edhe zgjedhjet. Në fakt, u bë ca kohë që zgjedhjet janë kthyer në instrumenta tregu nën administrimin e mbikqyrjen e qehajajve të krimit të organizuar. Simbolikisht jemi bërë një shoqëri ‘lebroze’. E keqja na ka pushtuar trupin e ne nuk po e ndjejmë më. Këtë efekt ka lebra. Madje edhe kur të këputen copëza të trupit, nuk i ndjen më sepse nuk ke më as dhimbje. Nisma për Presidentin nga Populli është e shkëlqyer. Qoftë kjo e Ben Blushit apo e Mesila Dodës dhe Shpëtim Idrizit. E mbështes me gjithë shpirt e zemër. Por sot është si aspirina për lebrozët. Ndërkohë gazetari Blushi, që më shumë se vendimin, kumton e kërkon lajmin, po na shtjellon një tjetër ngjyrim të kësaj nisme. Me kaq shumë pasion sa e ka marë Blushi këtë lajm që po bën, e numërim online që synon, duket sikur Nisma Presidenti nga Populli, lufton varfërinë, oligarkinë, betonizimin dhe turpëron Referendumin në PS. Kjo po që është Nismë Politike e jashtëzakonshme, e pandodhur më parë, origjinale, unike, e bukur, seksi…. Mbetet vetëm të brohorasim të gjithë njëzëri: Bravo Ben Blushi. Tani na shpëtove nga shitblerja e votave, partitokracia dhe listat e mbyllura. Presidenti nga Populli na përmirëson edhe ilaçet e falsifikuara, edhe ushqimet e skaduara apo shiringuara. Ia hodhëm tani. Ide brilante. Mezi e prisnim këtë nismë nga Ben Blushi. Kot i kërkonim ne që meqë e shan me prag shtëpie Qeverinë Rama, ky të deklarojë heqjen e votës së tij si deputet për këtë Qeveri. E pse të mos e votojë Qeverinë që shan Blushi? Rëndësi ka që ne të tejkalojmë varfërinë me rastin e nismës së Zgjedhjes së Presidentit nga Populli. Faleminderit Blush që na dhe dritë e mirëqenie. Pa ty nuk do tia kishim dalë dot mbanë. Më vjen keq por është pa lidhje fare. Sot nga Ben Blushi unë pres e kërkoj intelektualisht, politikisht, qytetarisht, kombëtarisht, (pa ia kërkuar as drejtpërdrejtë e as si llogari, sepse nuk e kam këtë të drejtë) që të dalë nga steriotipi i qytetarit shqiptar që ankohet, mallkon, nëm Qeverinë e Kryeministrin, e paskëtaj përsëri voton këtë Qeveri e këtë Kryeministër. Deputeti nuk mban vetëm fjalime. Deputeti mer vendime, voton. Ky Blush që i ka lexuar fjalimin e funeralit Rilindjes, ka 1 vit që edhe vetë po voton Kandidatin e vdekur. Kjo nuk ka më kuptim. As politikisht, as moralisht. Në politikë, ose je deputet liste që mban fjalime, ose je deputet populli që mer vendime. Blushi le të bëhet njëherë vetë deputet populli që mer vendime e ia deklaron Qeverisë që shan e mallkon heqjen e votëbesimit të tij si deputet. Kjo është e vetmja mënyrë që ne ta besojmë kur na kërkon që ne ta zgjedhim Presidentin nga Populli. Deputeti i fjalimeve, është i çmuar, i vlefshëm, e pa asnjë diskutim i domosdoshëm në Kuvend. Patjetër që duhen më shumë Ben Blushë e Ben Malaj, Marko Bello e Fatos Nano në Kuvend, që të mos kemi shokët e Milit. Gjithësesi kjo nuk mjafton. Nga deputeti i higjenizuar Ben Blushi, kërkohet që të përballet me Edi Ramën, pas gjithçkaje që ai na ka thënë për të. Nuk mund të fshihet pas Presidentit që duhet ta votojë populli, e vetë të vazhdojë të votojë Edi Ramën. Sidoqoftë, asnjë nga ne nuk mund tia kërkojë kështu sikur kemi të drejtë tia kërkojmë këtë llogari Blushit që të mos e votojë Edi Ramën në Kuvend. Pyetjen mund tia bëjmë ama. Përse ti Ben Blushi vazhdon tia japësh votëbesimin dhe votën tënde Edi Ramës? Arian Galdini Tiranë më, 1 korrik 2016